Kulturë

Skënder Anamali – klasiku i arkeologjisë shqiptare

Nga Padova, ku përftoi një dije të admirueshme klasike, shkodrani Skënder Anamali do të kthehej në Shqipëri për t’i shërbyer asaj në mënyrën më të mirë: si shkencëtar gjakftohtë. Tok me Frano Prendin, Hasan Ceken dhe Selim Islamin, ai ishte arkeologu që e ngriti Shkollën shqiptare të Arkeologjisë në dekadën e “zbulimeve të mëdha” arkeologjike. Nga kërkimet e tyre dolën në dritë tuma ilire e një botë e tërë rreth tyre, kurse nga duart e Anamalit doli në dritë e plotë kultura e hershme mesjetare shqiptare, në Koman dhe vise të tjera veriore. Me të u provua përfundimisht se popullata e moçme ilire mbijetoi te shqiptarët. Por, arkeologu i shquar kontribuoi edhe duke hapur shtigje të reja kërkimesh, ku më të rëndësishmet janë evidentimet e kulturës së hershme arbërore në Kosovë dhe në Maqedoninë perëndimore

Në supet e katër “manjifikëve” do të ngrihej ngreha e shkollës shqiptare të arkeologjisë: Frano Prendi, Hasan Ceka, Selim Islami dhe Skënder Anamali. Por, ishte ky i fundit që nga nëntoka e truallit shqiptar nxori të vërtetat e fjetura mbi shekujt ilirë, mbijetesën e popullatës autoktone dhe shfaqjen e vazhduesve të saj, shqiptarëve të sotëm. Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së arkeologut shkodran, paraditen e së premtes, Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në bashkëpunim edhe me Institutin e Arkeologjisë, ka mbajtur veprimtarinë jubilare “Skënder Anamali – një themelues i arkeologjisë shqiptare”.

Në ceremoninë e mbajtur në mjediset e institucionit më të lartë akademik në Shqipëri, e që është transmetuar edhe online, kreu i ASH-së, Skënder Gjinushi, e ka cilësuar Anamalin si një nga figurat qendrore të arkeologjisë shqiptare.

Në fjalën e tij të hapjes, ai ka thënë se koha vetëm sa i ka lartësuar kontributet e arkeologut Anamali.

“Skënder Anamali dhe breznia e tij kanë meritën e jashtëzakonshme, që e shndërruan arkeologjinë nga një shkencë në kërkim të qytetërimeve të lashtësisë, para së gjithash të pranisë së kulturave antike greke dhe romake në hapësirën historike shqiptare, në dije të mirëfilltë albanologjike, pjesë të albanologjisë si shkencë e burimit dhe identitetit shqiptar”, ka thënë Gjinushi.

Gjinushi: “Anamali i çoi kërkimet deri në Kosovë”

Sipas kryeakademikut shqiptar, Anamali ishte ai që e vuri re praninë e romanitetit kulturor në trashëgiminë e hershme parashqiptare, por bëri edhe “shpërnguljen” e kërkimeve arkeologjike nga bregdeti në hinterland, aty ku burimet arkeologjike pohonin për një shtresë më të pandikuar nga qytetërimet e mëdha të kohës.

“Ashtu siç Hasan Ceka e çoi arkeologjinë në Selcë, ashtu Skënder Anamali e tërhoqi atë në Mat e Stelush, në Lin e deri në Kosovë, por para së gjithash në Koman, atje ku për herë të parë u zbulua dhe u pranua botërisht ekzistenca e një shtrese kulturore të kapërcyellit prej ilirëve tek arbërit, shtresë që provonte edhe vazhdimësinë tipologjike të tyre”, ka vlerësuar Gjinushi. “Sot kultura e Komanit është kthyer në pikë reference jo vetëm për të datuar zbulimet arkeologjike, por edhe për të bërë krahasime shtresash, kulturash e civilizimesh, autoktone e aloktone”.

Image
Skënder Anamali do të bëhej autoriteti kryesor i këtyre studimeve, që provuan se shqiptarët janë pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve të antikitetit të vonë

Korkuti: “Anamali – vend nderi në arkeologjinë shqiptare”

Në mungesë të pranisë fizike të akademik Muzafer Korkutit, kolegu i tij Neritan Ceka e ka lexuar kumtesën e shkurtër të titulluar “Skënder Anamali - mësuesi, kolegu, miku i arkeologëve të rinj”.

Sipas Korkutit, Skënder Anamali vuri gurin themeltar të argumentimit se arbërit janë pasardhësit e drejtpërdrejtë të ilirëve. Me gërmimet e bëra në nekropolet mesjetare e në qytete e kështjella si në Shurdhah, Koman e Pogradec, ai kishte hedhur themelet për studimin shkencor të kulturës së hershme shqiptare.

“Në veprën ‘Kultura arbërore e Komanit’, Anamali bëri një sintezë të studimeve të tij në fushën e antikitetit të vonë dhe mesjetës së hershme, duke arritur të përcaktojë tiparet e kulturës arbërore dhe proceset e lindjes dhe zhvillimit të saj nga shekujt 7 deri në 9, si dhe karakterin e saj autokton”, ka shkruar Korkuti.

Arkeologu i njohur, po ashtu, ka përmendur faktin që përgatitja profesionale dhe interesat e gjëra shkencore për kulturën antike të Anamalit gjetën vend në monografinë për qytetin ilir të Amantisë, si dhe për mbishkrimet latine në tokën shqiptare.

“Me larminë e problemeve që trajtoi në revista vendore e të huaja, Anamalit i takon një vend nderi në arkeologjinë shqiptare. Veprës së tij do t’i referohet çdo historian e arkeolog që do të merret me kërkimet e studimet për historinë mesjetare”, ka përfunduar Korkuti.

Ceka: “Një nga katër manjifikët e arkeologjisë shqiptare”

Me një adresim emocional ku janë evokuar edhe përvoja nga njohja e gjatë, akademiku dhe profesori i arkeologjisë Neritan Ceka ka thënë se Anamali ishte një nga katër manjifikët e ditëve të mëdha të arkeologjisë shqiptare.

“Ishte një epokë e zbulimeve të mëdha ekstensive arkeologjike që përfshiu krejt Shqipërinë”, ka thënë Ceka teksa ka shtuar se asokohe u shënuan arritje shkencore edhe sa i përket etnogjenezës shqiptare.

“I gjithë brezi ynë kishte respekt për autoritetin e këtyre katër arkeologëve, pasi që ne jemi i vetmi komunitet që jetojmë bashkërisht në fushën e studimeve arkeologjike”, ka shtuar ai.

Në vazhdim, profesori i arkeologjisë Luan Përzhita ka vlerësuar se kërkimet arkeologjike për mesjetën e hershme shqiptare u rritën dhe u zhvilluan për gjysmë shekulli nga puna e palodhur e Anamalit.

“Ishin vitet ’60 kur arkeologjia shqiptare e drejtoi vëmendjen nga kultura e antikitetit të vonë dhe mesjetës së hershme shqiptare”, ka thënë Përzhita teksa ka lexuar kumtesën e tij “Skënder Anamali si iniciator i kërkimeve në fushën e arkeologjisë arbërore”.

Me këtë rast, ai ka shkëputur një fragment nga një revistë franceze ku Anamali ishte vlerësuar për sintezat e kontributet e tij të vyera për ilirët që i kishte botuar në frëngjisht.

“Anamali, si njëri nga themeluesit e arkeologjisë shqiptare, ishte i pari që saktësoi karakteristikat e kulturës së hershme shqiptare, kushtet në të cilat u ruajt popullata e hershme ilire, si dhe etapat e kalimit në kushtet e reja historike”, ka thënë, mes të tjerash, Përzhita.

Duke folur si ish-student, arkeologu Gëzim Hoxha ka folur për profilin e mentorit të tij, veçmas për formimin e tij klasik që e kishte përftuar nga Universiteti i Padovës.

“Duke u bazuar në formimin e tij klasik, qysh në punimet e tij të para mbi luginën e Vjosës do të vërehej kjo”, ka thënë Hoxha teksa ka lexuar kumtesën e “Arkeologjia e periudhës romake në Shqipëri: kontribut i prof. Skënder Anamalit”.

Sipas tij, trendi i interesimeve klasike do të vazhdonte gjatë tërë karrierës së tij akademike. Por kontributi themelor i Anamalit, ka vijuar ai, mbetet punimi gjithëpërfshirës “Procese shndërrimi në trevën jugore ilire në shekujt I-IV”, që ishte shpalosur në Kuvendin e dytë të Studimeve Ilire më 1985.

“Në këtë punim dhe përmbledhjen ‘Les Illyrienns’, ai sintetizoi përvojën e tij në periudhën romake. Mjeshtëria e tij profesionale nuk ishin vetëm qëndrimet dhe pohimet e sakta shkencore, por edhe shtrimet e problemeve të reja që mbesin potencial për kërkimet e sotme”, ka thënë arkeologu Hoxha.

Kontributet për Kosovë e Maqedoni

Ndryshe, Skënder Anamali u lind më 5 maj të vitit 1921 në një familje intelektuale shkodrane. Pas mbarimit të shkollës së mesme në qytetin e lindjes, ai vijoi studimet e larta në degën e arkeologjisë në Fakultetin e Letërsisë e të Filozofisë në Universitetin e Padovës.

Punoi fillimisht si gazetar në gazetën “Puna”, e më pas edhe mësues në gjimnazin e Tiranës. Nga viti 1947 u emërua arkeolog në Institutin e Shkencave. Bashkë me kolegun Hasan Ceka, qysh më 1947, ai hapi muzeun e parë arkeologjik në Tiranë.

Me pasionin e vet prej arkeologu, Anamali ndërmori ekspedita në qendrat e mëdha arkeologjike të Shqipërisë duke grumbulluar lëndë të pasur arkeologjike e duke i shoqëruar ato me raporte shkencore.

Me kolegët e tij të Institutit, ai kontribuoi në zbulimin e varrezave tumulare të Matit, që rrezikoheshin të përmbyteshin nga liqeni i hidrocentralit në lumin Mat.

Nga vitet ‘60, interesimi i arkeologjisë shqiptare filloi drejt studimit të periudhës së antikitetit të vonë dhe kulturës së hershme mesjetare, ndërkohë që Anamali do të bëhej autoriteti kryesor i këtyre studimeve që provuan se shqiptarët janë pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve të antikitetit të vonë.

Si njohës i greqishtes së vjetër dhe latinishtes, Anamali kontribuoi edhe në përgatitjen e burimeve të shkruara antike në botimin “Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë”. Gjatë punës në terren, ai kontribuoi edhe me mbishkrimet latine të zbuluara në Shqipëri, kurse meritat e tij u njohën edhe nga Shoqata Ndërkombëtare për Epigrafinë Greke e Latine, duke e bërë anëtar të saj.

Ishte një nga bashkautorët e veprës kolektive “Historia e Shqipërisë”, duke kontribuar me kapitullin “Mbretëria dardane dhe Federata Dalmate”, ku për herë të parë u skicua historia politike e mbretërisë dardane dhe qëndresa e saj ndaj romanizimit e më pas sllavizimit.

Pos evidentimit të gjurmëve të kulturës së Komanit jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, Anamali kontribuoi edhe për ndriçimin e antroponimeve ilire në pjesët perëndimore të Maqedonisë së sotme.