Kulturë

Shteti, trashëgimia kulturore shpirtërore dhe lista e mbrojtjes

Nëse institucioni shtetëror ka obligim ligjor mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shpirtërore, atëherë shtrohet pyetja si mund ta mbrojë atë? Shteti i Kosovës, gjegjësisht Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk është e thënë të “mbrojë” trashëgiminë kulturore shpirtërore, me të njëjtin mastar sikurse atë arkeologjike e arkitekturore. MKRS-ja mund të krijojë, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe konventat e UNESCO-së, tri lista për trashëgiminë kulturore shpirtërore: listën përfaqësuese të trashëgimisë kulturore shpirtërore të Kosovës, listën e trashëgimisë kulturore shpirtërore në nevojë të ruajtjes urgjente dhe listën e programeve, projektet dhe aktiviteteve më të mira për ruajtjen e trashëgimisë kulturore shpirtërore

Sot, në Kosovë, kemi një diskurs publik mjaft të përsëritur mbi trashëgiminë kulturore. Traditat janë shndërruar në “trashëgimi”, ndërtesat historike quhen “trashëgimi kulturore”, doket e zakonet e ndryshme promovohen si “trashëgimi kulturore shpirtërore”, zejet dhe artizanatet, po ashtu, konsiderohen “trashëgimi kulturore, sikurse që edhe fjala “folklor” përdoret më pak sesa ose krahas me fjalën “trashëgimi kulturore”. Pra, ekziston një hov në diskursin e përgjithshëm publik mbi trashëgiminë kulturore, që kryesisht vjen nga shkrimi e zëri akademik, medial, qeveritar e joqeveritar. Ajo që ka ndodhur në Evropë në vitet ‘80 e ‘90, po ndodh tani në Kosovë: trashëgimizimi i traditës, folklorit, dokeve e praktikave kulturore. Një udhë e shumështresuar e rivitalizimit kulturor, përmes mediave, turizmit, brendizmit urban, e të tjera.

Po ndalemi te një kategori apo pjesë kryesore e trashëgimisë kulturore, përkatësisht te trashëgimia kulturore shpirtërore. Në gjuhën angleze, koncepti “trashëgimia kulturore shpirtërore” quhet “trashëgimi kulturore jomateriale” (intangible cultural heritage), koncept ky që është përkthim direkt nga anglishtja, i përvetësuar në Shqipëri, por jo në Kosovë. Në Kosovë, është ruajtur fjala “trashëgimi kulturore shpirtërore”, por me konotimin e “jomateriales” si “intagible” (ang.), e jo të “shpirtërores” si “spiritual”(ang.).

Si e trajton shteti “trashëgiminë kulturore shpirtërore”?

Shteti ka një hise të madhe në procesin e trashëgimizimit, apo shndërrimit të gjërave të zakonshme në “artefakte”, në gjëra të cilat dokumentohen, mbrohen, ruhen, interpretohen e promovohen në jetën publike. Trashëgimi kulturore shpirtërore janë traditat, doket, gjuha, praktikat e ndryshme sociale e kulturore të cilat kanë vlerë në jetën tonë. Sipas Ligjit të Kosovës për trashëgiminë kulturore (02/L-88), institucionet shtetërore, përkatësisht Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka obligim mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e të gjitha kategorive të trashëgimisë kulturore të Kosovës. Po ashtu, ekzistojnë edhe një sërë ligjesh të tjera që obligojnë institucionet shtetërore, që të mbrojnë, ruajnë dhe promovojnë asetet e trashëgimisë kulturore. Le ta shohim procesin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në përgjithësi.

Sipas nenit 3.5 të Ligjit për trashëgimi kulturore (02/L-88) të Republikës së Kosovës, “institucioni kompetent përzgjedh nga inventarizimi i trashëgimisë kulturore gjetjet dhe objektet për t’u dhёnё nёn mbrojtje të përkohshme në kuadër tё Listës sё trashëgimisë kulturore”. Deri më tani, ky “institucion kompetent”, që përzgjedh asete nga databaza e inventarizimit të trashëgimisë kulturore, ka qenë komision i themeluar nga MKRS-ja. Ky komision ka përzgjedhur një numër të madh të aseteve dhe i ka futur nën Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme (mbi 1.500 sosh). Ndërsa Lista e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përhershme është themeluar tek në vitin 2016 dhe ka vetëm 23 asete, kryesisht nga trashëgimia arkeologjike dhe arkitektonike. Monitorimin dhe rekomandimet për Listën e Përhershme e bën Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK), një agjenci e Kuvendit të Kosovës, që në vitet e fundit ka pasur vështirësi operimi për shkak të moszgjedhjes së anëtarëve të saj nga Kuvendi i Kosovës. Fatmirësisht, sivjet, kjo agjenci është bërë funksionale. Pritet të shihen frytet e punës së saj.

Në rrugëtimin e MKRS-së për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore përmes listave të mbrojtjes, ekzistojnë disa çështje që duhet të theksohen për të shtruar kontekstin.

Së pari, deri më tani, MKRS-ja ka rritur numrin e aseteve nën mbrojtje të përkohshme, por nuk ka avancuar, siç theksohet në ligj, drejt mbrojtjes së përhershme (02/L-88, neni 3.6). Ka një numër joproporcional të aseteve të mbrojtura, në raport me buxhetin që MKRS-ja dhe institucionet e tjera e sigurojnë për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe promovimin e tyre. Shpesh, futja e një banese qytetare në zonën e Prishtinës së vjetër nën mbrojtje shkakton telashe për pronarin apo poseduesin, sepse shteti nuk investon sa duhet, nuk e ruan e nuk e promovon, por e mbron me letër. Kjo lloj mbrojtjeje edhe mund të përndjellë shkatërrim. Mbrojtja e pavend apo mbrojtja që nuk pasohet nga cikli i gjerë dhe i ndërlidhur i mbrojtjes, prej identifikimit e konservimit deri te subvencionimi e promovimi, është denigrim i dyfishtë, që mund të çojë në shkatërrim.

Së dyti, duhet theksuar se në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme të MKRS-së ka “asete” që, ose nuk ekzistojnë, ose nuk kanë inventarizim të duhur, ose nuk plotësojnë kriteret e mbrojtjes. Këtu faji ka qenë dhe është te stafi profesional e menaxherial i MKRS-së dhe institucioneve vartëse, që nuk e kryejnë punën e tyre, por edhe te ministrat, që nuk kërkojnë llogari nga ta.

Së treti, ajo që duhet theksuar, është edhe fakti se Lista e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme dhe Lista e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përhershme, nuk përputhen me kritere, praktikat dhe standardet më të mira ndërkombëtare dhe me konventat e mekanizmat e UNESCO-s, ku Kosova aspiron të anëtarësohet. Që nga “formulari i nominimit” e deri te tipologjia e komisioneve që vendosin për inventarizimim e mbrojtjen, ka nevojë për përmirësim. Dhe, përmirësim të dukshëm, që duhet parë me kujdes.

Po ndalemi vetëm te “trashëgimia kulturore shpirtërore” , gjegjësisht te statusi i kësaj trashëgimie në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme, sepse nuk kemi asnjë “aset” në Listë të Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përhershme. Po ndalemi këtu, sepse veçanërisht në fushën e trashëgimisë kulturore shpirtërore, ka diskrepancë mes praktikave e konventave ndërkombëtare, dhe praktikave të MKRS-së, deri më tani. Cilat janë ato?

Në Ligjin për trashëgimi kulturore, trashëgimia kulturore shpirtërore specifikohet vetëm si “trashëgimi shpirtërore” dhe me nenin 2.6 definohet si:

“Trashëgimi shpirtërore” përfshin format e shprehjes kulturore të traditave ose tё zakoneve popullore, tё gjuhës, festave, riteve, valles, muzikës, kёngës dhe shprehjes artistike.

Definimi është i gjerë dhe “formë e shprehjes kulturore” apo “traditë e zakon popullor” mund të konsiderohet gjithçka, prej “derdhjes ujë me bokall pas kerrit të nuses”, “syrit të keq”, “msitit”, “larjes së këmbëve të vjehrrit”, “synetisë” deri te “gjakmarrja sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit”. Po ashtu, edhe ritet e festat, këngët e shprehjet artistike janë të tilla dhe mund të kemi me mijëra. Prandaj, si nominuesit, ashtu edhe vlerësuesit, mund të bien në lajthitje, duke mos analizuar kontekstin e vlerave që mbrohen.

Nëse institucioni shtetëror ka obligim ligjor mbrojtjen e trashëgimisë kulturore shpirtërore, atëherë shtrohet pyetja si mund ta mbrojë atë? Nëse shteti e fut një praktikë, si “msitin në Shalë të Bajgorës” në kuadër të dasmës tradicionale shqiptare (dhe po – “msiti i Shalës” ekziston në Listën e Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të Përkohshme të Kosovës, sepse është futur në vitin e kaluar!), atëherë pyetja shtrohet: pse është vlerë e jashtëzakonshme m[sitnia në Shalë të Bajgorës? Dhe, si u dashka ta mbrojë shteti këtë vlerë? Ta dokumentojë dhe ta rivitalizojë? Ta subvencionojë? Ta mbrojë nga ndërhyrjet e praktikave të tjera, le të themi të “msitit në Drenicë”, sepse mund ta rrezikojë “msitin në Shalë”? Ta mbrojë nga “msiti i Internetit”? Kur nominohen nga joprofesionistët dhe futen në listë nga zyrtarët e papërgjegjshëm, krijohen paradokse të tilla, që shndërrohen në humor ironik.

Image
Kosova ka listuar 5 “asete” – plisin, filigranin, zurlën, Eposin e Kreshnikëve dhe okarinën – në mbrojtje të përkohshme, më shumë për t’i dhënë vizibilitet, por pa ndonjë diskutim të thellë rreth trajtimit të trashëgimisë kulturore shpirtërore. Nuk ka pasur as arsyetim për vlerën e tyre. Madje, janë mbrojtur gabimisht, sepse nuk dihet a mbrohet zeja e plisit apo plisi si simbol, apo të gjithë plisat që ekzistojnë në Kosovë (Foto: Driton Paqarada)

Si mbrohet trashëgimia kulturore shpirtërore në vendet e tjera, apo në UNESCO?

Në Konventën për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore (2003) të UNESCO-së, me trashëgimi kulturore shpirtërore “kuptohen praktikat, paraqitjet, shprehjet, njohuritë dhe dija – si dhe veglat, objektet, artefaktet dhe hapësirat kulturore që bashkëshoqërojnë ato – që bashkësitë, grupet dhe, kur është rasti, individët i pranojnë si pjesë përbërëse të trashëgimisë së tyre kulturore“ (neni 2.1). Por, definohet edhe si “praktike sociale” (neni 2.2, pika c) dhe për këtë ka pasur debat të madh në studimet akademike të trashëgimisë kulturore shpirtërore, sepse është lënë si koncept me kuptim të gjerë: gjithçka mund të jetë praktikë sociale. Megjithatë, shtetet krijojnë regjistra ose databaza të inventarizimit të trashëgimisë kulturore shpirtërore, për t’i njohur e ruajtur, e promovuar si përfaqësuese. Këtu vijmë te pika kryesore.

Nëse përfillen praktikat e UNESCO-s, por edhe parimi i shëndoshë i ruajtjes së trashëgimisë kulturore shpirtërore, nuk duhet futur praktikat e trashëgimisë kulturore shpirtërore, si vallet, zejet, lojërat tradicionale, festivalet e të tjerat, në të njëjtën “listë mbrojtjeje” me kategoritë e tjera, si trashëgiminë arkeologjike e arkitekturore. Pse? Sepse në trashëgiminë arkeologjike nuk lejohet ndërhyrja e askujt, pa lejen e shtetit dhe leja u jepet vetëm profesionistëve. Nuk punon e njëjta logjikë në trashëgiminë kulturore shpirtërore, në valle, këngë e praktika të tjera. Sepse, në fakt, shteti nuk duhet të jetë gardian kontrollues i asaj që njerëzit e interpretojnë/praktikojnë në jetën e tyre të përditshme si traditë¸ shprehje artistike, performancë, praktikë, art tradicional e me radhë. Mbrojtës të ritmit të valles janë shoqëria, komuniteti e individët profesionistë, jo detyrimisht shteti. Nëse me mbrojtje shteti e nënkupton dokumentimin, interpretimin dhe promovimin, atëherë kjo mund të qëndrojë. Por jo ndryshe. Pse, sepse kemi përvojën e hidhur kur shteti ka mbrojtur trashëgiminë kulturore shpirtërore, përmes ideologjisë, dhe ka bërë dëme, madje nën diktaturën totalitare komuniste, siç është rasti në Shqipëri, shteti ka diktuar gjithçka.

Po ashtu, UNESCO nuk kërkon nga vendet anëtare, e ne aspirojmë të jemi anëtare në të ardhmen, se me doemos duhet të kenë “listë mbrojtjeje” për trashëgiminë kulturore shpirtërore, por kërkon nga to të kenë “inventar” apo “databazë”. Madje, fjala “mbrojte” nuk është as në titull të Konventës së UNESCOS (2003), por është fjala “ruajtje” (safeguarding), që nënkupton më shumë ruajtjen në aspektin dokumentues, rivitalizues e praktik. Cilat janë obligimet që shteti anëtar i UNESCO-s duhet t’i marrë?

Ato janë kryesisht të natyrës dokumentuese, interpretuese, transmetuese, edukative, promovuese e rivitalizuese. Sapo të pranohet në UNESCO, secili shtet duhet ta përfillë Konventën. Madje, jepen edhe obligimet e përgjegjësitë e shteteve anëtare se çfarë duhet të bëjnë për UNESCO-n. Për shembull, aspektet specifike që shteti duhet të ndërmarrë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore shpirtërore janë: politika dhe strategjia për promovimin e trashëgimisë kulturore shpirtërore; databaza e trashëgimisë kulturore shpirtërore; përcaktimi apo themeli i trupave specifikë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore shpirtërore; hapja e shtigjeve dhe ndihma në dokumentimin dhe studimin teknik, artistik dhe shkencor të trashëgimisë kulturore shpirtërore, sidomos asaj në rrezik; adaptimi i masave legale, teknike e administrative për të realizuar këto më lart; edukimi, ndërtimi i kapaciteteve, trajnimet dhe promovimi; pjesëmarrja e komuniteteve, grupeve, individëve në kontekst të krijimit të kornizës së mbrojtjes e promovimit.

UNESCO ka sugjeruar për shtetet anëtare tri lista të trashëgimisë kulturore shpirtërore, të cilat duhet të përvetësohen nga shtetet anëtare. Ato janë edhe lista të përmes të cilave krijohen kriteret për trashëgimisë kulturore shpirtërore botërore.

 1. Lista Përfaqësuese e Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore të Njerëzimit

 2. Lista e Trashëgimisë Kulturore Shpirtërore në Nevojë të Ruajtjes Urgjente

 3. Programet, projektet dhe aktivitetet më të mira për ruajtjen e trashëgimisë kulturore shpirtërore

Disa shtete kanë përfillur logjikën e UNESCO-s, disa shtete jo në tërësi, por shumica e shteteve anëtare kanë përfillur domosdoshmërinë e “databazës/listës së trashëgimisë kulturore shpirtërore në nevojë të ruajtjes urgjente” dhe subvencionojnë praktikat e ruajtjes dhe promovimit të saj, që të mos zhduket.

Ku qëndron Kosova në kontekst të përputhjes me UNESCO-n?

Fatkeqësisht, Kosova nuk e ka përputhur ende praktikën e ruajtjes së trashëgimisë kulturore shpirtërore me kriteret e UNESCO-s, që, në këtë aspekt, janë kritere të bazuara dhe të qëndrueshme. UNESCO mund të kritikohet për shumë aspekte të përgjithshme, e lëre më me raportin që ka me Kosovën, por në rastin e trashëgimisë kulturore shpirtërore, janë zgjedhur disa parime që mund të përfillen dhe duhet të përfillen. Kosova ka vetëm një kategorizim të trashëgimisë kulturore në një listë të përkohshme dhe të përhershme.

Në vitin 2015, Kosova ka listuar 5 “asete” (plisi, filigrani, zurla, Eposi i Kreshnikëve dhe okarina) në mbrojtje të përkohshme, më shumë për t’i dhënë vizibilitet, por pa ndonjë diskutim të thellë rreth trajtimit të trashëgimisë kulturore shpirtërore. Nuk ka pasur as arsyetim për vlerën e tyre. Madje, janë mbrojtur gabimisht, sepse nuk dihet a mbrohet zeja e plisit apo plisi si simbol, apo të gjithë plisat që ekzistojnë në Kosovë. Por, kjo është histori tjetër. Megjithatë, pasurimi i listës ka vazhduar ndër vite. Duhet theksuar, se, megjithatë, MKRS-ja ka bërë edhe investime në dokumentimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shpirtërore, si përmes investimeve në projekte të institucioneve të saj vartëse, ashtu edhe përmes bashkëpunimit me individë, grupe e komunitete. Pra, është bërë një punë investuese nga MKRS-ja në këtë drejtim. Vizibiliteti është rritur dhe me themelimin e çmimit për trashëgimi kulturore shpirtërore “Anton Çetta”, ky vizibilitet po rritet në vazhdimësi.

Por, problemi kryesor ka qenë fakti se trashëgimia kulturore shpirtërore nuk është marrë shumë seriozisht, kur ka ardhur puna te “mbrojtja”. Ka pasur raste kur në listë të mbrojtjes janë futur “asete” pa ndonjë dokumentim specifik, arsyetim të bazuar dhe pa filtrim të profesionistëve të fushës.

Si mund të veprojë Kosova?

Shteti i Kosovës, gjegjësisht Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk është e thënë të “mbrojë” trashëgiminë kulturore shpirtërore, me të njëjtin mastar sikurse atë arkeologjike e arkitekturore. MKRS-ja mund të krijojë, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe konventat e UNESCO-së, tri lista për trashëgiminë kulturore shpirtërore: listën përfaqësuese të trashëgimisë kulturore shpirtërore të Kosovës, listën e trashëgimisë kulturore shpirtërore në nevojë të ruajtjes urgjente dhe listën e programeve, projektet dhe aktiviteteve më të mira për ruajtjen e trashëgimisë kulturore shpirtërore.

Në listën përfaqësuese vendoset trashëgimia kulturore shpirtërore që përfaqëson vlerat e popullit të Kosovës, përfshirë edhe komunitetet e ndryshme. Në listën në nevojë të ruajtjes urgjente vendoset trashëgimia kulturore shpirtërore që ka nevojë të dokumentohet, rivitalizohet, promovohet. Kjo listë mund të prioritizohet në subvencione. Ndërsa, lista e programeve, e praktikave dhe aktiviteteve më të mira bëhet shembull se si duhet të veprohet. Mund të ndodhë që një trashëgimi kulturore shpirtërore në nevojë urgjente të ruajtjes sot, pas dhjetë vjetësh bëhet praktika më e mirë, si shembull që duhet të ndiqet.

Ky veçim ligjor i trashëgimisë kulturore shpirtërore do të ndihmonte në shndërrimin e trashëgimisë kulturore shpirtërore në prioritet për shqyrtim e interpretim, si për shtetin ashtu dhe për akademinë e shoqërinë civile, sepse Kosova ka ngecur shumë në interpretimin e zgjeruar, krahasimtar dhe objektiv të trashëgimisë kulturore. Kosova ka nevojë të hapet, të prezantohet e të reprezantohet. Në trashëgimi kulturore, pa interpretim, s’ka reprezantim.