Kulturë

“Sirenat” në saksofona lundrojnë në “ReMusican” e tingujve për ndryshim

Katër saksofoniste janë bashkuar në “Syrène Saxofoonkwartet”, dhe koncerti me të cilin kanë hapur edicionin e 21-të të festivalit ndërkombëtar të Prishtinës “ReMusica” ka qenë si një lundrim që zbërthen zhurmat e ujit. Në prezantimin e tyre të parë në Kosovë, ato përçuan komunikimin e tyre delikat me publikun, një prej veçorive që i bën të dashura kudo në botë. “The Sound of Change” është tema që sjell “ReMusica” e sivjetme dhe kuarteti është përshtatur mirë me temën

Nga një maskë dhe programi muzikor qenë ato që i janë ofruar publikut në hyrje të Sallës së Kuqe të Pallatit të Rinisë. Derisa publiku është rehatuar shpejt, katër instrumentiste në saksofona të veshura me të kuqe e kanë thyer qetësinë që ka ofruar salla me një ndriçim në të kaltër. Këto kanë qenë pak a shumë momentet e para të ritakimit të festivalit ndërkombëtar të Prishtinës “ReMusica”, i cili këtë vit vjen me moton “The Sound of Change” (“Tingulli i ndryshimit”). Mbrëmja e parë ka pasur në fokus vepra të cilat janë të kompozuara mbi zhurmën që krijon lëvizja e ujit. Kjo është edhe në thelb të interpretimeve të kuartetit të saksofonisteve nga Holanda, që me një lojë mbi një orë ka hapur dekadën e dytë të festivalit “ReMusica”. Në prezantimin e tyre të parë në Kosovë, ato përçuan komunikimin e tyre delikat me publikun, një prej veçorive që i bën të dashura kudo në botë.

“Syrène Saxofoonkwartet”, quhet kuarteti që emrin e vet e ka të lidhur me sirenën, si frymëzim nga “Odiseja” e Homerit, ku sirenat janë perëndesha të detit që joshin marinarët me zërat e tyre hyjnorë. Ky kuartet përbëhet nga instrumentistet Femke Ijistra, Femke Steketee, Marrich Noordamans dhe Aukelien Kleinpenning. I gjithë programi i tyre ka qenë një lundrim me ujin, ku tingujt dëshmojnë që valët nuk janë përherë të njëjta. Për këtë kanë përzgjedhur vepra të largëta në distancë. Lojën e kanë nisur me “Suite No. 1 in F Major” të veprës “Water Music” e kompozuar nga George Frideric Handel. Ajo u shfaq premierë më 17 korrik 1717, si përgjigje ndaj kërkesës së mbretit George I për një koncert në lumin Thames.

Image
Kuarteti nga Holanda lojën e ka nisur me “Suite No. 1 in F Major” të veprës “Water Music” e kompozuar nga George Frideric Handel (Foto: Rrahman Osmani)

“Është kënaqësi të jemi në Kosovë për një vizitë të shkurtër. Publiku ishte shumë i afërt. Uji është tema të cilën ne e duam në kuartetin tonë. Muzika e ujit nga Handel, që është një vepër e njohur, e pati premierën në ujë. Veprat që kanë në bosht ujin përshtaten shumë mirë me ne”, ka thënë për KOHËN instrumentistja Femke Steketee. “The Waves” e kompozuar nga kompozitori holandez Jacob Ter Veldhuis bëri që instrumentistet të zënë ulëset. U është dashur goxha përkushtim në saksofon në këtë vepër që ka qenë më e gjatë se të tjerat. Si një vepër që të dërgon nën ujë, grupi ia kanë prezantuar publikut në Prishtinë si një vepër ku koha humb. Se vepra të tilla e bëjnë lojën e tyre të natyrshme e dëshmon edhe albumi i “Syrene Saxophone Quartet”, i publikuar në vitin 2019. Kompozitori Ter Veldhius ka thënë se për këtë vepër ishte frymëzuar nga poezia e përjetshme e murgut japonez të shekullit të 13-të, Dōgen.

“Synova të shkruaja muzikë për përkohshmërinë dhe paqëndrueshmërinë, dhe kuptova se tingulli është një metaforë e mirë për këtë, sepse tingulli është një dridhje që shfaqet nga asgjëja dhe zhduket menjëherë më pas. Jam magjepsur nga bukuria indiferente e fryrjes dhe zbehjes së një tingulli të vetëm”, kishte thënë ai në një intervistë për platformën “DutchCultureUSA”.

“ReMusica”, festivali i cili e ka fokusin në muzikën klasike dhe në atë moderne, pas dy vjetësh pengesë nga pandemia është ritakuar me publikun në sallë. Hapja e edicionit të 21-të me kuartetin e vajzave në saksofona është vlerësuar si një mbrëmje që sjell energji të re te publiku në Prishtinë. Është përsëritur kërkesa për një sallë të denjë ku instrumentistë botërorë e vendorë mund t’i përfaqësojnë veprat në mënyrë më të denjë.

“Kjo mbrëmje ishte freski, një mbrëmje shumë energjike me katër femra aq virtuoze në saksofona, që është e rrallë, por tani instrumentet tona kanë filluar të popullarizohen edhe këtu. Kishin një program shumë të larmishëm. Çdo festival po e trumbeton atë problemin e sallës koncertale”, ka thënë violinistja Sihana Badivuku për KOHËN.

Edicioni i 21-të i “ReMusicas” me “The Sound of Change” trajton temën e ndryshimeve klimatike dhe bën thirrje te publiku për reflektim. E gjithë kjo është reflektuar në programin e sivjetmë, duke u kujdesur që në përmbajtjen e tij të ketë një mori veprash me këtë temë dhe me fokus në katër elementet e natyrës: tokën, ujin, ajrin dhe zjarrin. Me këtë festivali u është bashkuar sfidave globale.

“Mendojmë që është një temë aktuale jo vetëm në Kosovë, por në të gjithë botën, kështu që me shumë dashuri i jemi përkushtuar kësaj teme që ta shohim se ne si kulturë çfarë mund të bëjmë në përmirësimin e këtyre elementeve”, ka thënë për KOHËN drejtoresha artistike e “ReMusicas”, Donika Rudi.

“ReMusica” do të vazhdojë aktivitetet muzikore deri më 13 prill, duke i sjellë publikut koncerte nëpërmjet të cilave synon të iniciojë bashkëpunimin midis artistëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë. Në këtë edicion do të interpretojë edhe kitaristi virtuoz Petrit Çeku, i cili vjen në bashkëpunim me kuartetin harkor nga Maqedonia e Veriut, “Viva String Quartet”, ku, ndër të tjera, do të luajë veprën premierë “XX” të kompozitorit nga Kosova, Valton Beqiri, e cila është realizuar në vitin 2021 dhe i dedikohet 20-vjetorit të festivalit “ReMusica”. Duke bashkëndier me situatën në Ukrainë, “ReMusica” këtë vit solidarizohet me festivalet evropiane duke iu bashkuar iniciativës “Festivals for Compassion”. Vepra “Drop after drop” e kompozitorit ukrainas Maxim Shalygin e shkruar muajt e fundit do ta përmbyllë këtë edicion të festivalit “ReMusica”.