Kulturë

Shtyhen “World Choir Games”, dyshja e “Siparantum” i bashkohet thirrjes me këngë

Organizatorët e edicionit të 11-të të “World Choir Games” në Belgjikë kanë zgjedhur një mënyrë atraktive për të dhënë lajmin se e kanë shtyrë edicionin e sivjetmë. Kanë publikuar një video ku anëtarë nga kore të ndryshme të botës këndojnë së bashku këngën “Better is one day”, me thirrjen që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi.

Në mesin e tyre janë edhe tenori Anton Çivlaku e sopranoja Lumturije Shabani nga “Siparantum”. Kori nga Peja ishte përzgjedhur ta përfaqësonte Kosovën në këto gara. E përveç videos, rrjeti i organizatave jofitimprurëse “Interkultur” ka lëshuar edhe një komunikatë për shtyrjen.

“The World Choir Games”, gara më e madhe e koreve në botë, pritej të mbahej prej 5 deri më 15 korrik në Antwerp dhe Ghent të Belgjikës, e tash pritet që të mbahet prej 2 deri më 12 korrik të vitit që vjen. Dirigjenti e themelues i “Siparantum”, Memli Kelmendi, njëherësh anëtar i Këshillit Botëror të Koreve (World Choir Council), ishte njoftuar të shtunën mbrëma për shtyrjen e garave, pjesë e të cilave ishte edhe kori që ai udhëheq. Ka thënë se vendimi është i duhuri, duke marrë parasysh situatën.

“Mendoj që ky është një vendim i drejtë, duke marrë parasysh që janë mbi 25.000 pjesëmarrës. Kjo nuk paraqet aspak problem për ne, përkundrazi jam i lumtur për këtë, meqë ne do të kemi kohë më shumë që të gjejmë fonde dhe artistikisht do të jemi më të përgatitur. E rëndësishme është që ne jemi pjesë e garës më të madhe korale në botë”, ka thënë Kelmendi.

Kori “Siparantum” në janar ishte detyruar ta lansonte thirrjen për ndihmë nga biznese e artdashës. U nevojiteshin 23 mijë euro që të mbulonin krejt shpenzimet për pjesëmarrje në garat ku Kosova si shtet do të merrte pjesë për herë të parë. Kjo shumë ende nuk është arritur. “Duke iu falënderuar të gjithë atyre që deri tani janë munduar maksimalisht që të sigurojnë fonde për udhëtimin tonë në ‘World Choir Games’, si Zyra e presidentit të Republikës së Kosovës, shoqata ‘Peja’ në New York, shoqata ‘Peja’ në Londër, Ambasada e Francës në Kosovë, AFK, Gazmend Pavata, Afrim Shabani, Nazmi Morina e të tjerë.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar.