Kulturë

Steve Albini – projektuesi ikonik i skenës së rockut alternativ

Steve Albini

Përveç bendeve “Big Black”, “Rapeman” dhe “Shellac”, të cilët ndihmuan në krijimin e muzikës post-punk dhe art-rock, Steve Albini gjithashtu prodhoi edhe për të përdorur termin e tij të preferuar, projektoi albumet e grupeve të tilla si “Nirvana”, “Pixies” dhe muzikantëve të famshëm, PJ Harvey, Jimmy Page dhe Robert Plant

Steve Albini, vokalisti, kitaristi dhe producenti që shquhej për krijimin e një sërë albumesh më të vlerësuara në skenën e muzikës alternative në SHBA, ka vdekur në moshën 61-vjeçare. Ai pësoi sulm në zemër derisa ishte duke punuar në studion e tij, “Electrical Audio” në Chicago.

Përveç bendeve “Big Black”, “Rapeman” dhe “Shellac”, të cilat ndihmuan në krijimin e muzikës post-punk dhe art-rock, Albini gjithashtu prodhoi ose për të përdorur termin e tij të preferuar, projektoi albumet e grupeve të tilla si, “Nirvana”, “Pixies” dhe muzikantëve të famshëm, PJ Harvey, Jimmy Page dhe Robert Plant. Ai shquhej për karakterin e tij të veçantë duke u rezistuar ofertave të platformave muzikore dhe duke refuzuar të merrte honorarë nga këngët që prodhonte për artistë të tjerë.

Bendi “Shellac” po bëhej gati që javën e ardhshme ta publikonte albumin e parë të incizuar në studio nga viti 2014, “To All Trains”.

I lindur në Kaliforni në vitin 1962, frymëzimet muzikore të Albinit vinin nga lëvizja punk, kryesisht bendi “Ramones”, por edhe grupe të tjera të këtij zhanri, si “Devo” dhe “Pere Ubu”. Ai u zhvendos në periferi të Chicagos për të studiuar gazetari, ku më pas u dashurua në skenën “underground” të muzikës në këtë qytet. Ndër vite kontribuoi duke shkruar për gazeta dhe duke punuar për labelin e muzikës punk, “Ruthless Records”.

Albini e filloi projektin muzikor “Big Black” fillimisht si një përpjekje solo që shpejt u shndërrua në kuartet. Albumi i tyre debutues “Atomizer” u publikua në vitin 1986 dhe albumi i dytë, “Songs About F..king” (“Songs About Fucking”) – i karakterizuar nga tonet e larta të kitarës dhe pulsimet e daulleve – u bë një pikë referimi në skenën punk të dekadës në SHBA. Kështu ai e fitoi admirimin e kantautorit Robert Plant, i cili më vonë e angazhoi Albinin në prodhimin e albumit të tij me kitaristin Jimmy Page, “Walking Into Clarksdale”.

Grupi “Big Black” ishte shpërbërë deri në kohën e publikimit të albumit “Songs About Fucking”, por kjo nuk e pengoi Albinin që në vitin 1987 ta themelonte grupin e tij të ardhshëm “Rapeman”. I emëruar sipas një libri komik japonez “Manga”, kjo qe mënyra më e mirë për ta jetësuar dëshirën e tij për të nxitur dhe provokuar dhe më vonë ai shprehu keqardhje për emrin e grupit duke e quajtur atë “një vendim të rrëmbyeshëm”.

I vetëdijshëm që nuk dëshiron të kalojë nga projekti në projekt, Albini deklaroi se dëshiron që bendi i tij i ardhshëm të ishte jetëgjatë dhe kështu ndodhi. “Shellac”, i themeluar në vitin 1992 dhe i përbërë nga anëtarët, Steve Albini, Bob Weston dhe Todd Trainer, u bë jashtëzakonisht i veçantë në skenën e art-rocut në SHBA, duke bërë muzikë të një stili minimal, por ritmik. Ata publikuan pesë albume së bashku, përfshirë edhe “To All Trains”, që pritet të lansohet javën që vjen.

Albini adhurohej nga muzikantët për qasjen e tij modeste, duke vënë në plan të parë synimet e secilit artist, në vend që t’ua impononte një shije të caktuar të prodhimit. Suksesi që e shënoi gjatë karrierës ia mundësoi atij ta krijonte studion “Electrical Audio” në vitin 1995, ku punoi me artistë të cilët shënuan histori në skenën e muzikës indie në Amerikë, si Joanna Newsom, Low, “Jon Spencer Blues Explosion” dhe të tjerë. Artistët britanikë si “Manic Street Preachers”, “Mogwai” dhe Jarvis Cocker gjithashtu kërkuan ekspertizën e tij.

Në mesin e personaliteteve që i bënë homazhe Albinit ishte edhe aktori Elijah Wood, i cili tha se vdekja e tij ishte “humbje zemërthyer e një legjende”.