Kulturë

S’ka më transmetim veprash audio-vizuale pa kompensim autorësh

Tarifa - kulturë

“Secili autor dhe prodhues kulturor do të fillojë të kompensohet për herë të parë për shfrytëzimin e veprave të tyre nga kanalet televizive, hap ky që siguron mbrojtjen e prodhimtarisë artistike dhe përfitimin e merituar material për shfrytëzimin e saj”, ka njoftuar Ministria e Kulturës të hënën, kur është nënshkruar marrëveshja për “fillimin e pagesave të tarifave mujore me rastin e ritransmetimit të veprave audio-vizuale” (Foto: MKRS)

Procesit të nisur kaherë në lidhje me kompensimin e autorëve në rastin e ritransmetimit të veprave të tyre audio-vizuale, organizatat e institucionet kompetente kanë vendosur t’ia vënë pikën, dhe atë duke paguar edhe në mënyrë retroaktive. Të hënën, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka njoftuar se është nënshkruar marrëveshja për “fillimin e pagesave të tarifave mujore me rastin e ritransmetimit të veprave audio-vizuale”

“Autorët e veprave audio-vizuale do të kompensohen për krijimtaritë e tyre”, është titulli i komunikatës. Nuk jepen sqarime për shumën, mënyrën e grumbullimit, e në fakt ky është hapi i radhës për t’i dhënë fund maratonës me jo pak paqartësi, përplasje negociata dhe jo vetëm.

“Nga tash, secili autor dhe prodhues kulturor do të fillojë të kompensohet për herë të parë për shfrytëzimin e veprave të tyre nga kanalet televizive, hap ky që siguron mbrojtjen e prodhimtarisë artistike dhe përfitimin e merituar material për shfrytëzimin e saj”, shkruhet në komunikatë.

Aty bëhet e ditur Organizata për Menaxhimin Kolektiv të të Drejtave të Autorit VAPIK dhe përdoruesit e të drejtave të autorëve, operatorët kabllorë “IPKO Telecommunications”, “Artmotion”, “Kujtesa Net”, “Telkos”, “ISP Broadcast” dhe “Optimum Telecommunications” të hënën kanë nënshkruar marrëveshje për zbatimin e pagesës së tarifave të ritransmetimit “siç është rregulluar me vendimin e datës 19 tetor të vitit 2020, me efektivitet nga data 1 prill 2021 e deri më 31.12.2024, dhe në bazë të Ligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta”.

“Marrëveshja siguron pagesën e tarifave të akumuluara që nga viti 2021, përcaktimin e tarifave të zbritura për vitet 2025-2028, tërheqjen e padive nga VAPIK dhe operatorët kabllorë, përcaktimin e tarifave të reja për vitin 2029 me marrëveshje sipas ligjit në fuqi, dhe luftimin e piraterisë dhe informalitetit në treg nga të gjitha palët nënshkruese”, shkruhet në komunikatë, duke e cilësuar këtë si hap të rëndësishëm që siguron konsolidimin e zbatimit të plotë të Ligjit për të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta.

Ministria e Kulturës dhe Komisioni i Pavarur i Mediave janë ndërmjetësuese të palëve për arritjen e marrëveshjes. Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes janë siguruar në garantimin e zbatimit të ligjit që reflekton në normat dhe politikat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtës së autorit. “Të njëjtët do të sigurohen për monitorimin e zbatimit të plotë dhe të drejtë të kësaj marrëveshjeje dhe të ligjit në fuqi nga ana e përdoruesve të të drejtave që janë operatorët kabllorë dhe nga Shoqata e Menaxhimit Kolektiv të të Drejtave të Autorit, VAPIK”, shkruhet në komunikatë.

E krejt kjo bazohet në vendimin e 19 tetorit të vitit 2020 që kishte qenë hapi i radhës konkret që të niste kompensimi i autorëve për ritransmetimin e veprave të tyre.

Asokohe, “Koha Ditore” do të raportonte se nëse zbatohej ajo ishte hedhur në letër, operatorët kabllorë nuk do të mund të ritransmetojnë më vepra audiovizuale e të mos paguajnë gjë në adresë të autorit a prodhuesit. Vendim historik për një të ardhme më të mirë për autorët e krijuesit e vendit e kishte quajtur asokohe ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, miratimin e Vendimit për aprovimin e tarifave të përgjithshme për shfrytëzimin e lëndës së mbrojtur në rastin e ritransmetimit të veprave audiovizuale.

“Qeveria Hoti ka marrë vendim për miratimin e tarifave të përgjithshme për shfrytëzimin e lëndës së mbrojtur dhe të drejtën e autorit me rastin e ritransmetimit, përmes të cilit vendoset kompensimi i drejtë dhe adekuat për autorët, krijuesit e investitorët e veprave audiovizuale”, kishte shkruar asokohe ministrja Dumoshi në rrjete sociale, pas mbledhjes së Qeverisë në të cilën u miratua vendimi i cili sipas saj krijon një sistem funksional i së drejtës së autorit që u mundëson bartësve të të drejtave kompensim të drejtë për veprat e tyre.

Arritja deri tek aprovimi i tarifave kishte një histori të gjatë negociatash e kërkesash, përderisa as zbatimi i tyre nuk dukej të jetë punë e lehtë dhe krejt e qartë.

“Duke e thjeshtëzuar këtë, i bie që për çdo vepër të mbrojtur me të drejtat autoriale, të ritransmetuar nga operatorët kabllorë, po këta do t’ua paguajnë autorit a produksionit një tarifë të caktuar. Në njoftimin e saj për mbledhjen e së hënës, Qeveria ka bërë të ditura edhe tarifat, por pa sqaruar se në çfarë forme aplikohen ato”, kishte shkruar KOHA.

Qeveria e Kosovës, duke vepruar sipas propozimit të MKRS-së, do të njoftonte se kishte miratuar vendimin për aprovimin e tarifave të përgjithshme për shfrytëzimin e lëndës së mbrojtur në rastin e ritransmetimit.

“Tarifat bazohen sipas grupimit të kanaleve televizive: deri në 70 kanale televizive – 0.30 euro për abonues; nga 71 deri në 100 kanale televizive – 0.35 euro për abonues; nga 101 deri në 150 kanale televizive – 0.40 euro për abonues; dhe mbi 151 kanale televizive – 0.45 euro për abonues”, shkruhej në njoftimin e Ekzekutivit.

Kishte qenë regjisori e producenti Blerim Gjoci si kryetar VAPIK-ut, shoqatës për menaxhimin kolektiv të të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta në fushën audiovizuale, që kishte sqaruar për KOHËN, rëndësinë e këtij vendimi dhe formën e aplikimit të tij.

“Tarifa është për muaj, për abonues. Domethënë operatorët kabllovikë, varësisht sa kanale i ofrojnë për resiver, aq paguajnë. Nëse një familje e ka resiverin dhe i ka 110 kanale, operatori kabllor paguan 40 centë mujore për autorët, në çdo resiver”, ka thënë Gjoci. Por llogaritja nuk konsiderohej aq e thjeshtë. “Televizionet në fakt përfitojnë, sepse futen në kategorinë e producentëve, domethënë përfitojnë për programet/emisionet origjinale, ndërsa kabllorët paguajnë tarifën për ritransmetim të emisioneve, filmave, spoteve. Ato të ardhura ndahen sipas: kohës së transmetimit, llojit të veprës, gjatësisë së veprës, pozitës në këtë vepër etj. Është sistem notimi i harmonizuar me rregullat e shpërndarjes në BE”, kishte thënë ai. Deri tash operatorët kabllorë nuk kanë paguar gjë as për emisione televizive e as për vepra të tjera audiovizuale. “VAPIK ka qenë në negociata që nga viti 2013 me operatoret kabllorë për mbledhjen e të ardhurave për të drejtën e autorit të parapara me ligj. VAPIK pati angazhuar negociatorë vendorë dhe të huaj për të negociuar me operatorët kabllovikë, por këto negociata nuk ishin frytdhënëse”, kishte thënë ai.

I ashpër kishte qenë kur pak ditë pasi u bë publike se ekzekutimi i vendimit të tetorit të vitit 2020, do të niste prej ditës së parë të prillit të vitit 2021, siç përmendet edhe në marrëveshjen e së hënës. Kishte shtuar se Qeveria me një takim privat me operatorët kabllorë, pa prezencën e Zyrës për të drejtat e autorit, e pa ndonjë informim a sqarim kishte vendosur që këto tarifa t’i shtyjë për 1 prill. Bashkë me ekspertët ai ka thënë se kishin konkluduar se tarifa duhet të jetë 1 deri në 1.3 euro për abonues, siç kishte qenë oferta e tyre. kjo ka qenë edhe ofertë jonë. “Mirëpo ky komision ka ftuar një ekspert tjetër që ka sugjeruar që tarifa të jetë 50-75 centë. Pastaj ky Komision ka thënë se për kushtet e Kosovës të jetë 30-45 centë. Ne nuk e kemi kontestuar këtë komision, as ne dhe as kabllori, atëherë kemi paraparë që të jetë i plotfuqishëm dhe nuk ka pasur arsye që ta kontestojmë. Ne nuk e kontestuam për shkak se vendosëm të besojmë edhe në institucionet tona. Ndërsa kabllovikët e kontestuan dhe doli kjo shtyrje. Kjo na ka shqetësuar normalisht”, kishte thënë ai

Çështja e ritransmetimit të veprave muzikore nga televizionet e radiot, është një tjetër kapitull. Në mars të 2018-s, negociatat pesëvjeçare midis Shoqatës së Autorëve, Prodhuesve dhe Interpretëve e Kosovës – APIK dhe mediave do të finalizoheshin me nënshkrimin e marrëveshjes për tarifat e përgjithshme që duhet të paguajnë mediat, përkatësisht televizionet dhe radiot, për shfrytëzimin e muzikës si lëndë e mbrojtur me të drejtat e autorit.