Kulturë

Spektakël me Stormzyn në “Sunny Hill”

Sunny Hill

Stormzy në natën e tretë të “Sunny Hill Festivalit” , të shtunën mbrëma (FOTO: Arben Llapashtica)

(01:35) - Stormzy, ka qenë vet i dhjeti në skenë që e kanë bërë performancën e tij të fuqishme në Sunny Hill". Por pritja që ia ka bërë publiku, e ka emocionuar edhe vetë atë.

Hera e parë që jam këtu dhe nuk do të ju harroj kurrë. Betohem që jam jashtëzakonisht shumë falënderues. Ju dua shumë. I kam thënë edhe ekipit para se të fillonte mbrëmja. Faleminderit shumë për këtë pritje", deklaroi Stormzy.


(00:09) - Atmosfera ka kulmuar me daljen e Stormzyt në skenë. I shoqëruar nga fishekzjarrje të shumta, reperi britanik shkaktoi entuziazëm te fansat duke u shfaqur me flamurin e Kosovës në supe.

“Është hera e parë që jam këtu. Jam Stormzy, vijmë nga jugu i Londrës dhe kemi vetëm një qëllim sonte. Që të gjithë këtu të largohemi me kujtimin që për 20-30 vjet ta mbani mend se jemi kënaqur. Vetëm më jepni pak energji dhe do të jap gjithçka që mundem në skenë. Do ta bëj këtë natë të paharrueshme për ju Kosovë", tha reperi para publikut të pranishëm. 

Rep-artisti e kompozitori britanik 31-vjeçar Michael Ebenezer Kwadjo Omari Owuo Jr. i njohur profesionalisht si Stormzy, fitoi vëmendje në skenën e muzikës në Britani nëpërmjet serisë së tij “Wicked Skengman”.

Kënga e tij “Shut Up” u bë shumë e njohur dhe ai arriti kulmin e karrierës në atë kohë, duke u klasifikuar e treta si në kategorinë e këngëve solo në top-listat britanike.

Pas debutimin me këngën “Know Me From”, Stormzy ka fituar tre “MOBO Awards” dhe një “BET Awards” në kategorinë “Best International ACT”. Në vitin 2017 ka fituar çmimin “MTV Europe Music Award” në kategorinë “Best Worldwide Act” ndërsa ishte i nominuar edhe për një ”Brit Award”.

Ai shënoi histori në skenën e muzikës në Britani në vitin 2018 duke u bërë rep-artisti i parë që fiton këtë çmim për “Albumin Britanik të Vitit”. Kjo ngjau me albumin e tij debutues, “Gang Signs & Prayer”. Ishte fitues i dyfishtë i atij edicioni, duke fituar edhe si “British Male Solo Artist Award”. Këto janë veç disa prej sukseseve të një prej artistëve të mëdhenj evropianë që ka korrur suksese në skenë ndërkombëtare të muzikës.


(23:15) - Para mesnatës në skenë është ngjitur kantautorja angleze Sarah Faith Griffiths, e njohur me emrin skenik Griff. Po këndon këngë nga albumi i saj “Vertigo”.


PINT-at elektrizojnë “Sunny Hillin” me “Semafor”

(22:30) - Skena e “Sunny Hill Festivalit” është elektrizuar në natën e tretë me “Semaforin” e MC Kreshës e Lyrical Sonit. Posa në sfond është dëgjuar melodia e “himnit” të këtij festivali, publiku ka shpërthyer.

Ashtu si dy vjet më parë, publiku i shumtë në numër këndoi bashkë me dy reperët në skenë.

Kënga “Semafori” bujën e madhe e bëri në “Sunny Hill 2022”.

Lluni dhe Lyrical Son janë ngjitur në skenë fillimisht. Kanë interpretuar “Pa mu”. U është bashkuar edhe artisti shumë i dashur për publikun Mc Kresha. Artistët e labelit “PINT” e kanë ndezur atmosferën edhe më shumë.

Shumë prej publikut në hapje kanë thënë se më shumë se për artistët e huaj, kanë ardhur për këta artistë vendorë. E kanë kënduar re-makein “Hip hop” versi i të cilit përfshin një pjesë të këngës së rock-grupit Mak – “Idile verore”. Ia ka lënë në dorë publikut për ta vazhduar. Kjo e dëshmon se i njeh mirë secilën këngë të tyre.

Avaria me probleme teknike është përsëritur edhe në natën e tretë. Ata kanë ngecur disa herë në përcjelljen me vokal. Kanë bërë të ditur se nuk janë në komunikim me instrumentalin.

“Nuk e dëgjojmë veten”, i ka thënë Kresha teknikës.

E kënduan edhe “Duqa mi duqa", "Era" e "Luv, luv".

VIDEO:


Ndizet skena e natës së tretë të “Sunny Hill Festivalit”

(21:11) - Më shumë publik duket të ketë pranë skenës kryesore në natën e tretë të “Sunny Hill Festivalit” ku para disa minutash ka përfunduar performancën artisti Getoar Selimi i njohur për publikun si Ghetto Geasy. Ai ka interpretuar hitet e tij, kryesisht bashkëpunime me të tjerë artistë. “Si ajo”, “Malena”, “S’jena mo” kanë qenë disa prej këngëve që e kanë ndezur publikun që ka kënduar shpesh me të. Fluksi është rritur sapo ka rënë muzgu.

Me kilometra të tëra ka qenë e gjatë kolona e makinave. Më shumë se një orë e gjysmë ka zgjatur udhëtimi i një autobusi të Trafikut Urban nga Stacioni i Trenit kur është nisur e deri në hyrje. Autobusët kanë qenë të stërngarkuar.

Ledri Vula në natën e tretë të “Sunny Hill Festivalit” , të shtunën mbrëma (FOTO: Arben Llapashtica)

Pas tij në skenë është ngjitur Ledri Vula. Ka kënduar “SRMN”. Krejt publiku i është bashkuar në interpretim të refrenit “Sun rrin me neve...”. E ka ndezur atmosferën me “Thirrëm qysh dush”. Ka kënduar edhe këngën e tij të fundit “Paranormal”. Pjesën e fundit të muzikës ku pushon teksti e ka shfrytëzuar për ta argëtuar publikun në një tjetër zhanër

Edhe në natën e tretë është parë ylli botëror, Dua Lipa. Ajo ka nënshkruar disa fanella që ia kanë gjuajtur fansat.

LEXO EDHE: