Interpretimi i muzikës barok nuk është edhe aq i shpeshtë në skenën vendore. Filarmonia e Kosovës deri më tani ka realizuar vetëm dy koncerte me program tërësisht të asaj kohe. I fundit qe ai i së hënës mbrëma.
Elementet stilistike që e veçojnë qasjen e kësaj muzike bëjnë që kërkesat ndaj interpretuesve, qoftë korit apo orkestrës, të jenë më të mëdha. Një numër i madh i publikut, i cili mbushi përplot kishën katolike “Shën Ndou”, u bë dëshmitar i një ngjarjeje të tillë. Hapësira e vogël e kësaj kishe nuk arriti që të rehatonte të gjithë nëpër ulëse, shkruan sot “Koha Ditore”.
Një pjesë e tyre qëndruan në këmbë, aq sa edhe dera u bllokua nga njerëzit. Përkundër kësaj, publiku nuk interferoi në muzikë pos pëshpërimave të ndonjë fëmije a kërcitjeve të derës. Arsyeja e këtij koncentrimi qe interpretimi që sollën Kori dhe Orkestra e Filarmonisë së Kosovës bashkë me solistët.
Mbrëmja u hap me veprën “O frondes virga” të Hildegard von Bingen, nën aranzhimin e kompozitorit e dirigjentit Rafet Rudi.
Kori i burrave qëndroi në skenë edhe për dy veprat e radhës. Sollën “Sicut cervus” dhe “Jeus rex admirabilis” të Giovanni Perluigi da Palestina. “Sicut cervus” është një prej moteteve më të njohura të Palestinas.
Pas tyre kori u largua nga skena për t’ia lëshuar vendin sekstetit të kompletuar nga Kaltrina Miftari, Shkurte Hykaj, Diellza Sylejmani, Liridon Sadriu, Granit Musliu dhe Shaban Behramaj. Ata sollën veprën “Haec dies” të William Byrd.
Pas kësaj muzikantët nisën të lëviznin. Skena u mbush përplot me orkestrën harkore. Kori qe i kompletuar. Po ashtu edhe dy soliste: sopranot Adelina Paloja dhe Kaltrina Miftari. Së bashku sollën veprën “Lauda Jerusalem” të Antonio Vivaldit.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)