Kulturë

“Stories We Tell” me zërat e fuqisë së artit për ndryshime në shoqëri

“Stories We Tell” me zërat e fuqisë së artit për ndryshime në shoqëri

Kampi i parë i cili u zhvillua në Prizren, epilogun e tij e shpalosi të enjten në “Kino Armata” në Prishtinë me një shfaqje të inserteve nga intervistat e incizuara me 18 pjesëmarrësit nga komunitete të ndryshme që jetojnë në Kosovë

Si një entitet në fushën e kulturës në Kosovë, “DokuFesti” tashmë ka dëshmuar se ka përdorur fuqinë e artit nëpërmjet filmit dhe materialeve audiovizuale si një mjedis frymëzues për të nxitur krijimtarinë e të rinjve dhe për të promovuar lirinë e mendimit dhe shprehjes. Në këtë filozofi frymon edhe “Stories We Tell”, i cili bashkon të rinjtë që të flasin për sfida si një rrugë për t’i tejkaluar ato

Narrativat të cilat nxisin urrejtje dhe u hapin rrugë përçarjeve midis komuniteteve janë shënjestra. Ndërkaq ai piketohet nga një iniciativë e cila instrumentalizon shkëmbimin kreativ si medium për të ndryshuar shoqërinë. Kjo është filozofia e “Stories We Tell”, projektit të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” i financuar nga “SMART Ballkans”, me synim që nëpërmjet mediave audiovizuale të inkurajojë dialogun dhe mirëkuptimin midis të rinjve nga komunitete të ndryshme në Kosovë. 

Të rinj të moshave nga 18 deri në 25 vjeç, në këtë projekt i cili do të realizohet nga tri kampe të ndryshme, do të përfshihen në aktivitete të cilat do t’iu ndihmojnë atyre në ngritjen e vetëdijes, promovimin e respektit dhe mirëkuptimin reciprok. Kampi i parë i cili u zhvillua rishtazi në Prizren, epilogun e tij e shpalosi të enjten në “Kino Armata” në Prishtinë me një shfaqje të inserteve nga intervistat e incizuara me 18 pjesëmarrësit nga komunitete të ndryshme që jetojnë në Kosovë. 

“DokuFest”, si një entitet në fushën e kulturës në Kosovë, tashmë ka dëshmuar se ka përdorur fuqinë e artit nëpërmjet filmit dhe materialeve audiovizuale si një mjedis frymëzues për të nxitur krijimtarinë e të rinjve dhe për të promovuar lirinë e mendimit dhe shprehjes. Mirëpo aty është evidentuar vazhdimisht dhe roli i medias si ndikues i rëndësishëm në formimin e opinionit të shoqërisë për çdo fenomen. 

Nisur nga kjo, iniciativa “Stories We Tell” e trajton edhe këtë duke ofruar dëshmi nga dora e parë rreth realiteteve të jetuara nga të rinjtë me prapavijë të ndryshme në Kosovë. Kjo ekspozitë, e cila paraqet punën e këtij grupi punues, nisi me shfaqjen e këtyre videomaterialeve të cilat për subjekte kishin vetë të rinjtë pjesëmarrës të gjendur para pyetjeve të ndryshme teksa japin këndvështrimet e tyre.

Videoja e parë i vuri të rinjtë para pyetjes se si janë të lidhur ata me botën e artit. U pyetën dhe për këngët e tyre të preferuara, ndërkaq përgjigjet jepen duke pasqyruar gjithsecili karakterin unik dhe nuancat personale që në tërësi ndërtojnë një pasqyrë të implikimeve të cilat ndërtojnë identitetin e një të riu në Kosovë. 

Hapësira qe e rezervuar dhe për “pyetjet e mëdha”. Po sikur të ishin super heronj si do ta përdornin fuqinë e tyre, ishte pyetja e radhës e cila sërish ofroi këndvështrime të shumta. Ndalimi i urisë, luftërave, bullizmit, avokimi për një botë ku liria e shprehjes gjen vend e praktikohet në tërësi qenë vetëm disa nga to, të cilat në formatin e tillë si videoinserte vijnë si ekzemplarë të realitetit. 

Producenti dhe drejtuesi i “DokuLab”, Erolli Bilibani, bartës i kësaj iniciative, ka thënë se motivi parësor prapa aktiviteteve ishte që t’u ofrohet hapësirë të rinjve që të amplifikojnë zërin e tyre. 

“Ky kamp i parë na e solli një grup shumë interesant me 18 të rinj të cilët erdhën pa ndonjë pritshmëri dhe gjatë një jave shoqërimi, diskutimesh, mësimeve të ndryshme, kanë pasur detyra të ndryshme, për shembull kanë bërë punë në grupe si çifte, dhe ideja përfundimtare ishte se si mund ta ndryshojmë këtë shoqëri, çka i duhet shoqërisë për atë, dhe është përdorur metafora e shkopit magjik. Si e shohin të rinjtë atë, sa dëgjohen ata nga vendimmarrësit kur vjen puna te ndryshimet shoqërore, sa e përdorim artin për ndryshimet shoqërore, sa e përdorim atë vetëm si diçka që na e kënaq shpirtin në aspektin kulturor artistik apo mundemi me përdor atë dhe me nxit lëvizje të ndryshme të njerëzve?”, është shprehur Bilibani

Edhe pse motivi kryesor kishte qenë krijimi i një platforme ku i jepet zë rinisë, këta 18 pjesëmarrës kishin pasur mundësinë që edhe të aftësohen në aspekte të ndryshme teknike sa i përket procesit të filmbërjes. 

“Detyrat kryesore janë zhvilluar në ‘DokuKino’ me Eroll Bilibanin si ligjërues, aty kemi shfaqur edhe filma të ndryshëm për ta. Erolli është marrë dhe me aspektin teknik të filmit, të pranishmit kishin mundësinë edhe t’i mësojnë proceset e xhirimit dhe idenë prapa përçimit më të lehtë të mesazhit të synuar. Ata janë ndarë të kënaqur edhe me këtë anë të këtij projekti, sepse kanë pasur mundësi të mësojnë gjëra jashtë fushave të tyre të interesit”, ka thënë Era Mamaj, koordinatore për marrëdhënie me publikun nga “DokuFest”. 

Manushaqe Ibrahimi ishte njëra nga pjesëmarrëset në “Stories We Tell”. Për të bashkëpunimi me moshatarë botëkuptimesh të ndryshme ka qenë shumë i vyer. 

“Ka qenë një eksperiencë shumë e mirë për mua, duke e marrë përsysh se unë kam studiuar art dhe media digjitale dhe nuk e kam pasur për herë të parë krijimin e videove. Dëgjimi i njerëzve duke i treguar rrëfimet e veta ka qenë interesante për mua që ta shoh se si dikush që nuk i përket fushës së artit arrin me tregu në mënyrën e vet rrëfimin e tij”, ka thënë Ibrahimi për KOHËN. Ka veçuar bashkëpunimin që e kanë pasur me njëri-tjetrin, në grupe që çdoherë kanë ndryshuar. 

“Ne si qenie shpesh e kemi të vështirë t’i pranojmë ndryshimet dhe të provojmë gjëra të reja, por këtu të ka bërë të ndihesh rehat me idenë se e ke pasur dikë tjetër afër duke e bërë të njëjtën gjë me  ty”, ka thënë ajo. 

Yll Avdiu, i cili gjithashtu ishte pjesë e “Stories We Tell”, ka qenë i njoftuar me procesin e filmbërjes Ka vlerësuar mundësinë e shkëmbimit të përvojave dhe botëkuptimeve me pjesëmarrësit e tjerë në këtë projekt. 

“Duke qenë edhe vetë individ që mundohem sa më shumë me iu ikë paragjykimeve, rrjedhimisht dhe bashkëpunimi me cilindo anëtar nga komunitetet pjesëmarrëse për mua ka qenë i mirëseardhur. Fundja, secili kemi preferencat tona, nuk mundemi me i gjyku të tjerët. Kemi pasur rastin me bashkëpunu me njerëz nga fusha të ndryshme dhe kemi shkëmbyer shumë ide dhe opinione, kjo ka qenë eksperiencë shumë e mirë”, është shprehur Avdiu.

Ekspozitat për videot e realizuara nga kampet me grupet e tjera në vazhdim do të përgatiten dhe do të shfaqen gjatë verës në “DokuFest” për një audiencë të gjerë. Përveç ekspozitës, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të ndjekin filma, masterklasa dhe debate të ndryshme që do të zhvillohen gjatë ditëve të festivalit “DokuFest”, me ç’rast ata do të kenë rastin të takojnë njëri-tjetrin përsëri.

Nëpërmjet një qasjeje të tillë synohet identifikimi i fushave potenciale ku ka nevojë për përmirësime dhe korrigjime për boshllëqet në përfaqësimin e komunitetit teksa i shërben në mënyrë direkte filozofisë së “DokuFestit”.