Kulturë

“Si e verdhë e sëmurë” merr “Zemrën e Sarajevës” për dokumentar të shkurtër

Norika Sefa

“Jam vërtet falënderuese. Festivali i Filmit në Sarajevë ka qenë shumë zemërgjerë në rrugëtimin tim të filmbërjes. Faleminderit, festivalit për ftesën dhe jurisë për njohjen e filmit. Ka qenë një shfaqje shumë e mirë. Ka qenë kënaqësi që ka pasur njerëz që donin të flisnin më shumë për filmin. Festivali ka një shpirt që vërtete e vlerësoj”, ka thënë regjisorja Norika Sefa nëpërmjet një videomesazhi në ceremoninë e ndarjes së çmimeve

Filmi dokumentar që u dha premierë në janar të këtij viti tash ka një tjetër çmim. Atë në Festivalin e Filmit në Sarajevë – si më e madhja ngjarje e botës kinematografike në Evropën Juglindore. Filmi dokumentar “Si e verdhë e sëmurë” nën regji të Norika Sefës me rrëfime unike nga videokasetat e vjetra ndërthur të bukurën dhe të trishtën brenda 23 minutave

As një muaj prej kur mori trofeun kryesor në Festivalin ndërkombëtar të filmave dokumentarë dhe të shkurtër “DokuFest”, filmi “Si e verdhë e sëmurë” i Norika Sefës ka fituar “Zemrën e Sarajevës” për filmin më të mirë të shkurtër dokumentar. Filmi me rrëfime unike nga videokasetat e vjetra ndërthur të bukurën dhe të trishtën brenda 23 minutave. 

Filmi që u dha premierë në janar të këtij viti tash ka një tjetër çmim. Atë në Festivalin e Filmit në Sarajevë – si më e madhja ngjarje e botës kinematografike në Evropën Juglindore. 

Në garën e dokumentarëve juria ka qenë në përbërje prej çekut Marek Hovorka, themelues e drejtor i “Ji.hlava International Documentary Film Festival”, regjisorit, skenaristit e producentit kinez Wang Xiaoshuai dhe Mandy Chang, themelues e drejtor kreativ në rrjetin dedikuar prodhimit të dokumentarëve “Undeniable, Fremantle's label”. 

Regjisorja nga Kosova, Norika Sefa, nuk ka qenë e pranishme në ceremoninë e ndarjes së çmimeve që është mbajtur të premten mbrëma, për shkak të skadimit të vizës që i ishte dhënë për vetëm katër ditë. Por publikut e organizatorëve u është drejtuar me një video mesazh. 

Ka thënë se Festivali ka qenë zemërgjerë në rrugëtimin e saj si filmbërëse. 

“Jam vërtet falënderuese. Festivali i Filmit në Sarajevë ka qenë shumë zemërgjerë në rrugëtimin tim të filmbërjes. Faleminderit festivalit për ftesën dhe jurisë për njohjen e filmit. Ka qenë një shfaqje shumë e mirë. Ka qenë kënaqësi që ka pasur njerëz që donin të flisnin më shumë për filmin. Festivali ka një shpirt që vërtet e vlerësoj”, ka thënë ajo. derisa ka folur edhe për përvojën e saj në punimin e filmit “Si e verdhë e sëmurë”. 

“Duke e punuar këtë film, duhej të vija në pikëpyetje rolin tim si filmbërëse, sepse filmi është punuar nga materialet e mia dhe zakonisht ato imazhet janë të bukura ashtu siç janë, kështu që kur erdha atje dhe doja të vija rend, bëja shumë pyetje se si asgjë nuk është sekret, si vendos diçka jashtë kontekstit dhe bëhet diçka tjetër”, ka thënë ajo.

Sefa ka thënë se filmbërësit e gjejnë drejtësinë nëpërmjet punimit të dokumentarëve.

“Mënyra se si ne filmbërësit e komentojmë, e riformojmë, zbulojmë shumë gjëra dhe madje e kthejmë atë imazh kundër vetvetes, mendoj se kjo është drejtësia të cilën e bëjmë me mënyrën se si duam të shprehim vetveten. Derisa flasim për drejtësinë, është e padrejtë se si nuk mund të jem tani atje me ju. Kjo, sepse kisha viza për katër ditë dhe duheshin një muaj për ta bërë një të re”, ka thënë Sefa më tej në videomesahzin që është shfaqur për të pranishmit. 

Sefa shpalos histori magjepsëse nga videokasetat e vjetra të historive të familjeve, anëtarë të të cilave nuk janë më. Aty ndërthuren bukuria dhe e trishta, duke ndërtuar rrëfime unike. Rrëfimi aty konsiderohet si përrallë misterioze dhe magjepsëse për jetët që nuk janë më aty. 

Për çmimin në Festivalin e Filmit në Sarajevë ka reaguar Qendra Kinematografike e Kosovës. 

“Filmi është një zhytje në kujtesën e Norës, ku realitetet shkrihen, e keqja dhe e bukura ndërthuren derisa të gjitha përzihen dhe formohet diçka tjetër.

"Si e verdhë e sëmurë" (23') është realizuar me mbështetjen e QKK-së, prodhuar nga shtëpia filmike CMB, me producent Mentor Shalën e bashkëproducent Besnik Krapin e Norika Sefën, dhe distribuohet nga Square Eyes”, shkruhet në reagimin e QKK-së. 

“Si e verdhë e sëmurë” së fundi u shpall fituese e edicionit të 23-të të “DokuFest” në edicionin ku Gara Kombëtare erdhi në qendër të festivalit. 

Regjisorja Sefa kishte marrë çmim edhe tri edicione më parë të këtij festivali. 

“Në kërkim të Venerës”, nën regji të saj, në gusht të vitit 2021 kishte fituar çmimin “Përmendje speciale për barazi gjinore”.

Këtë edicion, në të 30-tin me radhë, në garë të festivalit ka qenë edhe filmi “Rrugës” i Samir Karahodës. 

Festivali i Filmit në Sarajevë cilësohet si eveniment më i madh i filmit në Evropën Juglindore dhe një prej më të mëdhenjve në Evropë. Historia e tij nisi më 1995, pikërisht kur Sarajeva mbahej e rrethuar nga forcat ushtarake serbe.

Edhe në një situatë të rëndë lufte, edicioni i parë me filma nga 15 vende të botës ishte përcjellë nga 15 mijë njerëz. Festivali tash zë vend në Teatrin Kombëtar të Sarajevës, përballë të cilit ndodhet sheshi i festivalit ku shtrohet tepihu i kuq. Shfaqjet e filmave mbahen në “Metalac”, Qendrën Kulturore Boshnjake, si dhe në pesë kinema të tjera dhe lokacione projeksioni gjithandej kryeqytetit. Në tepihun e kuq të Festivalit të Sarajevës kanë parakaluar edhe yje të njohura të botës së filmit si: Angelina Jolie, Brad Pitt, Robert de Niro, Orlando Bloom, Morgan Freeman, Gerard Depardieu, Benicio del Toro, e të tjerë.