Deri më sot, Muzeumi i Holokaustit ka njohur 75 shqiptarë si “Fisnik mes Kombeve”, për rolin e tyre në shpëtimin e hebrenjve. Por historia e shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, është bërë e njohur relativisht vonë.
Një meritë të madhe për këtë ka Josef Jakoel, një ekonomist izraelit, i lindur në Vlorë më 1922. Në vitet e fundit të regjimit komunist në Shqipëri, Josef Jakoel hartoi një dorëshkrim për hebrenjtë e Shqipërisë, që për më shumë se 30 vjet, do të mbetej i pabotuar.
Siç rrëfen e bija e tij, Felicita Jakoel, në vitin 1990, kur pasi ishte pajisur me pasaportë dhe kishte udhëtuar fshehtas në Izrael, babai i saj i kishte përgatitur një listë me emrat e shqiptarëve që kishin strehuar hebrenj, të cilën ajo ia kishte dorëzuar autoriteteve të Institutit dhe Muzeumit të Holokaustit “Jad Vashem” në Jerusalem. Refik
Veseli u bë shqiptari i parë i njohur nga Jad Vashem si “Fisnik mes Kombeve”. Më 1991, disa muaj para largimit nga Shqipëria për në Izrael, Josef Jakoel dhe Refik Veseli themeluan “Shoqatën e miqësisë Shqipëri – Izrael”. Nga atëherë e deri sot, 75 emra të shqiptarëve janë gdhendur në “Murin e Kujtesës” në Jad Vashem. Por do të duhej të vinte viti 2020, që dorëshkrimi i Josef Jakoel, të botohej si libër më vete, me titull “Izraelitët në Shqipëri”. Ai është përgatitur për botim nga studiuesi Agron Alibali, kurse është botuar nga shtëpia botuese “Çabej”. Me një pasthënie të shkruar nga kongresisti amerikan Joseph DioGuardi, “Izraelitët në Shqipëri” është i pari libër që rrëfen historinë e hebrenjve në Shqipëri dhe shpëtimin e tyre, nga pikëvështrimi i një hebreu që gjithë jetën e ka kaluar në Shqipëri.
Në gjithë Europën, Shqipëria është i vetmi vend ku pas Luftës së Dytë Botërore, numri i hebrenjve ishte më i madh se para luftës, madje 10-fish më i madh, nga rreth 300 sa kishte para Luftës së Dytë Botërore në mbi 3000 pas saj.