Salla plot e “Odës” ka ngjarë me pamjen e 12 marsit të vitit 2012, kur ishte dhënë premierë në 9-vjetorin e teatrit, njashtu sikurse edhe në rastet kur ndër vite po kjo shfaqje është rikthyer, siç ka bërë edhe të martën mbrëma. “Sikur...” kaherë e ka krijuar identitetin e vet dhe kasta me anë të saj ia konfirmon këtë edhe vetes, por, mbi të gjitha, edhe lidhjen midis teatrit dhe publikut
Kur kanë kaluar 11 vjet prej premierës së “Sikur kjo të ishte shfaqje”, rikthimi i saj e dëshmon jo vetëm nivelin e potencialin e saj, por edhe qasjen e publikut, besnikërinë e vazhdimësinë e lidhjes me të. Salla plot e “Odës” ka ngjarë me pamjen e 12 marsit të vitit 2012, kur ishte dhënë premierë në 9-vjetorin e teatrit, njashtu sikurse edhe në rastet kur ndër vite po kjo shfaqje është rikthyer, siç ka bërë edhe të martën mbrëma.
“Sikur...” kaherë e ka krijuar identitetin e vet dhe kasta me anë të saj ia konfirmon këtë edhe vetes. Atë e kishte vulosur edhe me një dekadë më parë, kur pas premierës kishte qëndruar për dy vjet në repertor. Ishte testuar edhe jashtë vendit, kur qe shfaqur edhe nëpër disa vende të rajonit përfshirë – Serbinë, Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën e të tjera – për të vazhduar edhe në Suedi, Francë, Gjermani, Angli, Itali e të tjera.
Sikurse edhe bëhet e ditur nga titulli i saj, “Sikur kjo të ishte shfaqje”, bazuar në tekstin e Allmir Ishmireviqit, nën regji të Agon Myftarit, luan me atë që njihet si “thyerja e murit të katërt”. Në skenën e parë aktorët i shpjegojnë publikut për mënyrën se si bëhet teatër. Me anë të saj aktorët krijojnë lidhje edhe më të ngushtë me publikun. Shfaqja luan me ripërsëritjen e së njëjtës histori.
“Në autobusin numër 4 gjatë kohës së luftës në Prishtinë, një i ri i moshës 26-vjeçare, në farmerka dhe në fanellë të zezë, në afërsi të hotelit ‘Union’, plumbi i snajperit e thyen xhamin dhe e qëllon të riun në qafë. Një zonjë e veshur në të bardhë, e cila qëndronte pranë tij, filloi të bërtiste. Kur e sheh gjakun në këmishën e vet i bie të fikët. Dy orë më vonë ajo është parë sërish te Xhamia e Madhe, në afërsi të kafenesë ‘Romantika’, por kësaj radhe në shoqëri të një shoqeje më të re nga mosha, e cila i thotë: ‘Unë ngandonjëherë e bëj edhe nga katërmbëdhjetë herë!’ , lëpin akulloren dhe buzëqesh”.
Me mjeshtëri të rrallë, katër aktorët – Rebeka Qena, Adrian Morina, Armend Smajli dhe Besnik Krapi – e tregojnë këtë histori teksa transferohen në mbi tridhjetë karaktere të ndryshme, herë në rolin e mjekut, herë atë të intelektualit, tradhtarit, kullerit, këngëtarit, gazetarit, politikanit e të tjerë.
Për shkak të mënyrës se si tregohet, sa herë që në skenë portretizohet një personalitet tjetër, në sallë plasin të qeshurat. Megjithatë kulmi i dramës bën një përmbysje, e cila ngjall te publiku katarzisin. E tërë kjo komedi shërben për ta rritur intensitetin e tragjikes. Për ta përforcuar edhe më, në fund të shfaqjes aktorët ia japin publikut nga një fletë me të dhëna e luftës së fundit në Kosovë.
Regjisori i shfaqjes, Agon Myftari, është shprehur i kënaqur me jetëgjatësinë e “Sikur...”, por jo vetëm.
“Kjo shfaqje karakterizohet prej disa cilësive që e bëjnë këtë shfaqje të veçantë si produksion, njëri prej tyre është fakti që edhe pas 11 vjetëve luhet në teatrin e njëjtë ku e ka pasur premierën. Ka shëtitur në shumë vende të rëndësishme të Evropës e deri në Amerikë. Në rajon po se po, nëpër shqiptari e teatro të ndryshme. Këtu ka qenë në repertor të rregull të teatrit ‘Oda’. Nuk e di a ka mbetur kush pa e parë prej miqve dhe të afërmve që i njohim. Ka njerëz që vijnë e shohin nga katër a pesë herë. Por, ndjenjë e veçantë ta kemi një shfaqje që zgjat kaq shumë në repertor dhe ka këtë jetëgjatësi”, ka thënë ai.
Në roli e regjisorit dhe njohësit të teatrit, Myftaraj ka folur edhe për rëndësinë e rikthimit të shfaqjeve.
“Natyrisht që është shumë e rëndësishme me i rikthy shfaqjet. Nuk ishte dashur me qenë shumë problematike që një shfaqje e suksesshme që është luajtur në teatër të kthehet në repertorin e rregullt, në atë moment që është dëshmuar se ka publik siç pati sot. Janë disa probleme e njëri prej tyre është edhe buxheti i limituar. Me buxhetin që u jepet ta zëmë teatrove të komunave, mezi mjaftojnë që t’i krijojnë tri shfaqje të reja gjatë vitit. E ku mbetet pastaj rikthimi i shfaqjeve. Ato sigurisht kushtojnë, duhet të paguhen e gjëra të tjera”, ka thënë ai.
Pas përfundimit të shfaqjes aktori Armend Smajli ka kujtuar momentet e para kur ekipi i shfaqjes ishte mbledhur në inskenimin e saj.
“Është njëfarë ndjenje e veçantë. Është edhe çuditshme me të thënë të drejtën, sepse 11 vjet nuk janë pak dhe mu në këtë vend u patëm mbledhur në atë kohë, me entuziazëm me vetiniciativë: ‘Hajde po e bëjmë një shfaqje’ pa e ditur se çka po bëjmë. Qe disa vjet e kemi bërë që ta luajmë së paku një herë në vit. Aq shumë e duam këtë shfaqje. Plot na thërrasin edhe neve dhe teatrin për të pyetur se kur do ta luani. Nuk është lehtë që një shfaqje të jetojë kaq gjatë, por është edhe kënaqësi me i nda 11 vjet edhe me publikun, edhe me kolegët”, ka thënë Smajli.
Përveç disa elementeve të vogla, anësore, “Sikur...” ka mbetur e njëjtë. Kjo edhe për shkak të një marrëveshjeje që ekipi kishte bërë para disa vjetësh.
“Kur kalojnë 11 vjet ti e gjykon shfaqjen tënde, por e kemi bërë një parim para dy vjetësh që nëse e luajmë do ta luajmë ashtu siç ka qenë, sepse ndodh në ndonjë moment që nuk pajtohemi ose që mendojmë që mund të bëhet më mirë, por jemi pajtuar që me lënë ashtu siç ka qenë, ashtu si e kemi menduar në atë kohë, ashtu si e kemi parë teatrin në atë kohë do të thotë, pavarësisht ndryshimeve, kemi vendosur ta lëmë ashtu siç është”, ka treguar Smajli.
Aktorja e vetme e shfaqjes, Rebeka Qena, ka kujtuar vitet e para pas premierës dhe shfaqjen e saj nëpër shtete të shumta të rajonit, Evropës e më gjerë.
“Kemi qenë pothuajse në tërë Evropën. Kemi qenë në Suedi, Itali, Francë, Angli, Gjermani, Zvicër Sarajevë dhe e kisha cekur se edhe vetë autori e ka parë shfaqjen – ne kur e kemi gjetur tekstin kemi komunikuar me të – dhe për të ka qenë interesant, sepse kjo shfaqje ka qenë kult në Sarajevë pas lufte dhe ka pasur një shikueshmëri shumë të madhe”, ka thënë ajo, duke shtuar se teksti i autorit boshnjak qe inskenuar në Beograd. Ani pse versioni i Kosovës kishte bërë goxha ndryshime në tekst, autorit i kishte pëlqyer shfaqja, pasi ishte ruajtur sinqeritetin “Thoshte se duhet ta kesh një mentalitet të viktimës në kuptimin se duhet të përjetosh diçka dhe me bashkëndje me këndo që është viktimë dhe ne në shumë forma kemi qenë dhe jemi dhe nuk është që shumë shpesh e përkujtojmë këtë”, ka thënë Qena.
Edhe pse kanë kaluar njëmbëdhjetë vjet, publiku vazhdon të ndiejë shfaqjen me të njëjtën mënyrë e me të njëjtin entuziazëm. Këtë gjë e kanë hetuar edhe aktorët.
Qena ka thënë se ka shumë vende në teatro të ndryshme ku ka shfaqje që jetojnë deri në 50 vjet. “Është vetëm diçka që duhet të fillojë të kultivohet dhe të mendohet edhe për këto aspekte. Diçka që mundemi dhe duam. Sonte janë kthyer shumë e shumë njerëz. Nuk ndalej telefoni për shkak të shfaqjes. Krijohet një kult, krijohet një ide, por në fund të fundit ka publik”, ka thënë ajo.
Për gazetarin Uranik Emini, “Sikur kjo të ishte shfaqje” ka qenë premierë.
“M’u duk një shfaqje tepër e mirë. Unë e pashë këtë madhështinë e Agon Myftarit dhe mënyrën se si një shfaqje që është bërë para 11 vjetësh në teatrin ‘Oda’, është rikthyer dhe e ka paraqitur realitetin tonë përmes komedisë, që përmes mendimit tim është shumë e vështirë, por aktorët sikurse Rebeka Qena, Adrian Morina, Armend Smajli, Besnik Krapi i japin kuptim shumë të madh teatrit dhe kulturës në Kosovë dhe jam shumë i lumtur që e kam parë këtë shfaqje”, ka thënë ai.
“Sikur kjo të ishte shfaqje” ka shënuar rikthimin me vetëm një reprizë. Ani pse kërkesat janë të shumta, ende nuk ka diçka konkrete lidhur me atë nëse shfaqja do të jepet përsëri.
“Sikur kjo të ishte shfaqje” ruan po atë skenografi të 2012-s, me gazeta të cilat nuk shtypen më...