Ka qenë 29 nëntori i vitit 1924 kur bota e muzikës do ta humbte gjeniun e muzikës, Giacomo Puccini. Vdiq në Bruksel. Fiks 100 vjet pas, nja 100 kilometra larg nga kryeqyteti, në Liège, vepra “Pucciniana” e italianit Andrea Battistoni, kompozuar në frymën e ikonës së muzikës klasike, është dhënë premierë botërore. E për t’i dhënë zë, në skenën e Operës Mbretërore të Wallonias të premten mbrëma është ngjitur sopranoja nga Kosova, Marigona Qerkezi. Vepra kërkonte zëra e muzikantë të zotë, e përzgjedhja e saj qe e pashmangshme tok me tenorin meksikano-amerikan Galeano Salas. “Janë dy artistë të mrekullueshëm dhe janë ndër talentët e rinj më të mirë në këndimin operistik në nivel ndërkombëtar”, ka thënë dirigjenti italian Giampaolo Bisanti
Veprat e Puccinit janë prej atyre me të cilat sopranoja e shquar Marigona Qerkezi ka shkelur skena prestigjioze të botës operistike. Midis repertorit të larmishëm që përfshin veç produksione madhore me kryevepra të tilla, njëra prej tyre është vepër e re – premierë botërore. I kushtohet mjeshtrit të madh italian, Giacomo Puccini.
“Pucciniana” e italianit Andrea Battistoni në njëqindvjetorin e vdekjes së kompozitorit të madh, ka marrë ngjyrat e zërit të Qerkezit në Operën Mbretërore të Wallonias në Liège të Belgjikës. Premierën e pati të premten mbrëma kur u shënua shekulli i vdekjes së tij po në shtetin ku e dha frymën e fundit.
Është kantatë për soprano, tenor, kor dhe orkestër. Bashkë me sopranon si soliste, ka interpretuar tenori meksikano-amerikan Galeano Salas nën përcjelljen e Orkestrës dhe Korit të Operës Mbretërore, drejtuar nga dirigjenti italian, Giampaolo Bisanti.
Qerkezi, sopranoja me nam në skenën operistike e ka vlerësuar nder për ta interpretuar veprën.
“Është privilegj shumë i madh që të jem interpretuesja e parë e kësaj vepre ‘Pucciniana’ në Operën Mbretërore të Liège në Belgjikë. Vepra është kompozuar për nder të 100-vjetorit të vdekjes së Puccinit”, ka thënë sopranoja Qerkezi. Nuk është hera e parë që ngjitet në skenën e Operës Mbretërore, njëra prej tri shtëpive më të mëdha operistike në Belgjikë. Është një objekt impozant i stilit neoklasik me histori të bujshme. U inaugurua më 1820.
“Jam e nderuar që për herë të dytë kthehem në këtë teatër e kësaj here me një nder shumë të madh siç është debutimi i një vepre që jepet premierë botërore. Për nder të kompozitorit Giacomo Puccini, që është vit i festimeve të këtij kompozitori, është kompozuar kjo vepër nga kompozitori Andrea Battistoni”, ka thënë ajo për KOHËN.
Debutimin në këtë skenë, Qerkezi e kishte pikërisht nën udhëheqjen e italianit Giampaolo Bisanti kur bashkë me korin e orkestrën e Operës Mbretërore, ishte një nga katër solistët në “Opéra Royal de Wallonie” për ta interpretuar ikoniken “Messa da Requiem” të Mozartit në nëntor të vitit të kaluar.
“Pucciniana” është e ndarë në pesë pjesë. Vlerësohet se secila prej tyre ka referenca letrare, kulturore e muzikore për jetën dhe veprat e gjeniut të madh italian.
Autori i kësaj vepre ka thënë se Puccini ishte burim i pashtershëm për punën e tij dhe se me të shpreh mirënjohje e homazh të sinqertë.
“Kompozova ‘Puccinianan’ për të shënuar njëqindvjetorin e vdekjes së kompozitorit të madh, Giacomo Puccini, në vitin 2024. Veprat e tij kanë qenë gjithmonë një burim i pashtershëm frymëzimi për punën time si kompozitor. Me këtë pjesë, doja të angazhohesha me muzikën dhe trashëgiminë e tij artistike dhe të shpreh admirimin e mirënjohjen time me këtë homazh të sinqertë”, citohet kompozitori Andrea Battistoni nga institucioni belg i operës, i cili e ka porositur veprën për të qenë në formën e një dialogu muzikor.

Mjeshtri Giampaolo Bisanti, që ka dirigjuar formacionin në interpretimin e veprës, e ka konsideruar atë si “të artikuluar, komplekse, magjepsëse dhe shumë origjinale”.
Në një intervistë të publikuar nga Opera Mbretërore, ai ka thënë se sopranoja Marigona Qerkezi e tenori Galeano Salas janë muzikantë të shkëlqyer dhe të duhurit pasi, sipas tij, vepra kërkon muzikantë shumë të përgatitur.
“Unë veçse kam punuar me të dy disa herë. Janë dy artistë të mrekullueshëm dhe janë ndër talentët e rinj më të mirë në këndimin operistik në nivel ndërkombëtar. Për këtë rast të veçantë, doja dy këngëtarë që ishin gjithashtu dy muzikantë të shkëlqyer. Për të realizuar një vepër të re duhen muzikantë shumë të përgatitur dhe të vetëdijshëm për strukturat muzikore dhe harmoninë e një pjese. Të dy janë të jashtëzakonshëm nga ana vokale dhe muzikore dhe do të bëjnë një punë të mrekullueshme”, kishte vlerësuar ai kur ishte paralajmëruar premiera.
Në pjesën e dytë të koncertit, Qerkezi ka interpretuar edhe arie nga kryeveprat e repertorit operistik të Puccinit.
“Është kantatë e shoqëruar me kor, orkestër, vepër shumë madhështore”, ka thënë Qerkezi për “Puccinianan” përderisa në pjesën e dytë të mbrëmjes ka interpretuar perla nga operat “Madame Butterfly”, “Toska” e të tjera
Në programin e koncertit kanë qenë ariet “La Tregenda” e një pjesë korale nga opera “Le Villi”, “Un bel dì vedremo” e “Viene la sera… Bimba dagli occhi pieni di malia” nga “Madame Butterfly”. Qerkezi ka interpretuar gjithashtu “Tu che di gel sei cinta” nga opera “Turandot” “Intermezzo” nga “Manon Lescaut” e të tjera.
Me këtë të fundit, Qerkezi do të debutojë me rolin kryesor në shkurt të vitit të ardhshëm në Itali, sikurse edhe me rolin e Toscas në operën me të njëjtin titull të Puccinit në shtatorin e ardhshëm në Danimarkë. E një pjesë të repertorit e zoton mjeshtërisht. Me “La Bohème”, ajo ka bërë turne duke e shfaqur mjeshtërinë e saj në shumë vende. Disa prej fragmenteve rikrijohen në “Pucciniana”.
“Dialogu diskuton me poetin Rodolfo, me citime nga ‘La Bohème’, disa pjesë të rralla për piano, të orkestruara nga Maestro Battistoni, një lëvizje e stilit japonez që ngjall vuajtjet e ‘Madame Butterfly’, fragmente nga një operë e papërfunduar, kushtuar Marie-Antoinette dhe, më në fund, kulmon duke ndërthurur shumë kujtime të disa prej melodive më sublime”, ka shpjeguar “Opéra Royal de Wallonie”.
Edhe një shekull prej vdekjes së Puccinit, skena muzikore festohet me gjenialitetin e tij. Operat në mbarë botën vënë në skenë emocionet, gëzimet e hidhërimet në formën e muzikës klasike. E vepra që e përkujton atë ilustrohet me ngjyrat e mahnitshme të zërit të Qerkezit e mjeshtërisë së vokalit të saj.