Art me baltë apo argjilë, është një mënyrë tjetër e të shprehurit që ka marrë vëmendje së fundmi në Kosovë.
Ata që e praktikojnë, e konsiderojnë me një pëlhurë pikture, raporton emisioni SOT në KTV.
E veçantë e këtij arti është se formën e produktit final mund ta përcaktojë vetë punuesi.
Aktualisht ka rritje të numrit të personave për të krijuar gjëra unike e për t’iu kthyer punimeve artizanale.
Të tilla janë edhe vajzat që vijojnë kursin e argjilës në Prishtinë.
Ovale, katrore, të vogla e të mëdha, janë punimet e tyre që ndërrojnë nga java në javë.
Meqenëse shumicën e kohës përdoren si elemente dekorative, ato thonë se punimet e tyre i ruajnë për vete apo i përdorin si dhuratë për të tjerët.
Laura Kryeziu, pronare e studios “Ura”, thotë se u dashurua që në kontaktin e parë me argjilën. Mësimet e para rreth artit të qeramikës i mori gjatë kohës së studimeve në Tiranë.
Sipas saj, aty i mësoi teknikat e ndryshme të modelimit, të cilat edhe sot e kësaj dite i aplikon.
Ajo thotë se për të arritur në produktin final duhet kaluar një proces i gjatë.
Sipas Kryeziut, ajri, uji, zjarri e dheu janë elementet kyç pa të cilat nuk mund të punohet.
Ndërsa për mjetet e tjera, ndonëse ekzistojnë, ajo thotë se nuk janë shumë të domosdoshme.
Njohurinë e dashurinë për këtë art para 4 vjetëve vendosi t’i ndante edhe me të tjerët. Përveç punimeve që i ka në shitje, ka hapur edhe kursin për fëmijë e të rritur. Ajo thotë se për vazot e pjatat e fëmijëve ka hapur edhe ekspozita.
Përveç mësimit në grup, Laura mban edhe punëtori, ku më së shumti interesim kanë shprehur të huajt.