Kulturë

“Solfegjo fillestare” për hyrje në botën e muzikës

Puna shumëvjeçare në mungesë të literaturës në shqip u bë pikënisja që dy mësueset e muzikës, Violeta Krasniqi e Kristina Perkola, t’i rrekeshin punës në hartimin e librit për lëndën e solfegjos. “Solfegjo për fillestarë” tashmë është në duart e nxënësve dhe në përurim, të premten, në shkollën e muzikës “Prenk Jakova”, është cilësuar si libër i shumëpritur dhe i domosdoshëm, i cili plotëson boshllëkun e kahershëm në literaturën e pedagogjisë muzikore në shqip

“Solfegjo fillestare”, është titulli i librit të autoreve Violeta Krasniqi dhe Kristina Perkola, i cili merr peshë jo vetëm për përmbajtjen e misionin që ka, por edhe si libri i parë i këtij lloji në shqip. Vjen me gjuhë thjeshtë e atraktivitet nëpërmjet ngjyrave. U dedikohet atyre që janë në fillet e rrugëtimit muzikor.

Puna shumëvjeçare në mungesë të literaturës në shqip u bë pika kryesore që shtyu dy mësueset e muzikës të botonin këtë libër, i përuruar të premten në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, ku japin mësim të dyja autoret. Në kopertinën me plot kolorit, “personazh” është nxënësi. Vazhdon me nota të pafundme dhe të gërshetuara me ilustrime të ndryshme, pak për argëtim e pak për ndihmesë në mësimnxënie.

Ky libër pati një komunikim me nxënësit që në “takimin” e parë. Ka nxitur kureshtjen e atyre që u dedikohet. Madje zërat e tyre interpretuan edhe disa vepra që përmban ai. Ende pa nisur diskutimi nga panelistet, ata kurorëzuan suksesin e përfundimit të tij me anë të kësaj performance, që ani pse nuk zgjati shumë dha goxha për të pranishmit.

Image
Libri pati një komunikim me nxënësit që në “takimin” e parë. Ka nxitur kureshtjen e atyre që u dedikohet

Me përmbajtje të elementeve të para të solfegjos për të kaluar te ushtrimet melodike dhe ato ritmike, libri është çmuar i domosdoshëm dhe i munguar në fushën e pedagogjisë muzikore.

“Ideja për krijimin e një libri të tillë është shumë moti për mua, sepse kam bërë një përvojë shumë të gjatë në mësimdhënien e solfegjos dhe unë vetë kam pasur probleme dhe shqetësime në mungesë të literaturës. Ka disa vjet që me Kristinën kemi filluar në mbledhjen e materialeve, krijimin e ushtrimeve. Natyrisht me një punë sistematike dhe serioze arritëm që më në fund ta botojmë librin”, ka thënë Violeta Krasniqi, njëra nga autoret e librit.

“Solfegjo fillestare” është vetëm një nga shumë të tillë që nevojiten në edukimin muzikor.

Autoret bashkë me pedagogen Besa Luzha dhe kompozitoren Dafina Zeqiri-Nushi në përurim kanë folur pikërisht për mungesën e literaturës.

“Do t’i inkurajoja të gjithë kolegët që të punojnë në këtë drejtim, sepse kemi shumë për të bërë. Për të gjitha nivelet e shkollimit na duhen shumë libra, por nëse fillojmë të punojmë sigurisht që do të kemi edhe rezultate”, ka thënë Krasniqi duke bërë thirrje për punë në aspektin e hartimit të librave. Ka premtuar se ky nuk do të jetë libri i fundit që do t’u shërbejë atyre që i hyjnë studimit të muzikës.

“Solfegjo fillestare” është menduar në atë mënyrë që talentet që mësojnë solfegjo të gjejnë kënaqësi në të me qëllim që mësimi të bëhet më i thjeshtë për ta. Kjo synohet të arrihet nëpërmjet përmbajtjes së librit të cilit i janë bashkangjitur shumë ilustrime, që pos mësimeve përçojnë edhe ngjyra.

“Duke u bazuar në faktin që libri u dedikohet moshave të reja, respektivisht moshave gjashtë, shtatë, tetëvjeçare, atëherë edhe libri përkon me këto grupmosha dhe përkon me metodiken e mësimdhënies së solfegjos, që nënkupton zhvillimin e aftësive muzikore, zhvillimin e veshit muzikor, ndjenjës melodike dhe ritmike, duke e konceptuar librin në një formë të tillë që gradualiteti të jetë në fokus dhe po ashtu marrja e informacioneve të reja të shkojë prej atyre të njohurave tek ato të panjohurat, prej atyre më të thjeshtave deri tek ato më të ndërlikuarat. Kështu që synimi kryesor i këtij libri është zhvillimi i aftësive muzikore tek fëmijët që dëshirojnë të mësojnë profesionalisht muzikën”, ka thënë autorja tjetër e librit, Kristina Perkola.

Besa Luzha dhe Dafina Zeqiri-Nushi, në cilësinë e recensentëve të librit, e kanë cilësuar atë si një vepër të rëndësisë së veçantë për nxënësit.

“Ne nuk kemi literaturë në gjuhën shqipe. Natyrisht nxënësit kanë punuar me libra në gjuhë të tjera. Është shumë mirë që një fëmijë i klasës së parë, kur vjen në shkollën e muzikës, ta ketë një tekst ku janë ushtrimet e solfegjos muzikore me nota, por ku i ka edhe shpjegimet e duhura, ushtrimet, detyrat, këngët e ndryshme që janë në gjuhën shqipe. Janë shumëngjyrëshe. Ato e afrojnë nxënësin, e bëjnë interesante lëndën e solfegjos, që është pak e vështirë për fillestarët, se ka të bëjë me zhvillimin e veshit, duhet të dish të këndosh tingujt në lartësi dhe gjatësi të ndryshme. Kështu që besoj që kjo e konkretizon mësimin për ta”, ka thënë Luzha.

Përveç mësimeve në solfegjo, libri përmban edhe ushtrime që për nxënësit është një mundësi më shumë për të zgjeruar dijen.

Autoret pos që u çmuan për punën e librit, u nderuan edhe me mirënjohje nga drejtoresha e shkollës së muzikës “Prenk Jakova”, Jeta Dida-Bujari.