Kulturë

Shuk Orani e avancon “Experience” me botën e artit digjital

NFT

“Experience.NFT” vjen si adresë për zhytje në botën magjepsëse të artit të ndikuar nëpërmjet teknologjisë si kanal për lidhjen e krijimeve të artistit dhe audiencës. Do të hapet më 13 prill në Hamburg

Janë më pak se një muaj prej kur artisti multimedial Shuk Orani shpalosi serinë e veprave si një univers i veçantë nën emërtimin “Experience”. Bota artistike e tij ishte eksploruar brenda tridhjetë pikturave me ngjyra vaji në pëlhurë më 15 mars në qytetin e Hamburgut. Tash ekspozitën e avancon me disa prej veprave në formatin digjital. 

Aty për aty publiku do të ketë mundësi t’i bëjë veprat për vete. Në 16 ekrane do të shfaqet puna artistike e Oranit që është emër i njohur në skenën gjermane të artit. Krahas veprave në formë klasike të punës, në të njëjtin ambient ku veprat e ciklit “Experience” ishin shpalosur, aty punën e tij e prek një epokë revolucionare në botën e artit.

Në “Atelier SO” ekspozita si tërësi e veprave në formë të NFT-ve merr një prapashtesë. “Experience.NFT” vjen si adresë për zhytje në botën magjepsëse të artit të ndikuar nëpërmjet teknologjisë si kanal për lidhjen e krijimeve të artistit dhe audiencës. Do të hapet më 13 prill në hapësirën e “Tregut të prodhimeve” të Galerisë.

“Kjo është tani pjesë e programit të ekspozitës ‘Experience’. Kësaj radhe në plan janë prezantimi i NFT nga shumë punë digjitale që kemi. Do të kemi diku 16 monitorë të madhësive të ndryshme në të cilën do të prezantohen punët digjitale të cilat edhe mund të blihen direkt”, ka bërë të ditur artisti Orani në një përgjigje për KOHËN.

Sipas tij, kjo formë e krijimit është shumë interesante dhe jo aq e mundimshme sa puna klasike e të krijuarit. Porse ka edhe barrierat e veta.

“Është një mundësi e mirë e shpërndarjes së punëve të artistëve edhe në formë digjitale. Natyrisht që edhe pjesa e shndërrimit të punëve në NFT është e kushtueshme, por besoj më pak se ajo klasike. Është një shans i mirë për të gjithë krijuesit. Për fat të keq, edhe kjo formë e prezantimit ka barrierat e veta dhe është po ashtu me hierarki jo të volitshme për fillestarët”, është shprehur artisti Shuk Orani.

Ai është artist multimedial që deri më tani ai ka marrë pjesë në rreth tridhjetë ekspozita në vende të ndryshme si në Kinë, Gjermani, Francë, Britani të Madhe, Zvicër, Itali, Spanjë, Kosovë e Kroaci. Disa nga ekspozitat e tij të njohura si “Long term” vazhdojnë të jenë të hapura nëpër vende të ndryshme të botës.

Versioni i veprave të ekspozitës në formë të NFT-ve vjen krahas programit me tema të tjera, sipas Oranit. Njëra prej tyre është edhe “Experience.NFT” që prezanton botën digjitale të artit. Ekspozita prezanton edhe vepra të reja të artistit.

Artisti, veprat e të cilit janë ekspozuar edhe në Louvre e kanë mbërritur deri në Pekin, është edhe pjesë e disa platformave digjitale të artit. Në “foundation.app”, vepra e tij “The Game 2” vjen si monument magjepsës prej figurash abstrakte të veshura me një lloj energjie ekzistenciale.

“E rrënjosur fort në traditën ekspresioniste, ‘The Game 2’ (2021) është një eksplorim mjeshtëror i ankthit me oktan të lartë që përshkon përvojën njerëzore. Kjo pikturë nxjerr në pah një peshë të dukshme, të veshur me blloqe ngjyrash audicioze dhe kufij të saktë gjeometrikë që përballen me guxim me shikuesin”, shkruhet në shpjegimin e veprës së Oranit, i cili ka bërë të ditur se kjo vepër do të jetë pjesë e ekspozitës digjitale.

Një tjetër punë nga opusi i artistit që do të prezantohet do të jetë edhe vepra që si një mozaik ngjyrash bashkohet për të formuar atë që perceptohet si portreti i një gruaje. Prapavija dhe pjesa e fytyrës vishen me nuancat e ngjyrës bezhë. Minimale janë prekjet me ngjyrë të ngrohtë në veprën “Leda-D”, por ato të mbyllura dhe të errëta formësojnë figurat e fytyrës. Siç ka bërë të ditur Orani, ajo është interpretim i një skice të realizuar në vitin  1503 nga Leonardo da Vinçi.

Koleksioni i ekspozitës “Eksperience”, që ishte hapur më 15 mars, përfshinte vepra nga disa cikle që artisti Shuk Orani i ka punuar ndër vite si: “Transcendenc”, “The Game”, “Limitless”, “Homosaphia 2000”, “Omage GK”, “Personalitete nga historia” e të tjera.

Ekspozita kishte zgjuar interes tek publiku dashamir i artit dhe jo vetëm.

“Është pritur me shumë interes. Kemi pasur disa koleksionistë arti që e kanë vizituar, por edhe shumë kuratorë e galeristë”, ka bërë të ditur Orani.

Në “Marktplatz der Manufakturen” (Tregu i prodhimeve) ishin shfaqur veprat që theksonin shprehjet artistike të Oranit.

“Tregu i prodhimeve” është një vend i ri për prodhimin dhe zejtarinë manufakturore në Hamburg. Është një nga tregjet më të njohura në skenën gjermane të dizajnit dhe artizanatit”, shkruhet në ueb-faqen e saj.

Gjithashtu do të ekspozohet me ekspozitë edhe artistja e veprave digjitale dhe të punuara me anë të inteligjencës artificiale, Kenta Haruki, nga Tokio. Me këtë ekspozitë ajo edhe debuton në Evropë si artiste.

Në programin e hapjes së 13 prillit përfshihet edhe programi muzikor me muzikë klasike nga violinisti Nathan Paik, ku do të interpretojë vepra nga Bachu, Zimmermann, Ysaye e të tjera.

Ekspozita e Shuk Oranit sikurse edhe krijimtaria e tij ka për qëllim të transformojë e të provokojë mendime.