Kulturë

Sopranoja Marigona Qerkezi – Aida në Dubai, Abigeilla në São Paulo

Marigona Qerkezi, në rolin e Aidës, këtë verë në “Savonlinna Opera Festival” në Finlandë

Marigona Qerkezi, në rolin e Aidës, këtë verë në “Savonlinna Opera Festival” në Finlandë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Spanja, Anglia, Italia, Zvicra, Polonia, Belgjika, Franca, Finlanda, duken si destinacione fluturimesh, por janë vendet ku ka aterruar sopranoja e shquar Marigona Qerkezi në stinën që lamë pas. Stacionet e radhës: Dubai dhe São Paulo. Në të dy vendet, debuton. Në Dubai, me rolin e Aidës, në operën me të njëjtin emër hapet sezoni, si Abigeilla në “Nabucco” prezantohet para publikut në Brazil, por ky është vetëm fillimi

Dubai dhe de São Paulo i Brazilit janë vetëm dy prej stacioneve të radhës, ku sopranoja e njohur me nam në botën operistike, Marigona Qerkezi, u jep zë kryeveprave botërore të formës më të madhe të muzikës klasike. 

Me rol tek “Aida” në të parin e “Nabucco” në të dytin, ajo e vulos mjeshtërinë në vokal në skenat ku shkel për herë të parë. Edhe zëri i saj është i së parës shqiptare që jehon aty. Ky është veç njëri fragment i agjendës së sopranos që në karrierën e saj është veshur me petkun e kryepersonazheve të repertorit operistik. 

Me produksione serioze nga institucione kryesore të kësaj forme të muzikës klasike, Qerkezi ka lënë nam në skena të njohura duke mahnitur kritikët e publikun. Dhe nuk e ka ndërmend të ndalet, e sezoni sapo ka nisur. 

Destinacioni i fundit është “Dubai Opera”, ku ajo është kryesorja e kastës së operës “Aida” të italianit Giuseppe Verdi në produksionin e Operës Shtetërore Polake. Me të Opera e Dubait e ka hapur sezonin të premten mbrëma, ndërsa shfaqja tjetër pason të dielën më 15 shtator. Këtë Qerkezi e ka konsideruar nder për të. 

“Gjithë ngjarja sillet rreth rolit kryesor, që është Aida, dhe jam shumë e nderuar që e interpretoj. Është rol që e kam shumë për zemër, nga momenti që e kam debutuar vitin e kaluar është hera e tretë që e sjell. Është një operë magjike, monumentale, ndër më të njohurat në botë, shumë e vështirë, me sfida të mëdha. Është nder që e inauguroj edhe sezonin tim edhe atë të Operës së Dubait”, ka thënë Qerkezi. 

Suksesi tjetër që mbetet shenjë në karrierën e sopranos nga Kosova vjen po këtë muaj. Në fundshtator e fillimtetor në Brazil ajo vesh rolin e Abigeillas në “Nabucco” të Verdit, me të cilin rol këtë verë debutoi në festivalin njëshekullor “Savonlinna Opera Festival” në Finlandë. 

“Këtë rol pata rastin ta debutoja në Finlandë gjatë kësaj vere në sezonin që lamë pas dhe është produksioni i dytë që ia bëj të kësaj opere. Është produksion komplet i ri për mua dhe debutim në teatrin në de São Paulo në Brazil”, ka thënë sopranoja Qerkezi, në një përgjigje për KOHËN, të enjten mbrëma. 

Derisa ka paralajmëruar planet e ardhshme, ka thënë se ky moment i debutimit në Brazil është “ përvojë përmbushëse dhe një satisfaksion shumë i madh profesional, por edhe përgjegjësi në rrugëtimin e  deritanishëm”. 

“Në stinën që sapo e lamë pas ishte një sezon shumë i ngjeshur dhe me performanca në gjithë botën, si në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Spanjë, Angli, Itali, Zvicër, Poloni, Belgjikë, Francë, Finlandë. Një sezon shumë i ngjeshur dhe tani në Dubai, më pas do të jem menjëherë në Brazil e më pas në Gjermani përsëri me ‘Nabuccon’ në Düsseldorf, me një tjetër produksion”, ka thënë ajo. 

Produksion krejt tjetër vjen ai i “Theatro Municipal de São Paulo”, nën regji të brazilianes Christiane Jatahy, që shfaqet premierë më 27 shtator, ndërsa pas saj jepen edhe më 28 e 29 shtator si dhe më datat 1, 2 e 4 tetor. 

“Është hera e parë që punoj me të. Është përvojë jo vetëm operistike por edhe kinematografike, pasi kemi edhe punë të aspektit kinematografik. Është regji ndryshe, e re për mua dhe jam shumë e lumtur që punoj për herë të parë me të. Secili produksion është ndryshe njëri nga tjetri, por në mënyrën e tyre, shumë të bukura dhe sfiduese”, ka thënë Qerkezi. 

Artin e konsideron si ambasadorin më të mirë. E prezantimi i saj e bën sado pak të njohur emrin e vendit në anën tjetër të botës, në Dubain e Brazilin e largët. 

“Me sa kam informata, duke biseduar me personat kyç të këtyre institucioneve, jam e para shqiptare që interpretoj në këto vende. Gjithashtu edhe po dëgjojnë për vendin. Kjo ndodh në një numër shumë të madh të skenave ku performoj. Jam mësuar me atë ndjenjë, edhe pse është ndjenjë e veçantë të jesh e para e këtij vendi që çon zërin atje dhe prezantohesh para një publiku ndërkombëtar”, ka thënë sopranoja Qerkezi nëpërmjet një bisede telefonike. 

Në “Nabucco” ajo do të ndërtojë narrativën për njërin nga dy rolet kryesore, Abigaillen, vajzën e kryepersonazhit Nabucco, mbretit të Babilonisë. Karakteri kompleks i saj vjen nëpërmjet vokalit mahnitës të Qerkezit. 

“Nabucco” konsiderohet si vepra që i ka dhënë reputacion të përhershëm italianit Giuseppe Verdi. Shfaq hebrenjtë në gjendje të vështirë derisa sulmohen, pushtohen e më pas dëbohen nga atdheu i tyre, nga mbreti babilonas. Në shpjegimin për veprën bëhet e ditur se ngjarjet historike në operë përdoren si sfond për një komplot romantik dhe politik.

Prej debutimit të saj në skenën operistike në “Royal Opera House Muscat” në Oman me rolin e Leonores nga opera “Il Trovatore” të Verdit, në nëntor të 2020-s, repertori i saj është pasuruar me emrat e institucioneve kryesore ndërkombëtare. Ajo ka interpretuar në operën “Lucia di Lammermoor” në “Teatro Lirico” dhe në “Teatro Petruzzelli” në Itali, ku më pas u kthye për të interpretuar si “Adina” në “L’Elisir d'amore”, “Madama Cortese” në “Il viaggio a Reims”.

Repertori i saj përfshin edhe rolin e Gildas nga “Rigoletto” në “Teatro Lirico” e Donna Anna nga opera “Don Giovanni” në Tokio dhe shumë role të tjera. Aktualisht po përgatit rolin e Normas për operën “Norma” të italianit Vincenzo Bellini, të cilin do ta interpretojë në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe atë të Mimit nga opera “La Boheme” të Puccinit.

Për sukseset e Qerkezit vitin e kaluar dëshmoi revista “OperaWire”, e cila e renditi emrin e saj në mesin e top-dhjetë yjeve në ngritje për vitin 2023. Dëshmi për profesionalizëm në skenë ka qenë edhe nominimi për Këngëtaren më të Mirë të Re nga “The International Opera Awards” në muajin tetor.