Kulturë

Solidarizimi – arma shtesë e luftës në Ukrainë

Ka qenë dokumentari “Shtëpia e ndërtuar nga copëzat”, i cili ka zhvendosur në Prishtinë rrëfimin për fatin e fëmijëve që përballen edhe me pasojat e luftës, por shfaqjes së tij në “Kino Armata” i kanë paraprirë fjalimet, të cilat emërues të përbashkët kanë pasur solidarizimin. “Ky solidaritet dhe kjo përkrahje do ta ndihmojnë Ukrainën të fitojë”, ka thënë gazetarja ukrainase Lyudmila Makey, së cilës Kosova ia hapi dyert

Solidarizimi ka qenë kryefjalë e shënimit të njëvjetorit të fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia dhe projektori i “Kino Armatës” është ndezur për “Shtëpinë e ndërtuar nga copëzat”, dokumentar ukrainas pretendues për “Oscar”, i cili përbiron tek fati i fëmijëve në luftë, por në tërësi është thirrje për paqe e për të bashkëndier me krejt popullin e Ukrainës. Jo vetëm dokumentari ka bërë bashkë ambasadorë, ministra, deputetë, ukrainas të strehuar në Kosovë dhe qytetarë të shumtë. Ka pasur emërues të përbashkët në fjalimet e tyre, në ngjarjen e organizuar të premten mbrëma nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Ambasada e Gjermanisë. Kosova dhe populli i saj janë falënderuar për faktin se qysh nga fillimi ka shprehur përkrahjen ndaj popullit ukrainas dhe ka hapur dyert edhe për refugjatë.

“Slava Ukraini!” si thirrje e përbashkët

“Faleminderit të gjithëve që na jeni bashkuar në këtë ngjarje, për të shprehur solidaritetin tonë për Ukrainën dhe luftën e tmerrshme, e cila ka filluar tashmë një vit më parë. Në deshëm që të reflektojmë rreth saj, të shprehim solidaritetin tonë dhe për këtë jemi të gjithë këtu. Jam shumë i lumtur që salla është plot, sepse kjo është shenja për të cilën kemi nevojë tani”, është shprehur shkurt në fjalimin e tij hyrës Sebastian Leuschner, shef i Departamentit të Kulturës në Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, ka thënë se populli ukrainas nuk është duke luftuar vetëm për vete, por për të gjithë.

“Kjo është ngjarja e tretë që po marr pjesë sot në kuadër të solidarizimit në njëvjetorin e fillimit të luftës së Ukrainës, e cila na shokoi të gjithëve. Mund të them se jam vërtet i prekur nga i tërë ky solidaritet jo vetëm këtu, por edhe në tërë botën. Imperializmi për të cilin menduam se ishte varrosur me Luftën e Dytë Botërore është kthyer prapë në Evropë. Mendoj se është e rëndësishme ta kuptojmë se ukrainasit nuk janë duke luftuar vetëm për vendin e tyre, por edhe për të gjithë ne dhe kjo është arsyeja përse jemi mbledhur këtu”, ka thënë Rohde.

Ka potencuar se përveç njëvjetorit të fillimit të luftës, është bërë një vit prej kur shtete të ndryshme të BE-së e më gjerë kanë shprehur solidarizimin e tyre me popullin ukrainas.

“Plani i Rusisë për ta pushtuar vendin për vetëm disa ditë ka dështuar, megjithëse ende nuk ka një fund të kësaj lufte të tmerrshme. Për çdo ditë ukrainasit japin jetën për të mbrojtur vendin e tyre dhe lirinë tonë. Kjo me të vërtetë meriton respektin tonë më të madh dhe nderimin e thellë. Po shënojmë njëvjetorin e agresionit rus mbi Ukrainën dhe njerëzit e saj. Por, çfarë e mbush zemrën time me gëzim dhe i jep vetëbesim është se së bashku me të mbushim një vit edhe të solidarizimit të pandalshëm për Ukrainën, si strehimi i mijëra ukrainasve nëpër vendet tona si në Kosovë, Gjermani, Amerikë apo vende të BE-së, përkrahjen ushtarake e të tjera”, ka thënë Rohde, i cili fjalimin e tij e mbylli me thirrjen tashmë të njohur: “Slava Ukraini!” (Lavdi Ukrainës!)

Tek ka folur për ndihmën që BE-ja i ka dhënë deri më sot Ukrainës, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog, ka theksuar se ajo nuk do të ndalet.

“Bashkimi Evropian ka vazhduar ta ndihmojë Ukrainën në mbrojtjen e saj që nga dita e parë dhe ne do të vazhdojmë ta ndihmojmë atë në aspektin humanitar, ushtarak dhe ekonomik, e cila deri më tani ka arritur në 67 miliardë euro. Më shumë se 12 miliardë për ndihma ushtarake, 17 miliardë në ndihma humanitare dhe 38 në ndihma sociale”, ka thënë ai.

Ka folur edhe për tendencat e Putinit për denziformim dhe ka theksuar se BE-ja nuk është kundër popullit rus, por kundër përpjekjeve të shtetit rus për pushtimin e Ukrainës.

“Në thelb Bashkimi Evropian dhe partnerët e tij kanë marrë masa jo kundër popullit rus, por kundër politikave ruse për pushtimin e Ukrainës. Pavarësisht tendencave të Rusisë për denzinformim dhe për të na fajësuar neve për krizën energjetike dhe atë të ushqimit, unë dua të jem i qartë se është Rusia ajo e cila po mundohet t’i përdorë rezervat energjetike dhe furnizimet me ushqim si armë për t’i luftuar posaçërisht ata që janë më të dobët”, ka thënë ai.

Image
Në ngjarjen e organizuar të premten mbrëma nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Ambasada e Gjermanisë. Kosova dhe populli i saj janë falënderuar për faktin se qysh nga fillimi kanë shprehur përkrahjen ndaj popullit ukrainas

Ukraina – realiteti i së kaluarës në Kosovë

Duke iu referuar luftës së fundit në Kosovë, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, ka thënë se populli i Kosovës është ai që e kupton më së miri atë ukrainas.

“Teksa po bëhet një vit nga fillimi i luftës në Ukrainë, ne qëndrojmë këtu për të shprehur solidaritetin tonë me njerëzit e Ukrainës dhe ju premtojmë përkrahjen tonë të plotë në luftën e saj për liri. Siç mund edhe ta imagjinoni, njerëzit e Kosovës janë shumë të prekur nga lufta në Ukrainë. Fotografitë e qyteteve të shkatërruara, tregimet për humbjen e më të dashurve janë në njëfarë mënyre edhe realiteti i së kaluarës sonë”, ka thënë Gashi në ngjarjen ku kanë marrë pjesë edhe ministra të tjerë të Qeverisë së Kosovës, si ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ajo e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe ministri i Punëve Brendshme, Xhelal Sveçla.

Gashi ka përmendur edhe nevojën e gjykimit të krimeve të luftës në Ukrainë.

“Fakti se ne e kemi përjetuar vetë okupimin, dhunën dhe luftën e përgjakshme në rrugën drejt pavarësisë kundër regjimit të Millosheviqit, askush nuk mund t’i kuptojë më mirë ukrainasit dhe vuajtjet që sjell me vete lufta sesa njerëzit e Kosovës. Vuajtjet dhe ankthi që u shkaktohen njerëzve të pafajshëm që jetojnë në Ukrainë krijojnë nevojën urgjente për të sjellë përpara drejtësisë dhe përgjegjësisë ata që fshehën krimet kundër njerëzimit”, ka përfunduar Gashi.

“Shtëpia e ndërtuar nga copëzat” me fëmijët në luftë

Ka qenë shfaqja e dokumentarit “Shtëpia e ndërtuar nga copëzat”, i cili pas fjalimeve ka sjellë një grimë prej realitetit të trishtë të popullit ukrainas. Personazhe janë fëmijët, fatet e tyre. Teksa ka kërkuar një minutë heshtje për të gjitha viktimat e luftës në Ukrainë, gazetarja Lyudmila Makey, e cila është strehuar në Kosovë, ka thënë se filmi shfaq diçka përtej vuajtjeve të fëmijëve.

“Ky është film për fëmijët të cilët vuajnë në këto kohë të vështira të luftës në Ukrainë. Por është një film edhe rreth dashurisë, respektit dhe mëshirës. Jam mirënjohëse që sot ukrainasit kanë kaq shumë përkrahje nga bota. Unë besoj se ky solidaritet dhe kjo përkrahje do ta ndihmojnë Ukrainën të fitojë”, është shprehur ajo.

Në një orë e njëzet e shtatë minuta, dokumentari “A house made of splinters” ndan diçka nga jeta e fëmijëve të braktisur nga prindërit e alkoolizuar, të dhunshëm dhe jeta e varfër. Filmi kap një jetimore në Luhansk, qytetet në pjesën Lindore të Ukrainës, aty ku lufta ka nisur edhe para 24 shkurtit të vitit 2022. Ndonëse historitë e tre fëmijëve – Kolya, Eva dhe Sasha – lidhen me prindërit e alkoolizuar, në skenën e parë të filmit udhëheqësja e kësaj jetimoreje tregon se si pas shpërthimit të luftës numri i fëmijëve sa vjen e rritet.

Eva e vogël, e cila nuk mund të jetë më shumë se dhjetë vjeçe, provon më kot të thërrasë nënën e saj. Askush nuk e hap telefonin. Dokumentari sikur e dëshmon për të satën herë se fëmijët që vuajnë rriten para kohe. Ndonëse ende fëmijë i cili ka nevojë për pakujdesjen e prindërve, Eva thërret gjyshen e saj së cilës i kërkon të shkojë e ta kontrollojë të ëmën, për të cilën ajo është e sigurt që është duke pirë.

Teksa kalojnë minutat, publiku arrin të shohë se si këta fëmijë përballen me gjëra që rëndom nuk do të duhej. Një ditë teksa Eva bisedon me të ëmën, ajo i tregon se është duke u shoqëruar me një djalë shumë më të ri në moshë. Skena tjetër kap një djalosh të vogël i cili, sikur të jetë një përrallë e frikshme, ua tregon shokëve jetën e tij. Babanë që pinte, e rrihte e pastaj therte të ëmën, imitimin e reagimit të së ëmës teksa ngufatej, kthimin e babait, kërkimfaljen e tij dhe dehjen e tij po atë natë. Vajza tjetër Sasha, nja 8 vjeçe, ishte harruar për një jave e kyçur në shtëpi dhe kjo nuk kishte qenë hera e parë. Kamera ndjek jetën e saj në jetimore: lojën me kukulla, britmat dhe sharjet që ajo i bën si të ishte e madhe, lutjet për t’u bërë shoqe e ngushtë e një vajze tjetër në jetimore, rrahjen e tyre në korridor teksa kapen për flokësh e zvarritin njëra-tjetrën, pajtimin e tyre, pohimin se të dyja kanë provuar alkoolin e deri në largimin e saj nga jetimorja te një familje adaptuese.

Dokumentari, i cili këtë vit është i nominuar edhe për një “Oscar” në kategorinë për dokumentarin më të mirë, arrin të bëjë për vete publikun me thjeshtësinë e tij. Gjatë filmit publiku mund të dëgjojë fëmijë që shahen apo rrihen mes vete, fëmijë që pinë fshehurazi cigare, që janë të vetëdijshëm që prindërit e tyre nuk do të interesohen kurrë për ta e gjëra të ngjashme. Është çiltërsia në mënyrën se si ata rrëfejnë historinë e tyre, ajo që publikun e merr me vete tek e fut në vuajtjen e tyre

“A house made of splinters” nën regji të danezit, Simon Lereng Wilmont, mori dy vjet kohë, ndërsa premiera u dha në Festivalin e Filmit Sundance, më 26 janar të vitit 2022. Në këtë festival ai rrëmbeu edhe Çmimin për regjisorin më të mirë në kategorinë e filmave dokumentarë ndërkombëtarë. Duke qenë bashkëprodhim ndërkombëtar midis Danimarkës, Ukrainës, Suedisë dhe Finlandës, ai ka fituar edhe Çmimin e dokumentarit më të mirë nordik në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Göteborg, Çmimin e jurisë “One World Film Festival” të Çekisë e të tjerë.