ABCnews këtë javë ishte në fshatin Boletin, në veri të Kosovës, në të cilin gjendet kulla e Isa Boletinit, ku bisedoi me stërnipin e tij, Gazmend Boletini dhe u njoh me flamurin origjinal me të cilin luftoi dhe xhamadanin që ai ka veshur.
“Xhamadani i punuar nga nëna e Isait, mund të jetë afro një shekull i vjetër, ka qenë xhamadan vere, se ne vijmë nga zona e Shalës dhe e ka mbajtur në krah. Shenjat janë besimet Ilire, gjarpri. Ky është flamuri personal i Isa Boletinit, e ka ngritur më 30 qershor në 1912 dhe ka shpallur këtë zonë të lirë dhe ka formuar bazë ushtarake dhe kështu filloi kryengritja e përgjithshme. Në 12 gusht 1912 ka hyrë në Shkup, vilajetin e Kosovës. Por për herë të parë e ka përdorur më 1910 në Kuvendin e Isniqit” tha ai.
Gazmend Boletini rrëfen edhe një detaj interesant te shqiponja në flamur.
“Isa fliste, ai (rrobaqepësi) punonte, dhe kur e kanë pyetur pse me krahët poshtë (shqiponja), sepse akoma nuk i kemi çliruar trojet shqiptare”, tha ai. /Abcnews.al