Në kontekstin krejt lokal si fëmijë, sorrat ishin frikë përkthyer në imagjinatë e besëtytni, teksa të rriturit kanë besuar se ato ndjellin fatkeqësi. Por Doruntina Vinca shkon edhe më thellë, në projektin kërkimor “Sorrat”. Pos kujtesës individuale e kolektive a paragjykimeve, ajo sjell edhe fakte shkencore për to. Njëri prej tyre, se ato kanë “gjuhë” komunikimi. “Ato kanë aftësi të bien në konkludime, të testojnë, të mësojnë, të bashkëpunojnë, kujtojnë, parashikojnë, vajtojnë, paralajmërojnë, njohin njerëzit, të kenë kujdes, të hakmerren. Ato imitojnë zëra, vjedhin, mashtrojnë, bëjnë dhurata”, shkruan Vinca për sorrat
Sorrat jo rrallë janë sinonim i dukurisë negative te shqiptarët. Me to lidhen besëtytni. Por në shumë dimensione i ka sjellë ato Doruntina Vinca nëpërmjet projektit kërkimor “Sorrat”.
Gotat janë mbushur me verë të bardhë për të mbledhurit në oborrin e shtëpinë e dikurshme të shkrimtarit Hivzi Sulejmani në “Taslixhe“ të Prishtinës. Pak para perëndimit të diellit, të hënën pasdite, të pranishmit janë mbledhur në formë harku përballë dy karrigeve të zbrazëta që prisnin dy Doruntinat: njëra autore e hulumtimit e tjetra dramaturge dhe skenariste.
Në muzg, drita e kuqe e ndezur u jep ngjyrë edhe gjetheve. Krejt kjo ngjarje është menduar si mbrëmje relaksuese në kopshtet e shtëpive, me diskutime e propozime, në atë që është quajtur “Jo-ligjërata për projektin kërkimor ‘Sorrat’ të autores Doruntina Vinca”. Ka qenë bashkëbisedim me autoren, publikun pjesëmarrës mbi format personale të kujtesës, por edhe atë kolektive. Madje për ta bërë të tillë si kjo e fundit, ka qenë edhe një nga arsyet e mbajtjes së kësaj joligjërate. Projekti, që vazhdon të jetë në proces të punës, ka narrativë të fragmentuar, por që i ndërlidh sorrat pa i antropomorfizuar. Vinca i trajton ato si specie më vete që thjesht janë banore të ekosistemit.
“Jo-ligjëratë” e ka quajtur shkrimtarja e studiuesja pasi nëpërmjet saj ka synuar më shumë të marrë, sesa të japë. Gjatë leximit të fragmenteve që ka përzgjedhur nga hulumtimi i deritanishëm tremujor, ka përmendur sesi si fëmijë kanë besuar në besëtytni. Sikurse ajo ka edhe shumë të tjera, që janë ulur sa herë sorrat kanë kaluar mbi kokat e tyre, pasi besonin se mund t’u ndodhte diçka e keqe, teksa vetë Vinca thotë të ketë menduar se do të merrte nota të dobëta në shkollë. Ishte frikë në kontekstin krejt lokal si fëmijë, e përkthyer në imagjinatë e besëtytni, teksa të rriturit kanë besuar se ndjellin fatkeqësi.
“Sorrat si specie, janë po aq komplekse si ambivalenca jonë mbi jetën dhe vdekjen, mbi mitin e të vërtetën. Mjafton ta lexojmë hartën e mitologjisë dhe besëtytnive mbi sorrat për të kuptuar se njerëzit, në kontekstet e tyre lokale përgjatë historisë, kanë projektuar gjithmonë te sorrat dëshirat dhe frikët e tyre”, ka thënë autorja e projektit hulumtues, Doruntina Vinca, derisa ka lexuar pjesë nga punimi i saj.
Trajton në të njëjtën kohë edhe kujtesën fëmijërore, ku ka përmbledhur kujtimet. Pjesa e kujtesës personale në projekt ndërtohet në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë, e aty ka mbledhur edhe kujtime nga banorët. Në ndejën e së martës në oborr, Vinca ka përmendur sesi vetë ajo si 13-vjeçare kishte pasur bindjen se krrokamat e sorrave kishin lajmëruar për vdekjen e një vajze.
“Në ecjet e mia në ‘Ulpianë’ fillova t’i dëgjoj krrokamat e sorrave, natyrën kodike të gdhendur në ato thirrjet e tyre të përsëritura krra, krra, krra. Më kthyen në kujtesë zërat pëshpëritës të mëngjesit të një dite vere, vitin 1993. Dikush kishte vdekur, dikush, që nuk ka pasur kohën të vdesë, një vajzë e re. E ka gjetur dikush, që e ka lënë aty. E ka gjetur policia, e kanë gjetur te tuneli. Dikush e ka lënë trupin e saj të pajetë aty, veç 16-vjeçare’, ka shtuar Vinca.
Krahas besëtytnive, rëndësi i ka kushtuar edhe aspektit shkencor. Ka thënë se inteligjenca e tyre shkon përtej nevojës së tyre për mbijetesë, prandaj shpesh i kap mërzia dhe shpikin lojëra. Ka përmendur se ky shpend ha gjithçka dhe si ilustrim ka marrë një gojëdhënë, që tregohet në Etiopi. Sipas kësaj gojëdhëne, kur shpendët ishin mbledhur në një kuvend për të vendosur sesi ta ndanin ushqimin, gjithë ata pranuan propozimin e korbit, që të gjithë shpendët me trup më të vogël se ai të ushqeheshin me fara dhe grurë. Në anën tjetër, ata me trup më të madh të dilnin për gjah, gjë që ua jepte atyre të drejtën të hanin çdo gjë.
Dramaturgia Doruntina Basha derisa ka lexuar pjesë nga projekti kërkimor, ka thënë se gjatë mesjetës në Angli, gjuajtja e korbave dhe sorrave u bë e jashtëligjshme, pasi njerëzit kuptuan se ato pastronin mbeturinat dhe si rrjedhojë parandalonin përhapjen e sëmundjeve. Ka përmendur edhe kulturat e vonshme të fiseve indiane për të lënë trupat e të vdekurve në kodrina si ushqim për këta shpendë, si akt nderimi dhe cikël i vazhdimit të jetës dhe shpërbërjes. Basha ka cituar nga fragmentet e punimit se origjinën e kanë nga Australia, ku kanë ekzistuar rreth njëzet apo tridhjetë milionë vjet më parë. Sipas shkencës, sorrat janë në majë të piramidës së inteligjencës së shpendëve, por edhe të kafshëve në përgjithësi.
“Shkencëtarët shpesh u referohen sorrave si majmunë me pendla. Ndërtimi kompleks i trurit të tyre, i bën të manifestojnë sjellje komplekse. Truri i tyre i ndarë në tre lobe, pranon informata shqisore, i integron ato brenda një konteksti dhe mocioni për të krijuar memorie dhe më pas i përçon ato te pjesa e trurit, që komandon veprimin”, ka thënë Basha. Siç ka përcjellë ajo, sorrat arrijnë të prodhojnë vegla e të zgjidhin enigma, por eksperimentet tregojnë se ato e kuptojnë shkakun e pasojën.
“Ato kanë aftësi të bien në konkludime, të testojnë, të mësojnë, të bashkëpunojnë, kujtojnë, parashikojnë, vajtojnë, paralajmërojnë, njohin njerëzit, të kenë kujdes, të hakmerren. Ato imitojnë zëra, vjedhin, mashtrojnë, bëjnë dhurata”, ka përcjellë Basha nga punimi i autores Doruntina Vinca.
“Sorrat” është projekt eksperimental letrar mbi sorrat si trashëgimi natyrore, e ndërthurur me kujtesën e historive të viteve të 90-ta. Hulumtimi eksploron pyetje rreth ekologjive të përbashkëta, njerëzore dhe jonjerëzore, si dhe aktivizimin e kujtesës drejt narrativave të reja mbi trashëgiminë. Në projektin kërkimor thuhet se sorrat kanë një sistem gjuhe prej 23 krrokamash dhe se janë të vetmet në botën e kafshëve, që kanë aftësinë e asaj që në linguistikë quhet zhvendosje. Pra, kanë aftësinë të komunikojnë me shpendin tjetër diçka që kanë parë a përjetuar, në një moment më të hershëm kohor dhe në një vend tjetër. Vinca e ka përmbledhur punimin e saj si kondensim të procesit për ta sjellë të martën te publiku. Për të është dëshirë që ka filluar krejt natyrshëm sa herë është kthyer nga Tirana në Prishtinë në lidhje me “komunikimin dhe shkëmbimin me sorrat”.
Hulumtimi bazohet në tri shtylla kryesore: sorrat si specie komplekse natyrore, mitologjike dhe metaforike; rrëfimi dhe kujtesa nga perspektiva e një fëmije nga një kontekst i veçantë gjeografik, politik dhe social; dhe, pyetje rreth potencialit kolektiv në prodhimin e formave të reja të dijes dhe të gjuhës, që arrihen duke kuptuar ekosistemet, që njerëzit i ndajnë me speciet dhe hapësirat e tyre jonjerëzore.
Projekti është realizuar në kuadër të platformës “Heritage Space” të CHwB Kosova (Trashëgimia kulturore pa kufij) dhe financohet nga Qeveria Suedeze dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.