Kulturë

Sopranoja Elbenita Kajtazi si Micaela e “Carmen” në “Opera Comique”

Ka mbi dhjetë ditë prej kur sopranoja Elbenita Kajtazi ka filluar provat për rolin e Micaelas në operën “Carmen”, e cila do të jepet në “Opera Comique” në Paris

Opera “Carmen” e Georges Bizet ishte dhënë premierë në vitin 1875 në “Opera Comique” në Paris. Pas gati një shekulli e gjysmë, po në këtë operë dhe në këtë institucion rolin e Micaelas do ta interpretojë sopranoja Elbenita Kajtazi. Ka mbi dhjetë ditë prej kur Kajtazi ka filluar provat për këtë shfaqje, e cila ka një peshë të madhe për karrierën e saj. “Këtë rol në fakt e kam debutuar në shtator të vitit të kaluar në Hamburg. Kujtimet janë të mrekullueshme, sepse ka qenë një debutim shumë i rëndësishëm dhe shumë i suksesshëm”, ka thënë sopranoja Kajtazi

Ka vite që sopranoja Elbenita Kajtazi ka agjendë të ngjeshur nëpër sallat më të famshme operistike. Me një karrierë e cila përherë është në ngritje, Kajtazi ka performuar disa nga rolet më të rëndësishme të botës operistike, përfshirë Manon në operën me të njëjtin titull të Jules Massenet, atë të Nannettas në “Falstaff” të Verdit e shumë të tjera. Destinacioni i radhës për këtë artiste me nam ndërkombëtar do të jetë Parisi, ku në “Opéra Comique” do të debutojë me rolin e Micaelas në operën “Carmen” të Georges Bizet.

“Opéra Comique”, themeluar qysh në vitin 1714, së bashku me “Opera de Paris” dhe “Comédie-Française”, janë ndër institucionet më të vjetra dramatike dhe muzikore franceze. Në “Opéra Comique” janë shfaqur për herë të parë disa nga operat më të njohura botërore. E “Carmen” nga Georges Bizet ishte dhënë premierë në vitin 1875. Pas gati një shekulli e gjysmë, po në këtë operë rolin e Micaelas do ta interpretojë sopranoja Elbenita Kajtazi.

Ka mbi dhjetë ditë prej kur Kajtazi ka filluar provat për këtë shfaqje, e cila ka një peshë të madhe për karrierën e saj. Për të luajtur në këtë rol ajo ishte kontaktuar nga drejtori kryesor i Operës së Zürichit, Andrea Homoki, i cili, pasi e kishte parë të performonte në Zürich, nuk kishte lejuar kurrsesi ta humbte një mundësi bashkëpunimi me të.

“Provat janë duke shkuar jashtëzakonisht mirë. Jam shumë, po shumë e lumtur që do të jem pjesë e këtij produksioni të ri që përmban emra jashtëzakonisht të rëndësishëm të botës operistike. Regjisor i këtij produksioni është Andrea Homoki, i cili njëkohësisht është edhe drejtori kryesor i ‘Operës së Zürichit’. Pas paraqitjes sime që pata atje në rolin e Konteshës nga opera ‘Dasma e Figaros’ atij i kam lënë përshtypje shumë të mira”, ka treguar Kajtazi. Ka bërë të ditur se pas debutimit në rolin e Mikaeles në Hamburg dhe kritikave të mrekullueshme që kishte marrë, kishin ndikuar te regjisori. Në këtë produksion dirigjent do të jetë Louis Langrée.

Kjo nuk është hera e parë që Elbenita Kajtazi e interpreton këtë rol. Në rolin e Micaelas ajo kishte debutuar edhe në Hamburg gjatë vitit të kaluar, performancë të cilën kritika e kishte vlerësuar lart. Por ndryshe nga Hamburgu, performanca në Paris ka një kast dhe produksion krejt ri, dhe fakti se do të këndojë frëngjisht në kryeqytetin frëng e bën atë edhe më emocionues.

“Këtë rol në fakt e kam debutuar në shtator të vitit të kaluar në Hamburg. Kujtimet janë të mrekullueshëm, sepse ka qenë një debutim shumë i rëndësishëm dhe shumë i suksesshëm. Në atë debutim kritikët më kanë krahasuar me këngëtarë shumë të mëdhenj të botës operistike dhe ndihem shumë me fat që do të kem mundësinë ta interpretoj përsëri”, ka thënë ajo. Ka uruar që edhe francezëve t’u lërë përshtypje të mira po aq sa u ka lënë gjermanëve. Ka thënë se fakti që do të këndojë në frëngjisht është pak stresues.

“Por jam duke punuar jashtëzakonisht shumë dhe po duket sikur tani që do ta performoj për herë të dytë, sikur po zbuloj gjëra të reja te ky rol i mrekullueshëm i Micaeles. Jam shumë e inspiruar për ta bërë një punë të mirë. Kemi pasur gjithsej tetë shfaqje, ka qenë një produksion i ri dhe tash është produksioni i dytë i ri”, ka thënë Kajtazi.

Image
“Jam duke punuar jashtëzakonisht shumë dhe po duket sikur tani që do ta performoj për herë të dytë, sikur po zbuloj gjëra të reja te ky rol i mrekullueshëm i Micaelas”, ka thënë Kajtazi në pauzat midis provave në “Opera Comique”

Opera “Carmen” përbëhet nga katër akte dhe është kompozuar nga francezi Georges Bizet. Libreti u shkrua nga Henri Meilhac dhe Ludovic Halévy, të cilët u bazuan në novelën me të njëjtin titull të Prosper Mérimée. Ajo tregon historinë e një ushtari naiv, Don José, i cili joshet nga dredhitë e ciganes Carmen. Për të fituar vëmendjen e saj José braktis të dashurën e tij të fëmijërisë dhe karrierën ushtarake. Carmen është një grua e fortë, gjaknxehtë, e cila merret edhe me kontrabandë. Ndërkaq Micaela është portretizim i një vajze naive e cila është e dashuruar në Josén. Vepra flet për imoralitetin, për gjëra të paligjshme, ndërsa vdekja e personazhit kryesor në skenë hapi terren të ri për operën franceze. Publiku dhe kritika franceze nuk e pëlqyen këtë dhe si pasojë, për një kohë, vepra nuk u shfaq në Francë. Famën e mori jashtë territorit të vendit ku lindi, ndërkaq sot, nisur nga të dhënat e publikuara online vetëm në “Opéra Comique”, “Carmen” është shfaqur mbi 2 mije e 500 herë.

“Është një emocion i papërshkrueshëm, sepse po në këtë shtëpi operistike për herë të parë është interpretuar opera ‘Carmen’ dhe atëherë ka qenë një skandal dhe publiku nuk e ka pranuar, nuk e kanë dashur dhe tani të kthehesh pas sa e sa kohe, ta interpretosh prapë në këtë shtëpi operistike, në një produksion të ri, me një regjisor të mrekullueshëm, është me të vërtetë emocion i papërshkrueshëm”, ka thënë Kajtazi. Ka treguar se në këtë shtëpi operistike gjithashtu për herë të parë është interpretuar edhe opera “Manoni”. “Mund të them se prej se kam ardhur jam sikur në një energji të jashtëzakonshme. Sa herë futem në atë objekt mendoj se sa opera janë interpretuar për herë të parë aty”, ka thënë Kajtazi. Shfaqja do të transmetohet në kanalin televiziv “Arte”.

Premiera e operës “Carmen” do të jetë më 24 prill, për të vazhduar pastaj në datat 26, 28, 30 si dhe 2 dhe 4 maj. Por kalendari i Elbenita Kajtazit ka edhe më. Ajo do të vazhdojë të qëndrojë edhe më tutje në Francë, ku më 9 maj do ta luajë Zhulietën nga opera e famshme “Romeo dhe Zhulieta”.

“Më pas do të kem debutimin e radhës në qytetin Rouen në Normandi, jo shumë larg Parisit. Një tjetër shtëpi operistike me një histori të mrekullueshme dhe e jashtëzakonshme. Aty do të interpretoj rolin e Zhulietës nga opera ‘Romeo dhe Zhulieta’ e kompozuar nga Charles Gounod. Pra, prapë një shtëpi operistike në Francë, me një kompozitor francez, me një vepër prapë franceze”, ka treguar Kajtazi. Ajo ka thënë të ndihet shumë me fat, sepse ka tash e tre muaj që është në Francë.

“Më herët isha në Lyon, ku interpretova rolin e Suzanes nga opera ‘Le nozze di figaro’. Kemi pasur gjithsej tetë shfaqje, por për shkak të grevës që francezët po mbajnë kemi realizuar vetëm dy, por kanë qenë shumë të suksesshme dhe kritika edhe aty më ka vlerësuar shumë mirë”, ka bërë të ditur Kajtazi.

Sezoni i ardhshëm Kajtazin do ta gjejë duke performuar si Tatiana në operën “Eugen Onegin” në “Staatsoper” të Hamburgut, ku për herë të parë do të interpretojë në rusisht.

“Sezoni i ardhshëm do të më gjej për një kohë në Dresden, ku do të jem në rolin e Lius dhe do të jetë një produksion i ri i operës ‘Turandot’. Do të jem atje për dy muaj. Pastaj do të kthehem në Hamburg. Do të kem një debutim tjetër në rolin e ‘Tatianës’ nga opera ‘Eugene Onegin’ e Tchaikovskyt, ku për herë të parë do të interpretoj në gjuhën ruse”, ka treguar ajo dhe ka bërë të ditur se është shumë e emocionuar e nganjëherë edhe e frikësuar.

“Kam shumë, shumë punë përpara. Do të kthehem gjithashtu në Operën e Zurichit, prapë me rolin e Lius dhe mezi po pres. Shumë, shumë punë, por e bëj me kënaqësi. Jo shumë njerëz kanë fatin të bëjnë atë që duan, kështu që unë ndihem shumë me fat”, ka përfunduar sopranoja nga Kosova, e cila ka vite që po bën karrierë të suksesshme ndërkombëtare.