Qysh në daljet e para, Urta Haziraj qe veçuar në skenën muzikore. E koncertet solistike janë përherë e më shumë dëshmi për potencialin e saj vokal. Me kapërcime stilesh e teknikash interpretuese, varësisht prej veprave, Urta Haziraj me elegancë ka lidhur epokat. “I mora disa komente pas koncertit që programi u pëlqeu shumë për shkak se nuk është fokusuar vetëm në një epokë të muzikës, por në stile të ndryshme. Këto kanë qenë ideja dhe koncepti”, ka thënë ajo
Dritat e kishës “Shën Ndou” janë zbehur në sallën plot, atëherë kur në skenën e improvizuar u ngjit një vajzë e re në moshë, por me potencë e mjeshtri vokale të dëshmuara tashmë. Nën tingujt e muzikës klasike, me kapërcime stilesh e teknikash interpretuese varësisht prej veprave, Urta Haziraj me elegancë ka lidhur epokat, në koncertin e saj solistik, të enjten mbrëma. Zëri i saj herë i vetëm e herë i shoqëruar me instrumente, qe ai që gati për një orë e futi publikun në magjinë e muzikës. Me të ka komunikuar jo vetëm nëpërmjet veprave dhe i dyanshëm ka qenë shkëmbim i emocioneve.
Për sopranon 22-vjeçare – e veçuar në skenën muzikore qysh në daljet e para përballë publikut – nuk është koncerti i saj i parë solistik, por emocioni e kaploi atë qysh në prapaskenë. E ka kontrolluar atë sapo ka nisur interpretimin. Fakti që ajo qe kryefjala e koncertit dhe arsyeja pse dhjetëra persona u mblodhën ishte e mjaftueshme për ta bërë përgjegjësinë pjesë të saj. Skena dhe veprat bënë që ajo të shfaqej në një tjetër dimension. Sikur ajo në të cilën performoi të ishte ambienti më komod për të, Haziraj skenën e mbushi me nota dhe tinguj.
Herë-herë vinte kontakt me publikun. Pa folur, vetëm me sy, dukej sikur mundohej të kuptonte reagimet për atë që po performonte.
Skena dedikuar sopranos gjatë koncertit qe e mbushur me një kontrast personazhesh. Përderisa koncertet janë tash e sa kohë pjesë e jetës për pianisten Lirika Pula-Kasapolli dhe violinistin Visar Kuçi, për sopranon Urta Haziraj dhe kitaristin Milot Mehmetin, kjo eksperiencë është ende e freskët. Ky dallim nuk bëri që të dalloheshin edhe kualitetet e interpretimit.
Koncerti solistik ka pasur në repertor dhjetë vepra të ndryshme. E nisi me “Der kleine Sandmann bin ich” të Engelbert Humperdinck. Vepra “L’amero, saro costante” e Mozartit në skenë pos zërit të Urtës solli tingullin e violinës së Visar Kuçit, maestros jo vetëm në violinë. “Sonata A Major” e kompozitorit Italian Domenico Scarlatti pati kitarën si shoqërues të zërit. Pjesët pa zë, ia kanë dhënë Mehmetit mundësinë që të dalë në pah me solo të sakta. “I feel pretty” nga Leonard Bernstein erdhi ndryshe nga sopranoja, në vitin e fundit të studimeve në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Rekuizitave minimaliste skenike iu shtua një pasqyrë me të cilën sopranoja kapërthente titullin e këngës, “Ndjehem bukur” dhe kjo ka qenë pjesa ku Haziraj ka shfaqur anën e saj si aktore. “Wishing you were somehow here again” qe vepra e Andrew Lloyd Webber me të cilën u përmbyll koncerti.

Duartrokitjet e gjata që e lanë solisten për disa minuta në skenë ishin dëshmi se publiku e pëlqeu interpretimin tok me programin që ka përzgjedhur.
“I mora disa komente pas koncertit që programi u pëlqeu shumë për shkak se nuk është fokusuar vetëm në një epokë të muzikës, por në stile të ndryshme. Këto kanë qenë ideja dhe koncepti se pse e kam përzgjedhë pikërisht këtë program. Mimikat e publikut tregojnë shumë gjatë performancës. Mundohesha që të fokusohesha edhe te performanca, por edhe t’i shikoj ata. Kështu që po besoj se u pëlqeu i gjithë ky programi”, ka thënë Haziraj pas performancës. Është shprehur e lumtur për të arriturat dhe qe mirënjohëse për bashkëpunimet të cilat i pati. Sipas saj, koncerti e ndihmon shumë në pjekjen profesionale.
“Normalisht emocionet pas koncertit janë totalisht ndryshe, sepse muzikantët pas performancës ndihen pak më lehtë, sepse e kanë liruar një lloj të emocioneve të menjëhershme. Pikërisht ky koncert dhe koncertet solistike për secilin muzikant janë tejet të rëndësishme për karrierën artistike. Kështu që po besoj që ky është edhe njëri ndër synimet”, ka thënë sopranoja.
Një tjetër student që ky koncert e bëri të ndihet krenarë qe edhe Milot Mehmeti në kitarë.
“Në kitarë performoj prej se kam qenë shtatë vjeç dhe normale që është ndjenjë shumë e mirë e sidomos me Urtën për shkak se sonte tregoi se çfarë zëri potent dhe çfarë performance ka. Normalisht jam shumë i lumtur që ndava punën time dhe veprat të cilat i kam ushtruar në këtë koncert”, ka thënë ai.
Këtë që ai e përjetoi me anë të paraqitjes ua uron të gjithë kolegëve të tij studentë.
“Ne për këtë edhe punojmë. Është shumë ndjenjë e mirë që mund ta tregojmë veten në këto koncerte dhe shpresoj që do të ketë edhe më shumë që të ketë mundësi secili student ta tregojë veten dhe punën që e bën”, ka thënë Mehmeti.
Në publik disa ishin aty nga besimi që kishin në potencialin e sopranos, e disa të tjerë nga kureshtja pikërisht për këtë potencial. Nisur nga besimi, aktorja Ilire Vinca e shijoi performancen.
“Është kënaqësi shumë e madhe kur ne si performues dhe që e njohim skenën, e që skena është profesioni ynë, vjen momenti kur ne e gëzojmë fatin t’i shohim të rinjtë, të cilëve ndonjëherë mundohemi t’u japim ndonjë mësim të vogël, teksa shkëlqejnë në skenë dhe teksa e rrumbullakojnë karrierën e tyre mes përvojës, talentit, përgjegjësisë dhe pasionit. Kështu që për mua ishte kënaqësi shumë, shumë e madhe ta shoh Urtën në një koncert dhe në një program kaq të përzgjedhur dhe kaq të bukur, edhe të butë njëkohësisht, që depërtoi dhe erdhi shumë lehtë te ne, si një fllad pranveror”, ka thënë Vinca, profesoreshë universitare.
Koncerti i Urta Hazirajt erdhi në bashkëpunim me organizatën “Artpolis”.