Shpesh ngjan që objektet arkitekturale urbane të trashëgimisë kulturore të marrin më shumë vëmendje në diskursin publik. Por këtë tenton ta ndryshojë “Stani” i Dodona Blakajt. Nëpërmjet këtij libri i cili thellohet në stanet si tipologji e arkitekturës vernakulare të Kosovës, ajo kthen vëmendjen te kjo arkitekturë unike dhe fton në ndërgjegjësim tek bën thirrje që të marrin njohjen e merituar
Në peizazhin e Bjeshkëve të Nemuna, përveç natyrës, kullosave, drurëve e maleve të thepisura, narrativën vizuale e ndërtojnë dhe stanet. Ato paraqiten si konstruksione banuese të ndërtuara rëndom nga materiale rrethanore si gurët e druri, jo edhe aq të çmueshme për nga vlera. Por rëndësia e tyre dikur është konsideruar si qenësore për jetesën në vendbanimet malore të karakterizuara nga lëvizjet sezonale të bagëtive, e tash pasuri më vete.
Si e tillë përbën dhe një aset të mundshëm të trashëgimisë kulturore. Veç vlerave arkitektonike, stanet janë pjesë përbërëse e një peizazhi kulturor i cili lidhet me praktika të cilat datojnë qysh nga lashtësia. Shndërrohen në trashëgimi shpirtërore e cila ngërthen praktika të të ushqyerit, socializimit e deri te veprimtaritë blegtorale. Në thelb u përgjigjet nevojave të praktikave baritore nëpër zonat malore, veçmas atë të Bjeshkëve të Nemuna, por mbi këtë çështje tashmë literaturës dedikuar arkitekturës vernakulare në Kosovë i shtohet një libër me po atë emër.
“Stani: Arkitektura vernakulare e Bjeshkëve të Nemuna”, është libri i parë i arkitektes Dodona Blakaj, e cila nëpërmjet këtij vëllimi unik në 100 e sa faqe material nga hulumtimi i saj, synon që të sensibilizojë lexuesit për ruajtjen e peizazheve natyrore dhe atyre të ndërtuara, duke iu referuar staneve. Stanin ajo e dekonstrukton sipas optikës së ekspertizës së saj – arkitekturës. Stani kishte qenë dhe punimi i saj për diplomën e bachelorit në Kosovë, e cila do t’ia hapte dhe dyert për nivelin master, në universitetin “Politecnico di Milano” në Itali dhe veprimtarinë e saj si arkitekte më vonë në Gjermani. Por ajo do të kthehej sërish te stanet e Bjeshkëve të Nemuna, veçanërisht atyre të Istogut, vendit prej nga vjen. Në promovimin e librit, të enjten mbrëma në librarinë “Dukagjini” në kryeqytet, në panel qe edhe profesori i arkitekturës, Lulzim Beqiri. Ai kishte qenë dhe mentor i Blakajt për temën e diplomës dhe e kishte inkurajuar atë që të vazhdonte me këtë temë, ani pse autorja e librit “Stani” në fillim ishte nisur që për temë diplome të trajtonte projektimin e një vile malore.

Dikur profesori i saj, Beqiri, iniciativën e Blakajt e konsideroi si të parën e llojit të vet. Teksa theksoi faktin se ajo do t’i shërbejë mungesës së literaturës së tillë për studentët.
“Puna të cilën e ka bërë Dodona është ndër punët pioniere të këtij aspekti. Kushdo që është në fushën tonë tregon se mungesa e literaturës vazhdon të jetë një sfidë. Megjithatë, e përgëzoj për iniciativën, e kam parë potencialin e kësaj teme qysh në fillim dhe kam besuar se mund të prodhojë material dhe kontribut në aspektin shkencor”, është shprehur Beqiri, duke e quajtur punën e Blakajt si një iniciativë e cila, sipas tij, do të stimulojë edhe arkitektët e rinj që punimet e tyre t’i dokumentojnë në këtë formë dhe pastaj t’i publikojnë.
“Stani” nis me një hyrje të shkurtër e cila e njofton lexuesin me motivin e autores, pastaj jep një pasqyrën të Bjeshkëve të Nemuna, Istogun dhe aty ofrohet një hartëzim i cili lokalizon stanet nëpër zonat e mbrojtura në Kosovë, Parkun Kombëtar Sharri dhe Parkun Kombëtar të Bjeshkëve të Nemuna. Në mënyrë sipërfaqësore ajo trajton shkurtimisht dhe jetën kulturore në këto zona. Aty përmenden veprimtaritë e ndryshme të kësaj zone si: punuesit e plisave, gdhendja e instrumenteve muzikore nga druri dhe blegtoria e bujqësia si ndër burimet e vetme të ekonomive familjare të zonës.
“Dita e Mollës”, “Qethat”, “Dita e Lamës” dhe “Zhdjergat” janë disa nga manifestimet e listuara nga autorja. Libri i nisur që nga fillimi që të jetë i qasshëm edhe për vizitorët e huaj si një formë e promovimit të trashëgimisë arkitektonike, vjen edhe në gjuhën angleze, krahas paragrafëve në gjuhën shqipe. Tutje në libër, ajo fillon e zhytet në ekspertizën e saj. Ofron të gjitha tipologjitë arkitektonike të staneve, ndërkaq e bazuar në klasifikimin e arkitekturës tradicionale të studiuar nga Ali Muka, ajo dallon tri tipe kryesore të staneve: ato drejtkëndore, elipsoide (stanet me dushk) dhe elipsoide (stanet me plisa dheu apo bosonica). Ndërkaq për secilin nga këto tipe ofron nga një ilustrim dhe skicë, si dhe fotografi të staneve të tipologjive të ndryshme të shkrepura nga vetë autorja apo të marra nga burime të ndryshme.
Në promovim, duke ndarë detaje për librin, Dodona Blakaj ndër të tjera ka diskutuar edhe për tendencat e vona të ndërtimit të staneve të reja. Sipas saj, ato tani janë të përshtatura sipas kushteve moderne dhe nuk përkojnë me format origjinale të staneve. Ka treguar se stanet si arkitekturë e ngjashme gjenden edhe në vendet e rajonit.
“Tash ne dëgjojmë se stanet vazhdojnë të ndërtohen nëpër bjeshkë, por ato janë larg origjinales. Edhe pse hulumtimi im ka qenë me fokus në Istog, mund të them që konstruksioni i staneve edhe në vendet e tjera të Ballkanit ngjan shumë me këto në Kosovë”, ka thënë ajo.
Sipas hulumtimit të saj, rreth 25 për qind të popullatës së zonës së Istogut merret me blegtori dhe më pak se 10 për qind nga ta zhvillojnë aktivitetin e lëvizjes së barinjve në bjeshkë. Rrjedhimisht edhe pse ajo dokumenton stanin si trashëgimi arkitektonike, gjithashtu ofron dhe një pasqyrë të gjendjes momentale dhe rrezikut evident. Ndërtimi i staneve si praktikë duket se po ndjek një rrugë drejt zhdukjes.
“Kur flasim për trashëgiminë kulturore në raport me arkitekturën popullore, ajo ndryshon, sepse vetë praktika e ndërtimit evoluon, ne nuk mundemi që sot barinjve t’ua imponojmë ruajtjen e formave origjinale të staneve, sepse nuk është aspak e lehtë. Kanë ndryshuar kushtet ekonomike, klima dhe shumë aspekte të tjera”. ka shtuar Blakaj. Në përmbajtje të librit ka vendosur dhe disa propozime si rezultat i punës së saj, si adresime për institucionet gjegjëse në mënyrën se si t’i qasen këtij tipi të arkitekturës. Përcaktimi i strategjive adekuate, ruajtja dhe konservimi i tyre, njohja e palëve të interesit, si dhe konsideromi i ndërlidhjes midis peizazheve rurale dhe urbane, janë vetëm disa nga to.
Krejt e veçantë ka qenë dhe puna hulumtuese e saj, ani pse e udhëhequr nga ekspertiza e saj – arkitektura, pjesa që ajo duket ta ketë bërë më me qejf del të jetë diçka tjetër. Subjektet me të cilët ajo ka biseduar i kishin lënë mbresa të veçanta.
“Pyetjet i kam pasur normalisht më shumë të orientuara te arkitektura, por subjektet tërë kohën kanë qenë shumë emocionalë. Gjatë rrëfimit për stanet ata kanë treguar se si bjeshka dikur ka qenë shumë e gjallëruar, se si kanë jehuar dhe janë dëgjuar nga një stan në tjetrin mes vete. Shumica e informacioneve që kam marrë kanë qenë për jetën dhe nostalgjinë që ata kishin”, ka thënë autorja, e cila në pjesën e pasme të kopertinës së librit u bën dedikim pikërisht atyre.
“Këtë libër ua kushtoj atyre që një jetë veruan në bjeshkë!”, thuhet në dedikim.