Kulturë

Simpatia e elitës franceze ndaj Serbisë dhe informatat për Kosovën

Ligjërata e akademik Muhamedin Kullashit, “Çështjet e Kosovës në prizmat ndërkombëtarë”, ka qenë ajo që ka hapur vazhdën e ligjëratave shkencore të parapara për edicionin e 41-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Në atë që tash e kaherë ka marrë emrin si “Ora e Rexhep Ismajlit”, Kullashi ka folur për rrugëtimin e vështirë të Kosovës deri te pavarësia. Por ligjërata e tij ka pasur për bazë mënyrën se si ky rrugëtim është parë në vendet ndërkombëtare. Nisur nga përvoja e tij si profesor në “Paris-VIII”, Kullashi është ndalur më shumë te mënyra se si është parë çështja e Kosovës në Francë.

Ligjërata e tij rrok çështje që nisin nga vitet ‘80 të shekullit të kaluar, përkatësisht demonstratat e 81-shit, format e ndryshme të represionit dhe diskriminimit që shteti jugosllav i bënte popullit shqiptar, interpretimi i këtyre ngjarjeve nga politika, media dhe intelektualët e ish- Jugosllavisë, Beogradit, Lubjanës dhe Sarajevës e të tjera. Shtjellimin e kësaj teme e nis me atë se si në fillim të viteve ‘90 ndodhitë e Kosovës nuk ishin edhe aq të pranishme në botën franceze. Kjo gjë ndryshoi krahas zhvillimeve dhe debateve për luftërat në Kroaci dhe Bosnjë, ndaj të cilave nisi të hynte edhe çështja e Kosovës.

“Në të vërtetë, në hapësirën publike të Francës nuk do të jenë aq të pranishme, me fillim të viteve ‘90, analizat e debatet mbi ngjarjet dramatike që janë zhvilluar në Kosovë në fillim të viteve '80. Me zgjerimin dhe thellimin e kërkimeve shkencore dhe debateve publike mbi luftërat në Kroaci dhe Bosnjë- Hercegovinë do te fillojnë të paraqiten gradualisht edhe analiza mbi ngjarjet në Kosovë, do të dalin në shesh format dhe përmasat e spastrimit etnik të institucioneve të Kosovës gjatë një decenie, e më vonë edhe të territorit të Kosovës. Lidhshmëria midis spastrimit etnik të institucioneve dhe spastrimit etnik të territorit të Kosovës nga mbarimi i viteve '90 do të fillojë të diktohet me thellimin e shqyrtimeve mbi Kosovën sa në mjediset intelektuale e shkencore, aq edhe në ato të sferave politike”, ka thënë Kullashi.

Në fund të vitit 1992, në “Ecole des Hautes en Sciences Sociales”, në Paris ishte mbajtur një konferencë kushtuar luftërave në ish-Jugosllavi. Në të Kullashi kishte lexuar një kumtesë, ku kishte përmendur disa aspekte specifike të politikës jugosllave e serbe karshi Kosovës.

“Në gjysmën e dytë të viteve '80, më saktësisht më 1987, në skenën politike të Serbisë erdhi Sllobodan Millosheviq. Ardhjen e tij në pushtet e ndihmuan strukturat partiake e shtetërore të Serbisë, të cilat do të sajojnë një projekt të ri politik mbi raportet me njësitë federative dhe popujt e tjerë në Jugosllavi. Brenda këtij projekti, prijësi i ri Millosheviq kishte për rol që t'i ndihmonte masat serbe, në saje të një identifikimi afektiv me prijësin si shpëtimtar, të kapërcenin frikën dhe pasigurinë e tyre. Kësisoj paraqitja e tij sikur u përgjigjej pritjeve të masave brenda krizës politike e ekonomike në Jugosllavi, duke e paraqitur si personalitet të fuqishëm dhe të vendosur për t'i riparuar ‘padrejtësitë dhe përbuzjet e popullit serb’”, ka lexuar Kullashi.

Sipas tij, Millosheviqi e kishte kuptuar qartë këtë pritje dhe qysh në fillim u kishte premtuar: “Serbia ose do të jetë e fortë dhe e bashkuar, ose nuk do të jetë fare”. Kullashi kishte përmendur edhe taktikat e politikës serbe.

“Prosedetë që i përdorte kjo propagandë, ishin të huazuara nga repertori klasik: falsifikimi i fakteve, përsëritja e shpeshtë e të pavërtetave, ndërtimi i një gënjeshtre të madhe me akumulimin e ‘të vërtetave të vogla’ dhe të ‘gjysmë të vërtetave’”, ka thënë Kullashi.

Në gusht të vitit 1992, në Die të Francës ishte mbajtur një konferencë shkencore kushtuar shpërbërjes së Jugosllavisë. Teksa flet për këtë, Kullashi tregon për dashurinë që elita franceze kishte në atë kohë për ish-Jugosllavinë.

“Vlen të rikujtojmë këtu se një pjesë e konsiderueshme e opinionit francez, si dhe elitat e shkolluara të Francës, kishin kultivuar një simpati ndaj ish-Jugosllavisë gjatë afro një gjysmë shekulli, ngase ajo ishte shkëputur nga blloku i vendeve nën ndikimin e Moskës dhe ishte hapur ndaj vendeve të Evropës Perëndimore. Udhëtimet e shpeshta te turistëve franceze, por edhe bashkëpunimi kulturor dhe shkencor i intelektualëve dhe artistëve francezë me qendrat e mëdha të Jugosllavisë (Beogradi, Zagrebi Lubjana, Sarajeva), kishin ndikuar që ata të kenë një pikëshikim tjetër mbi këtë shtet komunist. Mu për këtë arsye, elitave intelektuale franceze, shthurja dhe luftërat në Jugosllavi u dukeshin si fenomene që vështirë mund t’i lidhnin me realitetet qe i kishin njohur më parë”, ka shpjeguar Kullashi.

Tutje, Kullashi ka kujtuar edhe kohën kur në Francë u themelua komiteti i Kosovës, të cilit iu bashkuan emra të shquar të elitës franceze dhe i cili luajti një rol tejet të rëndësishëm në çështjen e Kosovës.

“Kur shpërtheu lufta në Bosnjë, një rreth i intelektualëve të çmuar të Parisit themeluan komitetin ‘Vukovar-Sarajevo’, pranë revistës prestigjioze ‘Esprit’. Disa muaj më vonë themeluam, në të njëjtin mjedis, edhe Komitetin e Kosovës, të cilit iu bashkuan edhe emrat më të shquar të filozofisë dhe sociologjisë bashkëkohore franceze: Claude Lefort, Edgar Morin,Pierre Hassner André Gluksmann, Alain Finkieleraute, Antoine Garapon, Olivier Mongin etj.”, ka thënë Kullashi.

Ka folur edhe për takimet e shumta që organizonte ky komitet, ndër të cilat edhe ato me presidentin e atëhershëm të Francës, Jacques Chirac.

“Komiteti i Kosovës gjatë një decenie organizoi konferenca shkencore për Kosovën, botoi libra dhe artikuj në revista prestigjioze ‘Esprit’, organizoi takime gjatë viteve me deputetët e Asamblesë nacionale, si dhe me senatorët, me ministra të resorëve të ndryshëm dhe me zyrtarë të lartë të presidencës, përfshirë edhe dy takime me presidentin Chirac, në vitin 1999”, ka kujtuar ai.

Kullashi ka theksuar se krahas debateve për Bosnjën, nëpër tribuna nisi të ftohej edhe një anëtar i Komitetit të Kosovës. Por, sipas tij, një gjë e tillë pati ndikim të dyfishtë, “në njërën anë pikërisht shpërthimi dhe tmerret e luftës së Bosnjës nxitën te disa intelektualë francezë, si Garaponi e Mongini, të interesoheshin për çështjen e Kosovës dhe të orvateshin të vënë lidhjen midis këtyre dy çështjeve”, ndërsa “në anën tjetër pikërisht tmerret e mëdha të luftës në Bosnjë bënin që dhuna e policisë serbe në Kosovë të mbetej për një kohë nën hije, së paku për opinionin e gjerë”, ka theksuar Kullashi.

Ai nuk ka lënë pa përmendur edhe organizimin që Komiteti i atëhershëm i Kosovës në Francë organizoi për Rugovën.

“Dua të përkujtoj këtu se Komiteti i Kosovës organizoi takimet e para të Ibrahim Rugovës me përfaqësuesit e autoriteteve franceze. Me qëllim të afirmimit të çështjes së Kosovës, Komiteti vendosi të botonte një libër bisedash me Rugovën. Bisedën e zhvilluan Marie-Françoise Allain dhe Xavier Galmiche, profesorë të universitetit dhe anëtarë të Komitetit. Parathënien e shkroi Ismail Kadare dhe ndihmoi që libri të botohej te botuesi i tij ‘Fayard’, më 1994. Libri pati jehonë mjaft të fortë në opinion”, ka kujtuar Kullashi.