Ajo që e dallon këtë punëtori nga e zakonshmja është fokusi në të padukshmen, duke sfiduar pjesëmarrësit për të eksploruar ndërlikimet e fshehura të botës. Filozofia e spontanitetit dhe improvizimit e Sislej Xhafës i dha formë punëtorisë së organizuar nga “Autostrada Biennale”, duke u ofruar pjesëmarrësve një mundësi për të dalë nga kornizat e asaj që mund të shihet me sy
Përballë Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” entuziastë të artit janë mbledhur për një përvojë unike dhe intensive të udhëhequr nga artisti i njohur bashkëkohor, Sislej Xhafa. Punëtoria ishte larg prej të zakonshmes. Fokusohet në të padukshmen.
Xhafa, i njohur për artin e tij nxitës dhe jokonvencional, ka sfiduar pjesëmarrësit të eksplorojnë aspektet e fshehura të botës përreth tyre. Me një filozofi që nxit spontanitetin dhe improvizimin, ai hapi rrugë për një punëtori që do të shkonte me rrjedhën, duke i lejuar pjesëmarrësit të përfshiheshin në një proces krijues pa kufizimet e skenarëve ose planeve të përgatitura.
Punëtoria nisi para Bibliotekës Kombëtare, një vend simbolik që përfaqëson dijen, kulturën dhe historinë. Në këtë sfond, Xhafa inkurajoi pjesëmarrësit të thellohen në të padukshmen, të sfidojnë mënyrat e zakonshme të vëzhgimit dhe të bëhen pjesë e artit të improvizimit. Tema kryesore e seminarit është bazuar rreth idesë se shpesh neglizhohen aspektet delikate dhe të pavërejtura të gati çdo gjëje përreth.
Performanca ndërvepruese ka ngacmuar më shumë se veç një shqisë. Nisi me thirrjen e artistit që pjesëmarrësit të formonin grupe në dyshe. Njëri prej secilit çift do të vizatonte diçka me anën të gishtave në shpinën e tjetrit. Se çka vizatonin nuk shihej nga asnjëra palë, ishte pjesë e imagjinatës për secilin. Mes performancash, Xhafa ka folur mbi rëndësinë e aktiviteteve të tilla. Ka thënë se beson me vendosmëri që forma përfundimtare e demokracisë qëndron në arte, ku perspektiva dhe përvoja unike e çdo individi mund të shprehet dhe ndahet pa paragjykime.
Ai ka vlerësuar që marrëdhënia reciproke midis tij dhe pjesëmarrësve është ajo që i bën të veçanta këto performanca të atypëratyshme.
“Është një intensitet reciprok, por është në raport mes nesh edhe jam shumë i hapur jo vetëm ta ndaj përvojën time, por edhe të mësoj më shumë prej tyre. Është diçka shumë intensive”, ka thënë Xhafa, i cili ndër të tjera më 2017, me “E humbur dhe e gjetur” përfaqësoi Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie, një ngjarje e njohur për të, pasi më 2013 përfaqësoi edhe vetë Italinë.
Rrjedha e ngjarjes së organizuar nga “Autostrada Biennale” nuk u kufizua në një vend të vetëm. Ishte në lëvizje të vazhdueshme. Pasi filluan eksplorimin e tyre krijues para Bibliotekës Kombëtare, pjesëmarrësit nisën udhëtimin artistik teksa hipën në autobusin që shkonte për në Prizren. Artisti u sigurua që thelbi i punëtorisë të mbetej i pandërprerë gjatë udhëtimit dhe pjesëmarrësit e gjetën veten duke vazhduar shprehjet e tyre krijuese edhe gjatë kohës sa autobusi ishte në lëvizje.
Punëtoria ka vazhduar ashtu siç ka nisur, pa ndonjë plan apo koncept preciz. Si jo rrallëherë, Xhafa ka udhëhequr grupin e artdashësve nëpërmjet intuitës.
“Kemi planifikuar pak kohë të gjatë sa i përket një workshopi intensiv me studentët dhe artistët që kanë qenë i hapur për të gjithë që të marrin pjesë. Jemi takuar këtu në Prishtinë dhe më pas do të shkojmë në Prizren dhe do të jetë një workshop më intensiv, meqenëse jemi këtu pranë bibliotekës ‘Pjetër Bogdani’, ndërkohë do ta mbajnë edhe brenda në autobus në lëvizje deri në Prizren edhe ku do të vazhdojë. Jemi këtu për një përvojë të re dhe nuk e di se çfarë do të bëj. Është një gjë që do ta zbuloj me intuitë”, ka thënë Xhafa.

Pjesëmarrësve vazhdimisht u kërkohej të ishin të hapur ndaj të papriturave, të linin imagjinatën e tyre të lirë dhe të angazhoheshin në një dialog krijues me pjesëmarrësit e tjerë.
Studentja e artit, Era Goga, e ka vlerësuar aktivitetin artistik si diçka që të ofron ngrohtësi si nga brenda ashtu edhe jashtë pasi grupi kaloi kolektivisht nëpër territoret e paeksploruara të artit dhe të perceptimit.
vetë fakti që fillimisht jemi prezantuar me njëri-tjetrin dhe që kemi pasur lëvizje kjo ishte një performancë e veçantë. Arti dhe performanca e kanë një ndërlidhje shumë të fortë dhe kjo e jona bashkë me artistin ishte shumë interaktive”, ka thënë Goga.
“Politika pa Maskë: Gënjeshtra si qëndrim” ishte titulli me të cilin “Autostrada Biennale” e ka bërë publike thirrjen për pjesëmarrës. E sipas Xhafës, arti i kapërcen kufizimet e gjuhës dhe kufijtë politikë, duke shërbyer si një udhërrëfyes për përvojën e përbashkët njerëzore.
Bashkëthemeluesi i “Autostradës Biennale”, Leutrim Fishekqiu ka thënë se punëtoria e 6 nëntorit vjen në kuadër të aktiviteteve të tyre për komunitetin, përtej atij artistik.
“Me Sislejn gjithmonë është kënaqësi me bashkëpunu. E kemi edhe në bordin ndërkombëtar këshillues që nga hapat e parë të Biennales. Natyrshëm kemi bashkëpunime të ndryshme jo vetëm për idetë tona, por edhe për pjesën e komunitetit, siç është edhe ky aktivitet e sidomos për artistët dhe talentet e reja që po besoj se kanë mundësi të shohin nga një pikëpamje e re, nga një dimension i ri. Po e shoh këtë si një kontribuim për komunitetin kështu që po e krijojmë një eksperiencë të jashtëzakonshme”, ka thënë Fishekqiu.
E sa i përket “Autostrada Biennales” dhe bashkëpunimit me të, Xhafa ka thënë se është një prej ngjarjeve kulturore më me rëndësi në Kosovë dhe jashtë saj. Sipas tij, është një mundësi që duhet shfrytëzuar prej secilit.
“Ata janë momentalisht një prej brendeve unike në krejt Kosovën. Është një inovacion, është një pasqyrë e një trungu të historisë, të një realiteti dhe ëndrrës së ardhshme. Ata janë një utopi-realitet, por është një dashuri e pafundme. Kanë sjellë jo vetëm freski, por edhe qëndrim të ri në art bashkëkohor jo vetëm këtu, por edhe në mënyrë universale në botë”, ka përfunduar Xhafa.
Në fund, punëtoria e Sislej Xhafës përballë Bibliotekës Kombëtare, me theksin e saj në eksplorimin e së padukshmes dhe përqafimin e thelbit demokratik të arteve, la gjurmë të pashlyeshme në kuadër të organizimit të “Autostradës Biennale”. Në korrikun e sivjetmë, “Autostrada...” mbajti edicionin e katërt. “Të gjitha imazhet do të zhduken një ditë”, ka qenë tema dhe qysh në hapje në Prizren, i kundërpërgjigjej zhdukjes dhe jo vetëm. Në fakt fuqizoi edhe “shpresën dhe këmbënguljen, pavarësisht të gjithave” , duke promovuar artin si rrugë për të bërë këtë. Kanë qenë 35 vepra artistësh e grupesh kolektive. E rrugëtimi nëpër “Autostradë...” nuk u ndal vetëm në Prizren, por u shtri edhe në Prishtinë e Mitrovicë. Joanna Warsza dhe Övül Ö. Durmuşoğlu, kanë qenë kuratoret e këtij edicioni, e që lidhja me këtë ngjarje nuk qe “premierë”. Ato e kuruan edhe më 2021 dhe tema që sollën ishte vlerësuar si vazhdimësi edicionit të kaluar. “Çka nëse një rrugëtim…” kishte qenë ajo që u zbërthye më 2021.