Shtojca për Kulturë e “Kohës Ditore” sot (e diel) sjell numrin special dedikuar shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare (28 janar 1936 – 1 korrik 2024).
Jeta dhe vepra e tij shpalosen në shkrimet e akademikëve e studiuesve të veprës së tij sikurse dhe në të tjera shkrime të gazetarëve dhe në intervista.
“Lëvizjet e lehta në rrëfimet e tij të çojnë nga lashtësia tek implikimet moderne, nga realitetet te gjendjet gjysmë-ëndërr, nga vegimi te shpërgjumja, nga tributet për diktatorin te synimi për zhbërjen e tij, nga institucioni i manipulimit të ëndrrave te gjendja e të riut të habitur në atë mjedis. Lëvizjet në vende, rrëfime e referenca të ndryshme, e bëjnë atë mjeshtër të madh të letërsisë”, shkruan akademik Rexhep Ismajli në shkrimin “Mjeshtër i madh i letërsisë”.
Akademik Mehmet Kraja, shkruan për Kadarenë dhe Kosovën përderisa titulli i shkrimit të akademik Sabri Hamitit është “Triumfi i artistit”. “Ismail Kadare në aktin krijues letrar është një i rebeluar i metodës sepse në anën tjetër ai ende formalisht, me shkrim, mbron Realizmin Socialist në Shqipëri si metodë krijuese. E thënë me gjuhën e letërsisë këtu kemi triumfin e artistit sepse askush nuk mund ta mohojë që zëri i tij artistik të jetë bërë jehonë e identitetit shqiptar në botën e jashtme”, shkruan akademik Hamiti.
Shkrimtari e studiuesi Ag Apolloni ekskluzivisht për këtë numër të Shtojcës sjell shkrimin “Stinë mërzie nën Olimp” përderisa Skënder Latifi shpalos rrëfimin për Kadarenë e mohuar në Luginën e Preshevës. Shpalos edhe bisedat me të sikurse edhe rastin e “burgosjes” së librave të Kadaresë.
“Beteja postmortum e Kadaresë tashmë është me kohën, këtë armike të kinse vlerave, por edhe zonjën sublime të përjetësisë. Një javë më vonë, Kadareja po shpëton nga panegjirikët, ndërsa po rrugëton me kujtimin e njerëzve, që e identifikuan veprën e tij me vlerën”, shkruan gazetari, studiuesi e përkthyesi Ben Andoni.
Historiani e diplomati Sylë Ukshini i rikthehet Konferencës së Rambuillet dhe letrës së Kadaresë dërguar delegacionit shqiptar.
“Mbështetja e patundur për dekada e Kadaresë për kauzën e Kosovës, dhe mbështetja e mëvonshme e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në luftën e Kosovës dhe pavarësinë e saj, ndoshta i mohoi atij mundësinë për të fituar çmimin ‘Nobel’ për letërsi”, shkruan Ukshini përderisa kritikja e quan Melanie McDonagh një shkrimtar që e meritonte vërtet “Nobelin”.
Në këtë numër botohet edhe parathënia e botimit të parë në frëngjisht të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” sikurse edhe shkrimet e studiuesve Emin Kabashi e Arben Hoxha i cili Kadarenë e cilëson si mendje letrare që nuk vdes kurrë.
Po ashtu në këtë numër botohet edhe intervista e gjatë Kadaresë me kritiken Shusha Guppy botuar në “Paris Review” më 1998. “Të shkruarit nuk është as një profesion i lumtur dhe as i palumtur – është diçka në mes. Është pothuajse një jetë e dytë. Shkruaj me lehtësi, por gjithmonë kam frikë se mund të mos jetë mirë. Nevojitet një humor i qëndrueshëm; edhe lumturia edhe palumturia janë të këqija për letërsinë. Kur je i lumtur, priresh të bëhesh i lehtë, jo serioz dhe nëse je i palumtur, këndvështrimi juaj shpërqendrohet. Së pari duhet të jetosh, ta përjetosh jetën dhe më vonë të shkruash për të”, kishte thënë Kadare në këtë intervistë përkthyer nga Enis Bytyqi e ku Kadare ku flet për jetën, fëmijërinë, diktaturën e shumëçka tjetër.
Në këtë numër ribotohet edhe shkrimi që Kadare e kishte shkruar për “Kohën Ditore” në dhjetorin e vitit 2009, pas vizitës së tij në Prishtinë kur iu nda çmimi “Rexhai Surroi” për romanin më të mirë. Shkas për këtë shkrim do të bëhej libri “I izoluar: rrëfimet nga tunelet tmerrit” përuruar në atë ceremoni. “Pas ceremonisë në ‘Grand’, më duhet të nisem në aeroport. Është jashtëzakonisht ftohtë. Kalendari shënon 22 dhjetor. Rrugës i kërkoj Veton Surroit një kopje të librit. Kam dy avionë për të ndërruar dhe më duket se asgjë tjetër nuk mund të lexoj përpara këtij libri. ‘I izoluar’. Mbulesa e zezë me një spikamë gardiani burgjesh. Mbi gjashtëdhjetë dëshmi. Një listë prej 253 intelektualësh të burgosur, izoluar, torturuar. Redaktor Zenun Çelaj. Reçenzentë Adem Demaçi dhe akademik Gazmend Zajmi. Ky i fundit në parathënie shkruan midis të tjerash: ‘Nga ana e një pushteti u dëshirua jo vetëm mposhtja e një vullneti të një populli, por edhe shembja e tërë trashëgimisë së civilizimit juridik në botë’. Ashtu sikurse çdo herë kur hapet dosja e Kosovës, pyetje të shumta janë të pashmangshme. Ndër to janë së paku tri pyetje...”, shkruante Kadare në shkrimin “Prishtina në dhjetor”.