Se arti për të është provokim, e ka dëshmuar disa herë në praktikë në ngjarje të mëdha botërore. Por Sislej Xhafa është provokues edhe në diskutime e prezantime. Njashtu ka bërë edhe në atë me temën “Sfidimi i ndarjes kombëtare: transkombëtar, alternativ dhe ‘Pavijonet në pavilione’ në Bienalen e Venecies”, që është mbajtur në “The James Gallery” në New York. Ka pasur një përshkrim të prerë dhe për Bienalen Ndërkombëtare të Venecias, ku është prezantuar tri herë: një herë ilegalisht, tjetrën si përfaqësues i Italisë dhe si përfaqësues i Kosovës. Sipas tij, aty nuk ka art
Artisti shqiptar me nam botëror, Sislej Xhafa, i cili ka ekspozuar nëpër qendra botërore të artit, nuk ka definicion se cili është roli i artistit. E ka përshkruar veten si një tradhtar të përkryer, pasi prej Kosovës ka ikur në Itali e më pas në New York, përderisa vazhdon të lëvizë shpesh. Për Binalen e Venecies ka pasur kritika të ashpra në parim.
“Sot jam këtu, nesër atje. Por vendi ku jam lindur është special për mua”, ka thënë ai në diskutimin e titulluar “Sfidimi i ndarjes kombëtare: transkombëtar, alternativ dhe ‘Pavijonet në pavilione’ në Bienalen e Venecies”, që është mbajtur në “The James Gallery” në New York.
Në diskutimin e transmetuar online dhe të mbajtur së bashku me kuratoren maqedonase, Suzana Milevska, dhe shkrimtaren e kuratoren hebreje, Galit Eilat, Xhafa ka folur hapur për disa çështje.
Sipas tij, filozofia nuk është teori, por praktikë. Ka thënë se nëpërmjet artit ai vetëm pyet dhe asnjëherë nuk ofron përgjigje.
“Kur të kem përgjigje, nuk do të bëj art”
“Kur të kem përgjigje, nuk do të bëj art. Pyes veten edhe për kohën në të cilën jetojmë”, ka thënë ai.
Sa i përket Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecie, ka kujtuar se më 1997 ishte prezantuar me “Pavijonin ilegal”. Titullohej kësisoj pasi Xhafa si student në Firence kishte shkuar në Bienale dhe kishte futur njerëzit në “lojë” nëpërmjet një topi, veshur si përfaqësues i Shqipërisë në futboll me një çantë krahu e transistor. Protestonte kundër faktit se Shqipëria ende nuk po merrte pjesë në ngjarjen më të madhe të artit bashkëkohor në botë.
“Pyesja përse Shqipëria nuk ka pavijon. Isha student ende. Por pyetja ishte më globale, përse nuk kanë pavijone edhe të disa vendeve të tjera...”, ka thënë Xhafa. Më 2013 ai ishte pjesë e grupit të artistëve që kanë përfaqësuar Italinë në këtë ngjarje, përderisa më 2017 përfaqësoi Kosovën me “Lost and found”. Bënte pyetje për fatin me mbi 1600 personave të pagjetur pas luftës së fundit në Kosovë më 1998 – 1999. Pyeste për të pagjeturit nëpërmjet një kabine telefonike, ku telefonit nuk i binte zilja kurrë. Paraqiste pritjet e familjarëve që kanë të afërm të zhdukur.
Fuqia e artit te bukuria e së shëmtuarës
Por në diskutimin e mbajtur të mërkurën mbrëma, Xhafa ka pasur goxha kritika për Bienalen. Sipas tij, aty nuk bëhet fjalë për art, por për politikë.
“Bienalja e Venecias është politike. Ashtu është. Arti është diçka që nuk ekziston aty. Për të bërë diçka aty duhet shkatërruar arkitekturën”, ka thënë ai.
“Woven soil” është një prej veprave të tij që ka bërë bujë. Në ekspozitën personale në Galerinë Kombëtare të Kosovës më 2018, Xhafa kishte ndërtuar edhe një stallë. Kishte futur disa lopë të cilat kanë qëndruan aty disa javë. Asokohe ishte organizuar edhe një protestë gjoja kundër mënyrës së mbajtjes së lopëve. Këtë e ka përmendur edhe në diskutimin ku nëpërmjet platformës “Zoom” kanë mundur të lidhen e të bëjnë pyetje edhe të tjerë pjesëmarrës.
“Ishin 10 lopë që doja t’i dërgoja edhe në Basel të Zvicrës”, ka thënë ai. Ka treguar se pas luftës së fundit, Zvicra e ka ndihmuar Kosovën midis të tjerash edhe me kontingjente të lopëve.
“Doja që tash disa lopë t’i dërgoja në Basel që t’i vizitojnë të afërmit e vet”, ka thënë Xhafa, gjë më te cilën ua ka rrapëlluar pak botëkuptimet bashkëbiseduesve. Ironia e tij në këtë rast shkonte deri te fakti që shtetasit e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën “Schengen” të Bashkimit Evropian.
“Por nuk u bë i mundur dërgimi i lopëve, pasi nuk donin që ta respektonin këtë të drejtë të lëvizjes së kafshëve. Kërkonin GPS për secilën lopë. Nuk patëm sukses”, ka thënë ai. Por, ka shtuar se nuk do të ndalet me kaq.
“E kam një projekt prapë për këtë, por nuk mund të flas njëherë”, ka thënë ai.
Ka kujtuar se më 1999 me veprën “Again and again” kishte reaguar për luftën në Kosovë. E njëjta vepër ka zënë vend edhe në Kuvendin e Kosovës në korrik të vitit 2018.
Është interpretuar nën titullin “Bilbili” nga Ansambli i Komunës së Gjakovës. Vepra, e krijuar me qëllim të theksimit të kompleksitetit, unitetit dhe diversitetit të shoqërisë bashkëkohore, ka në përmbajtje veprën muzikore të kompozitorit amerikan, Samuel Barber, “Adagio for Strings”. E përshtatur nga Xhafa, ajo ka udhëtuar në shumë vende të botës. Në Ballkan për herë të parë ishte në Tiranë më 2014, ku ishte interpretuar në Piramidë. Një ansambël me maska interpreton veprën. Jo shumë para veprës së tij, Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte dalë publikisht, por disa anëtarë të saj ishin me maska.
“Më 1999 kishim luftë dhe rezistencë për ta mbrojtur vendin. Përvoja të jep një dimension tjetër. Për shtatë minuta luhet me orkestër”, ka shpjeguar ai.
Sipas tij, fuqia e artit e nxjerr në pah edhe bukurinë e të shëmtuarës. Në ditët e sotme patriotizëm do të thotë të jesh garues dhe kësisoj mund të kontribuohet për një vend.
“Kosova është shtet i ri. Kam arritur te definicioni se sot identiteti nacional është të jesh garues. Sot kjo është patriotizëm. Për shembull kur flitet për ‘Mercedes’ dihet se po flitet për Gjermaninë”, ka thënë Xhafa, i cili aktualisht po “provokon” edhe në Prishtinë në kuadër të “Manifesta 14” me “Xhepin e ngrirë” (Frosted Pocket) brenda mureve të Memorialit të Martirëve të Luftës së Dytë Botërore në lagjen “Velania”, ku ka “zaptuar” një pompë jofunksionale benzine, një karrige, panel diellor karikues, telefon mobil dhe një kujdestar të paguar.