Kulturë

“Siparantumi” i jashtëzakonshëm midis koreve botërore në Korenë e Jugut

Si performanca të jashtëzakonshme janë përshkruar dy paraqitjet e korit “Siparantum” në “World Choir Games” në Korenë e Jugut. Është niveli më i lartë i konkurrencës në mesin e koreve nga të katër anët e botës, kritika e ka mirëpritur. “Është e paimagjinueshme. Mbrëmë ka qenë një performancë e jashtëzakonshme e korit ‘Siparantum’, sepse në program kemi pasur edhe vepra të kompozitorëve tanë”, ka thënë të martën Memli Kelmendi, dirigjenti e themeluesi i Korit. Por i jashtëzakonshëm është edhe rrëfimi i vetë “Siparantumit”. Është folur në më të madhen garë koresh edhe për këtë pjesë

Muzika shqipe tok me emrin e Kosovës dhe jo vetëm kanë jehuar me “Siparantum” midis koreve nga të katër anët e botës që janë bashkuar në Korenë e Jugut. Reagimet e para: pozitive. Kori nga Peja që përfaqëson vendin në më të madhen garë të këtij lloji, tashmë ka realizuar dy paraqitjet e parapara si garues në “Musica Contemporanea” dhe “Mixed Choir”, në të cilat po konkurron në edicionin e 12-të të “World Choir Games”,

Në fotografitë dhe videot e shpërndara në rrjetet sociale, “Siparantumi” është parë duke valëvitur flamurin e Kosovës nëpër rrugët e Koresë së Jugut. Pret të mos kthehet duarthatë prej atje ndonëse konkurrenca është e fortë

Edhe pse si pasojë e mungesës së mjeteve financiare, “Siparantum” është detyruar të shkojë në Korenë e Jugut pa pothuajse gjysmën e anëtarëve. Dirigjenti i korit, Memli Kelmendi, e ka konsideruar si tejet të suksesshme paraqitjen atje. Të martën në një lidhje direkte në emisionin “Express” në KTV, Kelmendi është shprehur tejet krenar dhe i lumtur për mundësinë për të marrë pjesë në këtë festival më të madhin e koreve në botë.

Image
“Siparantum” ka performuar me vepra si “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” të kompozitorit Baki Jashari, “Me nji lule” dhe “Pax” të Memli Kelmedit, “Fire” nga Katerina Gimon e të tjera. Kanë dhënë premierë veprën “Before” të Mendi Mengjiqit dhe “Before coming to the night” e Jan Van der Roost

“Meqenëse po flasim për një garë që në fakt është Olimpiada e koreve, gara më e madhe korale ‘World Choir Games’ që këtë edicion është duke u mbajtur në Korenë Jugore. Janë mbi 380 kore pjesëmarrëse dhe po ashtu janë mbi 80 shtete pjesëmarrëse, në mesin e tyre edhe ne jashtëzakonisht të lumtur, jashtëzakonisht krenarë që flamuri ynë, flamuri i shtetit tonë po valon në rrugët e qytetit të Gangneung, këtu në Korenë Jugore”, ka thënë Kelmendi.

Në vitin 2021, në “World Choir Games” në Belgjikë kori “Siparantum” ishte shpallur fitues i kategorisë “Musica Contemporanea”, ndërsa këtë vit është duke konkurruar në nivelin më të lartë të garimit të festivalit, në Championship.

“Ne këtu jemi për garë dhe po e përfaqësojmë vendin tonë, kulturën tonë, në mënyrën më të mirë e të bukur të mundshme. Jemi jashtëzakonisht të lumtur për mundësinë dhe me modestinë shumë të madhe po them që kori ‘Siparantum’ tashmë është duke garuar edhe në ranglistën më të madhe të koreve botërore në kuadër të festivalit ‘World Choir Games’. Ne jemi duke garuar në Championship. Do të thotë flasim për nivelin më të lartë të garimit të festivalit”, ka thënë Kelmendi teksa është shprehur i privilegjuar dhe i nderuar për këtë mundësi fantastike për të qenë pjesë e koreve të nivelit më të lartë artistik, atyre të nivelit A.

Në Korenë e Jugut “Siparantum” ka performuar me vepra si “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” të kompozitorit Baki Jashari, “Me nji lule” dhe “Pax” të Memli Kelmedit, “Fire” nga Katerina Gimon e të tjera. Kanë dhënë premierë veprën “Before” të Mendi Mengjiqit dhe “Before coming to the night” të Jan Van der Roost për të cilën Kelmendi ka thënë se është “vepër që i dedikohet korit ‘Siparantum’”.

Vetëm disa orë pas përfundimit të performancës së dytë, Kelmendi është shprehur tejet i lumtur me zhvillimin e saj. Ka thënë të jenë vlerësuar lart edhe nga kritikët e pranishëm në festival.

“Është e paimagjinueshme. Mbrëmë ka qenë një performancë e jashtëzakonshme e korit ‘Siparantum’, sepse në program kemi pasur edhe vepra të kompozitorëve tanë. Publiku ka qenë jashtëzakonisht i impresionuar. Do të thosha që performanca e Korit ka qenë e mahnitshme dhe është vlerësuar lart qoftë prej të pranishmëve, qoftë prej kritikëve të shumtë që unë kam pasur rastin t’i takoj gjatë qëndrimit tim këtu në Korenë e Jugut”, është shprehur ai.

I pyetur për vështirësitë e performancës, pa pothuajse gjysmën e anëtarëve të grupit, Kelmendi ka treguar se një gjë e tillë nuk ka qenë aspak e lehtë. Ka shprehur keqardhjen për mungesën e atyre që nuk janë me ta në Korenë e Jugut duke potencuar se me kalimin e viteve ata kanë dhënë kontribut të fuqishëm në zhvillimin e korit.

Por, pavarësisht kësaj, Kelmendi ka theksuar rëndësinë që ka pasur pjesëmarrja e Korit në këtë garë, qoftë edhe me gjysmën e anëtarëve. Ka bërë të ditur se “Siparantum” pati mundësi të performonte edhe para kompozitorit të njohur André van der Merwe, i cili, siç e ka theksuar, mban numrin një në “World Ranking List”

“Me modesti dhe me sinqeritet them se edhe vetëm pjesëmarrja jonë këtu është e fuqishme dhe është një hap përtej asaj që ne e kemi pasur deri më tani. Po flas për disa arsye, sepse e para, Korin tonë e kemi fuqizuar dhe vendosur në olimpiadën e koreve botërore, e dyta garojmë në kategorinë më të fortën, jemi pjesë e World Ranking List që Kosovën e çon shumë përtej asaj që ne flasim dhe gjithashtu kori është paraqitur para një jurie prej 14 anëtarësh. Njerëzit shohin punën tonë, vlerësojnë punën tonë dhe kjo hap rrugë të reja jo vetëm për ne si kor, por përgjithësisht për kulturën tonë korale”, ka thënë ai, duke shtuar se pjesëmarrja e Korit “nuk ka qenë e rëndësishme vetëm për “Siparantumin”. “Por edhe për jetën kulturore të muzikës korale dhe prezantimit tonë si shtet”, ka thënë ai.

Duke qenë se “Siparantum” është duke garuar në dy kategoritë kryesore ku konkurrenca është tejet e ashpër, ai është duhet të shprehet i rezervuar për atë nëse Kori do të kthehet me një medalje. Sido që të jetë ai ka potencuar se, pavarësisht kësaj, për ta është tejet e rëndësishme që kanë arritur ta përfaqësojnë Kosovën në këtë ngjarje kaq të madhe për koret.

“Ne, çdoherë në festivale të tilla aplikojmë të dalim sa më bukur që është e mundshme, mirëpo përzgjedhja dhe vendimi çdo herë mbeten vendim i jurisë. Natyrisht mund të ndodhë që ta pëlqejnë programin tonë dhe mënyrën e interpretimit dhe paraqitjen skenike por mund të ndodhë që të vijnë me një vendim tjetër. Gjithsesi, unë dua të besoj në atë se si kemi dalë në këto dy kategori dhe atë se si kemi performuar. Flasim për kore të nivelit A. Duke e pasur parasysh këtë fakt unë do të ndihem i rezervuar në këtë pjesë dhe presim se si do të jetë rrjedha dhe ndarja e shpërblimeve”, ka thënë ai.

Por, përveç si dirigjent i korit, që nga vitit 2018 Kelmendi është anëtarë i Këshillit të Koreve Botërore i cili është duke organizuar konferenca me përfaqësues shtetesh të ndryshme. Për KOHËN, Kelemendi ka ndarë diçka edhe nga mbledhjet e këshillit.

“Dua ta përmendi pjesëmarrjen time në konferencë, në takimin gjeneral të koreve në ‘World Choir Council ku unë e përfaqësoj Kosovën. Pjesëmarrja ime është tepër e rëndësishme sepse unë jam i vetmi përfaqësues i shtetit të Kosovës përbrenda kësaj konference. Në takimin dyditor që kemi pasur në datën 9 dhe 10 korrik, ku kemi diskutuar, shumica e anëtarëve të diskutimit që kemi pasur, Kosovën e kanë marrë si model se si duhet të evoluojë një kor”, ka thënë ai teksa ka shtuar se në Këshill ishte vlerësuar lart edhe fakti që këngëtarja e njohur Dua Lipa dhe “Fondacioni Sunny Hill”, kanë përkrahur “Siparantum” për të marrë pjesë në “World Choir Games”, që nisi më 3 korrik do të zgjasë deri më 13 korrik kur në “Gangneung Arena” do të bëhet edhe ndarja e çmimeve.

Për “Siparantum” i cili deri më tani ka realizuar mbi 130 paraqitje, 60 në 10 shtete ndërkombëtare dhe 8 shpërblime të para, rrugëtimi nuk përfundon me kaq. Në nëntor të këtij vitit ata i pret Suedia ku do të marrë pjesë në “Europian Choir”.

“Do të jemi në ‘Europian Choir’ në ‘Europian World Festival’. Flasim për një nivel tjetër që është lidhshmëri e festivalit World Choir Games që do të mbahet në Suedi. Atje do të udhëtojmë në nëntor”, ka bërë të ditur ai.