Janë bërë 3 muaj qëkurse punëtorët e lokalitetit arkeologjik të Dresnikut nuk kanë marrë rrogat e tyre.
18 punëtorë të angazhuar nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, për të bërë gërmime në këtë vend, shkaku i mungesës së pagave, kanë ndërprerë punën, raporton KTV.
Që nga shtatori i 2018-s, Ministria e Kulturës ka marrë nën menaxhim të gjithë punëtorët që janë në kuadër të projekteve për zbulime arkeologjike, e që më parë ishin nën mbikëqyrje të Institutit Arkeologjik të Kosovës.
Por, në rast se Ministria vazhdon të mos i paguajë këta punëtorë, ata kanë paralajmëruar edhe masa ligjore.
Drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, ka lënë fajtore Ministrinë e Kulturës për këtë gjendje, duke shtuar se e njëjta, jashtëligjshëm, ka marrë nën menaxhim këta punëtorë.
Ministri në detyrë i Kulturës, Kujtim Gashi, ka ndarë rreth 150 mijë euro për projektin në këtë lokalitet, por që, sipas burimeve të KTV-së, nga këto para, vetëm rreth 30 mijë janë shpenzuar, derisa nuk dihet çfarë ka ndodhur me pjesën tjetër të këtij buxheti.
Televizioni ka provuar që për këtë të flasë edhe me zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, por ata nuk kanë qenë të qasshëm gjatë ditës.
Më herët, me gjendje të njëjtë janë përballur edhe punëtorët e Parkut Arkeologjik “Ulpiana”, të cilëve u janë vonuar me muaj të tërë pagat.