Kulturë

Sopranoja Elbenita Kajtazi me rolin e Mimit drejt rrugëtimit lirik

Një ëndërr tani i është plotësuar e do të jetësohet vitin që vjen. Elbenita Kajtazi do të luajë rolin e Mimit në “La bohème” në produksionin e “Semperoper Dresden”. “Mimi ka qenë gjithmonë një ëndërr e madhe për mua”, ka thënë për KOHËN sopranoja e njohur. “Për mua karakteristik është fakti se po futem në një rrugëtim më lirik, soprano lirike, pasi që deri tani kam kënduar si soprano leggero ose ‘baby lyric’, kurse tash po i futem një repertori më lirik”

Lista e personazheve në repertorin e saj është e gjatë. Aty janë Pamina në “Flautin magjik”, Gretel në “Hansel and Gretel”, Musetta në “La bohème”, Liù në “Turandot”, Violetta në “La Traviata” e Adele në “Die Bat” e shumë të tjera.

Megjithatë, deri tani ka munguar Mimi në “La Bohème”, rol të cilin sopranoja Elbenita Kajtazi e ëndërronte që kur studionte për muzikë në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Tani kur ka pushtuar skenat më prestigjioze të muzikës klasike në botë, rrugëtimi i saj po shkon duke u transformuar çdo herë drejt roleve më sfiduese. E Mimi do të jetësohet vitin që vjen. Kajtazi do ta luajë këtë rol në operën produksion i “Semperoper Dresden”.

Shtëpia operistike e Saksonisë tashmë ka bërë publike repertorin për sezonin 2021-2022. Kajtazi do të këndojë Paminën më 11 dhe 21 shkurt e do të debutojë si Mimi më 3 qershor, pasuar nga një shfaqje e dytë më 25 qershor të 2022-s.

Kajtazi ka thënë se Puccini është një kompozitor i mrekullueshëm e që ka kompozuar role të shkëlqyera veçanërisht për soprano.

“Mimi ka qenë gjithmonë një ëndërr e madhe për mua. Madje që kur kam filluar studimet në Prishtinë, sepse atëherë kam kënduar dy ariet e Mimit: ‘Donde lieta usci’ dhe ‘Si. Mi chiamano Mimi’”, ka thënë ajo. Ka shtuar se që atëherë i kishin lënë përshtypje edhe rrëfimi dhe dashuria e madhe e dy personazheve. “Gjithmonë kam qenë kureshtare që të futem në petkun e Mimit dhe të këndoj një rol kaq të bukur të Puccinit”, ka treguar sopranoja 30-vjeçare. Por nuk përfundojnë këtu veçantitë e këtij roli.

“Për mua karakteristik është fakti se po futem në një rrugëtim më lirik, soprano lirike pasi që deri tani kam kënduar si soprano leggero ose ‘baby lyric’, kurse tash po i futem një repertori më lirik. Pastaj edhe linjat e bukura muzikore të Mimit që i ka shkruar Puccini janë sfiduese për shkak se orkestra është e madhe në numër dhe duhet të kesh një teknikë jashtëzakonisht të formuar që të jesh në gjendje që zëri të depërtojë përtej orkestrës”, ka thënë ajo

“Semperoper Dresden” zë vend në “Theaterplatz” afër lumit Elba, në qendrën historike të Dresdenit, në Gjermani. Monumenti i ndërtuar në vitin 1841 ka një histori të gjatë premierash, përfshirë kompozime nga Richard Wagneri dhe Richard Strauss.

“La bohème”, opera e Giacomo Puccinit është kompozuar në mes të viteve 1893-1895 bazuar në “Scenes of Bohemian Life” të shkrimtarit francez Henri Murger. Një nga operat më të dashura të kompozitorit italian që sjell gjallërinë e jetës boheme.

Shtjellon rrëfimin e Rodolfos, poet i varfër që takon rrobaqepësen Mimi dhe bie në dashuri me të. Lumturia e tyre zbehet kur Rodolfo mëson se Mimi është e sëmurë rëndë. Ai e di se nuk mund t’i përballojë ilaçet e as t’ia ofrojë kujdesin që i duhen Mimit, prandaj ndahet prej saj. Megjithatë, ribashkohen.

Interpretimi i rolit është goxha emocionues, pasi në versionin që do ta portretizojë Kajtazi, ajo vdes në fund. Pavarësisht kujdesit të Rodolfos dhe miqve të tij, Mimi nuk i bën ballë sëmundjes. Kështu kasta sjell një interpretim plot pasion, por edhe pjesë që thyejnë zemrën.

“Jam shumë e emocionuar dhe pres me padurim që të këndoj. Madje kam biseduar edhe me Ermonelën (v.j. sopranon Ermonela Jaho) që ta pyes sesi të menaxhoj emocionet në fund kur Mimi vdes edhe kur në njëfarë mënyre shpirti i saj ngjitet në qiell, në një mënyrë shumë graduale, pasi që Puccini e ka kompozuar aq bukur. Pra, do të jetë pak sfidues për shkak të anës emocionale por jo aq edhe asaj muzikore”, ka thënë Kajtazi.

E përderisa për Mimin tani do t’i duhet që t’ia nisë nga e para e të mësojë gjithçka, rolin e Paminës veçse e ka memorizuar.

“Nuk e kam problem që ta performoj edhe po u zgjova në tre të mëngjesit”, ka thënë sopranoja si argument bindës për përvetësimin që ia ka bërë këtij roli. Vetëm në “Semperoper Dresden” është paraqitur gjashtë herë me këtë rol, me të cilin ka debutuar në vitin 2015 në Berlin me “Deutsche Oper Berlin”.

“Pamina është një nga rolet e para me të cilat kam debutuar. Një rol më i lehtë, nuk e ka këtë dramaticitetin e madh që e ka Mimi”, ka thënë ajo gjersa ka shtuar se Mozarti, kompozitori i saj i preferuar, ka ditur shumë mirë që të kompozojë vepra për zë dhe e ka përshtatur orkestrën në mënyrë të mrekullueshme. “Kur këndon personazhi, orkestra gjithmonë është në përcjellje të mrekullueshme sidomos të aries ‘Ach, ich fühl's’, përcjellja është gjithmonë si rrahje zemre”, ka thënë Kajtazi.

“Fyelli magjik” nga Mozarti u dha premierë në shtatorin e vitit 1791 dhe konsiderohet një nga operat më të mira të të gjitha kohëve. Tamino, një princ i humbur në një tokë të huaj ndiqet nga disa përbindësha. Shpëtohet nga tri gra misterioze të cilat i tregojnë për princeshën Pamina, e cila është zënë rob nga i ligu Sarastro. Tamino betohet se do ta shpëtojë princeshën.

Në vitin 2018, për këtë rol në “Staatsoper Hamburg” Kajtazi ishte vlerësuar lart.

“Që Elbenita Kajtazi (Pamina) tashmë është shpërblyer me çmime të shumta, duket logjike vetëm pak minuta pasi ta dëgjoni. Tingulli gamë i sopranos është verbues dhe i elektrizuar, i ngrohtë e miklues, i fuqishëm dhe prekës. E njëjta gjë është me aktrimin e saj intens. Tamino gëzueshëm tenton t’i bjerë në sy duke u munduar të kapë vëmendjen e saj, më vonë ajo është e dëshpëruar pasi që ai e injoron. Njashtu edhe dedikimi i saj në fund, i cili është edhe më i rëndësishëm për dashurinë e saj sesa për jetën”, kishte shkruar prestigjiozja “Das Opernmagazin”.

Kajtazi, e lindur në Mitrovicë, në qershor të këtij viti e dërgoi për herë të parë Kosovën në një nga ngjarjet më të njohura të muzikës operistike. Ishte në garë në edicionin e 20-të të “BBC Cardiff Singer of the World”. Ani pse nuk fitoi, nëpërmjet repertorit e dërgoi edhe muzikën shqiptare. Këndoi “Agimet shqiptare” të kompozitorit shqiptar Avni Mula. Gjithashtu paraqitja e saj u vlerësua lart nga interpretues të njohur që përcollën këtë ngjarje.

Image

Por para Mimit, sopranoja Elbenita Kajtazi do të rikthehet edhe në rolin e Paminës, me të cilin është ngjitur në skena të ndryshme