“KOHA Ditore” e 20 prillit sjell numrin special të Shtojcës për kulturë dedikuar shkrimtarit të shquar botëror, Mario Vargas Llosa (28 mars 1936 – 13 prill 2025)

“Shkrimtari që na ndihmoi të dalim nga ferri” është titulli i shkrimit të shkrimtarit e studiuesit Ag Apolloni. “Përderisa përskaj shumë intelektualëve që nuk bënë zë në kohën e një krize të tillë, mund të kalojmë indiferentë dhe, përderisa përskaj tipave si Chomsky dhe Handke, mund të kalojmë duke i parë me neveri, përskaj tipave si Mario Vargas Llosa gjithmonë duhet të heqim kapelën dhe t’i përshëndesim me dorë në zemër”, shkruan Apolloni.
Studiuesja e poetja Blerina Rogova-Gaxha sjell tekstin “Borxhi i Llosas” i cili sipas saj, “shkroi sikur donte të shpëtonte diçka, sikur të kishte një borxh ndaj shtypjes së njeriut, siç kemi secili një borxh për të lënë një shenjë, një gjurmë, për vete e për të tjerë”.
Studiuesja Eronita Kqiku i bën një lexim disa prej veprave të Llosas, “shkrimtarit provokativ” i cili theu tabu e klishe.
Në këtë numër botohet edhe njëra prej intervistave më përmbajtjesore të Llosas, në të cilën e zbërthen librat e shkrimtarët që ka lexuar, procesin e të shkruarit, frymëzimin e shumëçka tjetër.
“Koka e Millosheviqit” është titulli i njërës prej eseve që shkrimtari i madh i shkroi në vitet ’90, kur u bë zë i Kosovës.
“Dëshmitë e mbledhura përmes refugjatëve kosovarë në Maqedoni dhe Shqipëri tregojnë për një planifikim gjakftohtë, të ekzekutuar me precizitet shkencor. Në fshatrat e pushtuara, të rinjtë ndahen nga fëmijët, pleqtë nga gratë, dhe ekzekutohen, ndonjëherë duke i bërë që të hapin varret e tyre së pari. Të mbijetuarve u jepet një afat i shkurtër për të ikur jashtë vendit, për t’i privuar më pas nga dokumentet personale”, kishte shkruar Llosa më 13 prill 1999.
Në këtë numër, botohen shkrimet homazh edhe për shkrimtarit hebraik-serb, Filip David, i cili vdiq këtë javë.
Gazetari e shkrimtari Enver Robelli, sjell shkrimin “Duke ikur nga e keqja dhe vrapuar drejt qershisë shpëtimtare”.
“Në njërën nga intervistat e tij (dhënë dy vjet më parë televizionit N1) ky shkrimtar e humanist i madh nuk ngurroi ta kritikojë ashpër opozitën serbe për refuzimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës. ‘Shoqëria e bazuar në rrena është shoqëri pa dinjitet dhe moral dhe shpresë të vërtetë’”, shkruan Robelli.
KOHA sjell edhe shkrimin e Davidit, “Të jesh hebre në Beograd”, një letër dërguar shkrimtarit Mirko Kovaç në të cilën, ndër të tjera, i shkruan për shpërthimin e nacionalizmit serb.
Në këtë numër të Shtojcës mund të lexoni edhe shkrime të tjera ekskluzive.
“Arbanasit në Malësinë e Shkupit në shekullin X dhe burimet mesjetare”, është shkrimi i studiuesit Skënder Latifi, një kritikë e thukët e burimeve mesjetare serbe. “Mjafton fakti që ne e dimë sot se rreth shekullit X arbanasit janë ruajtur midis maleve të Shkupit. Fisi mendjehollë i arbanasve, këmbëngulës dhe i rezistueshëm, është zgjeruar më tej duke shkrirë në vetvete të gjithë përzierjen e dikurshme të popullsisë alogjene”, janë dëshmitë e Stojan Novakoviqit që shpalosen në këtë studim.
Po ashtu, Latifi sjell edhe vazhdimin e serisë së teksteve në “125-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Vilajetit të Kosovës dhe principatës së Serbisë”.
“Edhe pse dhjetëvjetëshi i parë i shekullit XX është përplot me ngjarje të përgjakshme dhe ekspedita të mëdha të pushtetit ndaj shqiptarëve, megjithatë edhe revolucioni i Turqve të Rinj nuk kaloi pa pjesëmarrjen kyçe të faktorit shqiptar. Në rrjedhën e ndryshimeve që i solli revolucioni edhe në kryeqendrën kosovare në Shkup, nisi zhvillimi i aktiviteteve të bujshme të partive politike. Kuptohet se shqiptarët ishin të përfshirë në partitë ekzistuese dhe rrjedhimisht pozicionimi i tyre ishte në favor të Turqve të Rinj, por megjithatë, kishte edhe polarizime midis tyre”, shkruan ai në tekstin “Shpresat e Turqve të Rinj dhe ekspeditat e pushtetit ndaj shqiptarëve”.
“Gjykimet për Kosovën dhe përpjekjet e serbëve për fshehjen e krimeve”, është titulli i analizës së studiuesit Sylë Ukshini për librin e Eliott Beharit, “Tregoji botës: Drejtësia ndërkombëtare dhe fushata për t’i fshehur vrasjet në masë në Kosovë”.
Këto dhe shkrime të tjera mund të lexohen në portalin koha.net në rubrikën Shtojca për kulturë.