Udhëzimi administrativ për kriteret, rregullat dhe procedurat lidhur me lëshimin, administrimin dhe revokimin e licencave profesionale për personat fizikë dhe juridikë në fushën e trashëgimisë kulturore është dokumenti që do të duhej të nxirrej qysh më 2006, kur u miratua Ligji për trashëgimi kulturore. Vjen tek tash dhe për njohësit e kësaj fushe – me gjithë vërejtjet në lidhje me disa specifika – është hap i domosdoshëm në fushën e trashëgimisë kulturore dhe do të ketë ndikim pozitiv
Krejt ata që duan të merren me punë profesionale në trashëgimi kulturore duhet t’u përshtaten rregullave të reja. Shteti ka vendosur që të shtojë një tjetër filtër për t’i lejuar profesionistët që të punojnë në trashëgimi kulturore. Ata që hartojnë projekte në trashëgimi kulturore e po ashtu edhe ata që i zbatojnë ato duhet të licencohen nga Ministria e Kulturës.
Të enjten në Gazetën Zyrtare të shtetit është publikuar Udhëzimi administrativ për kriteret, rregullat dhe procedurat lidhur me lëshimin, administrimin dhe revokimin e licencave profesionale për personat fizikë dhe juridikë në fushën e trashëgimisë kulturore.
Shteti është vonuar për 15 vjet që të nxjerrë këtë udhëzim. Prej vitit 2006 – kur është miratuar Ligji për trashëgimi kulturore – e kishte për detyrë që të nxjerrë edhe një akt nënligjor që do të rregullonte licencimin e profesionistëve që merren me trashëgimi kulturore. Ende restaurimet e konservimet nga kompanitë private bëhen pa pasur staf të licencuar nga shteti. Por me Udhëzim edhe institucionet vartëse të MKRS-së duhet të licencojnë punonjësit profesionalë.
Me këtë Udhëzim administrativ përcaktohen kategoritë dhe llojet e licencave si dhe kushtet, kriteret, procedurat dhe organet kompetente për organizimin e procesit të licencimit të personave fizikë dhe juridikë që ushtrojnë veprimtari konservuese e restauruese dhe gërmime arkeologjike në fushën e trashëgimisë kulturore.
Ky akt nënligjor është hartuar nga punonjësit e Ministrisë, Milot Mustafa, Merita Augustini-Ndrecaj, Bislim Bislimi, drejtoresha e QRKT-së së Prishtinës, Edona Gashi-Dërguti dhe arkeologu i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Elvis Shala.
Sipas Udhëzimit, sa u përket licencave për personat fizikë, janë pesë kategori. Janë licenca për hartimin e projekteve dhe mbikëqyrje të implementimit, zbatimin e punëve në trashëgimi të paluajtshme, pastaj për hartimin dhe zbatimin e projekteve të trashëgimisë kulturore të luajtshme, për gërmime arkeologjike e për specializime të veçanta. Një renditje e përafërt është edhe për personat juridikë siç janë kompanitë. Më pas ka nënkategori për fushat specifike të trashëgimisë kulturore.
Institucionet që nuk janë nën varësi të MKRS-së duhet të licencohen dhe për këtë duhet të kenë së paku tre doktorë të shkencave dhe shtatë persona të licencuar në mënyrë që të ushtrojnë veprimtari në trashëgimi kulturore. Institucionet vartëse të MKRS-së duhet vetëm të licencojnë stafin. Për këtë kanë afat njëvjeçar. Projektet që janë në zbatim e sipër nuk do të ndalohen për të pritur licencimin. Për secilin lloj të licencës janë të përcaktuara kushtet veç e veç. Licencat për perona fizikë kanë afat pesëvjeçar dhe më pas duhet të ripërtërihen. Kurse ato për persona juridikë varësisht nga kontratat që institucioni ka me stafin profesional.
Arkeologu e profesori universitar i arkeologjisë – udhëheqës në projekte arkeologjike – Arben Hajdari, ka thënë se me hartimin e Udhëzimit është përmbushur një detyrim ligjor. Ai së bashku me kolegun e tij, Arsim Canolli, kanë bërë disa propozime sa i përket Udhëzimit. Propozimet kanë qenë të karakterit profesional.
Hajdari ka thënë se konsideron se përmes këtij Udhëzimi janë adresuar qartë disa nga sfidat që e kanë karakterizuar fushën e trashëgimisë kulturore, respektivisht atë arkeologjike dhe arkitekturore.
“Në gjykimin tim ky Udhëzim do të ndikojë dukshëm në avancimin e fushës, respektivisht në ngritjen e nivelit profesional në hulumtim, interpretim dhe konservim e restaurim të trashëgimisë kulturore. Konsideroj se Udhëzimi gjithashtu do të këtë një impakt pozitiv edhe në ngritjen dhe krijimin e kapaciteteve profesionale të institucioneve, qofshin ato vartëse të MKRS-së ose jo”, ka thënë ai. Ka shtuar se si tejet pozitive e sheh gjithashtu edhe faktin se Udhëzimi sanksionon qartë se licenca e personave fizikë mund të përdoret vetëm për licencimin e një subjekti të caktuar juridik.
“Kemi qenë dëshmitarë se në të kaluarën shumë subjekte juridike kanë përfituar dhe realizuar projekte të shumta duke përdorur kuadrot e institucioneve vartëse të MKRS-së”, ka thënë ai.
Si pozitive ka thënë se e sheh edhe faktin se Udhëzimi sanksionon qartë se një person fizik mund të licencohet vetëm për fushën për të cilën edhe është specializuar, “duke pamundësuar kësisoj një praktikë të keqe, e cila ka ekzistuar, ku kemi pasur jo pak raste, kur persona të caktuar kanë kryer punime edhe jashtë fushës se tyre specialistike”.
Por sa i përket Udhëzimit kanë vërejtje disa institucione vartëse të MKRS-së, midis tyre Instituti Arkeologjik i Kosovës.
Drejtori i këtij institucioni, Enver Rexha, ka thënë se në parim janë pro Udhëzimit. Por, sipas tij, në grupin punues është dashur të ketë më shumë anëtarë të fushës së arkeologjisë. Sipas Rexhës, këta udhëzues janë kategoria e dytë e akteve nënligjore.
“Aktet e para për ne janë ato që e rregullojnë punën në terren sa u përket pagesave të punonjësve të angazhuar e deri te shpenzimet e terrenit. Fillimisht duhet të mundësohet puna në terren e më pas të vijmë tek aktet e tjera nënligjore”, ka thënë Rexha. Ka përmendur problemet që hasen në terren sa i përket furnizimit me materiale specifike për punën në arkeologji.
“Duhet një akt për ta funksionalizuar punën në terren që të shmangen procedurat e ligjeve për financa pasi arkeologjia ka specifikat e veta”, ka thënë ai. Ka treguar se shqetësimet i ka paraqitur edhe me shkrim në Ministrinë e Kulturës.
“Ne normalisht që do t’i respektojmë aktet që nxirren dhe do të punojmë në bazë të tyre, por e kemi po ashtu përgjegjësi të tregojmë edhe shqetësimet tona në mënyrë që të realizojmë veprimtarinë për të cilën ngarkohemi si institucione”, ka thënë ai.
Bashkë me këtë Udhëzim, i cili do të hyjë në fuqi një javë pas publikimit në Gazetën Zyrtare, MKRS-ja ka nxjerrë edhe Udhëzimin administrativ për standardet teknike dhe profesionale për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë së luajtshme kulturore.