Kulturë

“Streha e nemun” qesh me vetminë në kërkim të fatit

Është një shfaqje tragjikomike që shndërrohet në pasqyrë për njeriun modern, i cili sfidohet nga paragjykimi. Një grua me ngulm kërkon të gjejë partner, ta mund vetminë edhe si pasojë e presionit të shoqërisë, kandidatët shndërrohen në personazhe komike, por këtu është mjeshtëria e lojës me kontraste. “Strehë e nemun” nën regji të Ilir Bokshit, bazuar në tekstin e Sholt Poshgait, qesh me fatin e përmbysur

Ka një banesë të bukur, për të cilën Liza ka punuar krejt jetën. Tash ndien njëfarë presioni që të ketë një partner. Duket të jetë rreth të 40-ve, periudhë kjo kur jo veç në shoqërinë vendore u bëhet njëfarë presioni grave dhe burrave që të kenë një partner, përndryshe në masë konsiderohen si njerëz të humbur. 

Në anën tjetër, personazhi që luhet nga Albulena Kryeziu-Bokshi duket sikur nuk e duron vetminë. Ia ka mësyrë që të bashkohet me dikë. Për këtë edhe bën shpallje në gazeta. Por ata që i vijnë për ta njoftuar, secili është më komik se tjetri, përfundojnë si personazhe tragjike. Të portretizuar nga Adrian Morina e Ledion Zoi, burrat e shfaqjes janë histori më vete. “Streha e nemun”, nën regji  të Ilir Bokshit, bazuar në dramën “Liza në maj” të dramaturgut hungarez, Sholt Poshgai, ecën midis tragjedisë dhe komedisë. Me aktoren në premierën mysafire, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shfaqja nis me skenë kur një burrë, të cilit i ka vdekur gruaja dhe jeton duke iu kujtuar ushqimet e përgatitura nga ajo, tash kërkon fatin diku tjetër. Liza ka bërë një mal ushqimesh për darkë. Skenat janë goxha qesharake e në fund halat e peshkut bëjnë që dashamirësi i ushqimit të ikë. Mjeshtri i ujësjellësit e disa profesione të tjera janë “kandidatët”. 

Liza për kohë të gjatë ka qenë ndihmëse e një zonje, e cila ia ka lënë trashëgimi banesën. Shfaqja tragjikomike mban publikun të koncentruar, përderisa Liza paraqet një gjendje psikologjike të një gruaje nën presion. Komedia kohëve të fundit është e rrallë në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës edhe si shfaqje mysafire, pasi Teatri ka më shumë se katër muaj që s’ka dhënë shfaqje as reprizë. Për këtë vit, duhet të jetë i pafat, njashtu sikurse Liza që s’gjen dot një partner. 

Regjisori Ilir Bokshi ka thënë se teatri e ka detyrë bazike e parimore t’i argëtojë njerëzit. 

“Argëtimi nuk vjen patjetër nga komedia, vjen nga gjendja shpirtërore që ta jep një shfaqje. Kjo nuk është komedi. Është tragjikomedi. Ka edhe nuanca të dramës. Do të thotë kalojmë nëpër zhanre pa u vërejtur, por që normalisht që komedinë e favorizojmë, sepse na duhet për të mbijetuar në këtë gjendje të rëndë shpirtërore që jemi si botë e jo vetëm si shtet e si komb”, ka thënë ai. 

Ka përsëritur se krejt bota është shumë e zymtë në këto momente. Por të pranishmit e shumtë në premierën e shfaqjes, e cila menjëherë udhëton drejt Tiranës, kanë pasur hapësirë të bollshme për të qeshur. Janë detajet e personazheve që sjellin situata komike. Është deri diku edhe njëfarë humori i zi në raport me personazhin kryesor që s’di kah t’ia mbajë nga personalitetet që e kërkojnë për partnere. 

Aktorja Albulena Kryeziu-Bokshi ka thënë se luan një personazh shumë tragjik. 

“Unë e lidhi me realitetin tonë dhe pozitën e gruas në shoqërinë tonë. Çfarëdo ose pavarësisht çfarë mund të mbërrijë një grua, pavarësisht sukseseve në jetën e saj, në shoqërinë tonë konsiderohet e paarritur nëse nuk martohet dhe nuk bën fëmijë. Dashtë e pa dashtë, dëshpërimisht te shumica e grave, sidomos kur arrijnë rreth të dyzetave, vjen njëfarë frustrimi nga ana e shoqërisë, pavarësisht arritjeve”, ka thënë ajo. 

Sipas Kryeziu-Bokshit është e dhimbshme, sepse pikërisht kjo trysni që bëhet nga shoqëria, në fakt dërgon te vrasjet që po ndodhin. 

“Këto janë pasojë e kësaj shoqërie”, ka thënë ajo.  

Aktori Adrian Morina ka thënë se është një storie, që pavarësisht se duket komike, është tragjedi e një personazhi që është në kërkim të dashurisë, të jetës.

“Fillimisht është e dhënë pas diçkaje si banesa dhe kujdeset për dikë dhe e pret që ajo t’ia falë. Në fund e kupton që ka ngelur vetë dhe asgjë materiale nuk të duhet, një personazh tragjik e komik që mund ta gjesh në secilën shoqëri moderne të kohës sonë, ku duket sikur vetmia u mjafton njerëzve, pavarësisht nevojës dhe dëshirës për ta pasur dikë në krah”, ka thënë ai. 

Ka shtuar se vërtet e kishte marrë malli të luajë e ta dëgjojë publikun duke qeshur. 

“Në kohën kur jemi dhënë pas dramave të mëdha, u kënaqëm duke qeshur”, ka thënë ai. Personazhet që kanë nevojë për një partnere dhe i vijnë në banesë Lizës i duken të krisur. Kush merakli i ushqimit e njeri që s’ka zënë vend kund. 

Regjisorja Zana Hoxha ka thënë se bëhet fjalë për shfaqje që vë në pah mjeshtërinë aktoriale, veçanërisht në ndërrimet e vazhdueshme të karaktereve. Sipas saj, regjisori Ilir Bokshi, i njohur për aftësinë e tij për të krijuar hapësirë ku aktorët shkëlqejnë, edhe kësaj radhe ka sjellë një interpretim dinamik dhe sfidues. 

“Do të veçoja Lenën, të cilën e pashë për herë të parë në një rol bartës, duke dëshmuar një pjekuri të admirueshme si aktore. Performanca e saj ishte e fuqishme dhe e natyrshme. Megjithatë, skenografia dhe kostumet nuk arritën të mbështesin plotësisht intensitetin e lojës aktoriale dhe mizanskenës, duke krijuar momente ku energjia skenike nuk përkthehej vizualisht me të njëjtën forcë”, ka thënë ajo.

Skenografinë e ka punuar Petrit Bakalli, kurse kostumografe e shfaqjes është Alma Krasniqi. Sipas Hoxhës, në thelb, tematika e shfaqjes është po aq interesante sa dhe e rëndësishme, duke eksploruar sfidën e vetmisë dhe përpjekjen e pakompromis për të krijuar lidhje autentike me të tjerët, vetëm për të shmangur ndjenjën e vetmisë. 

Vetmia në kohët moderne është në rritje e sipër, sikurse të qeshurat në shfaqjen që analizon jetën e një gruaje nga disa perspektiva.