Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ia ka mësyrë që Teatrin Kombëtar të Kosovës ta bëjë me udhëheqës artistik. Për këtë ka publikuar konkursin të hënën.
Ky hap është ndërmarrë më shumë se dy vjet prej kur ky institucion ka mbetur pa udhëheqës artistik, pozitë kjo që bashkë me drejtorin e përgjithshëm përbëjnë dyshen udhëheqëse në menaxhmentin e institucionit më të lartë teatror në vend.
Pozita e udhëheqësit artistik kishte mbetur vakante qysh prej qershorit të vitit 2019. Pasi regjisorit Agon Myftari i përfundoi mandati katërvjeçar, mospranimi i detyrës nga Fatos Berisha kishte bërë që Këshilli Drejtues me shumicë votash të emëronte si ushtrues të detyrës së udhëheqësit artistik të TKK-së aktorin Adrian Morina. Aktualisht, ushtrues detyre është drejtori i “Shotës”, Shefqet Gjocaj. Konkursi për këtë pozitë, si dhe për drejtor të përgjithshëm të TKK-së, ishte hapur në dhjetor të vitit të kaluar. Por Ministria e Kulturës ia kishte huqur. Në vend të udhëheqësit artistik, kërkonte “drejtor artistik”.
Ndryshe, deri në vitin 2012 pozita e udhëheqësit artistik sipas Ligjit për teatro ishte e emërtuar si “drejtor artistik”. Por, me hyrjen në fuqi të Ligjit aktual, drejtor quhet vetëm drejtori i përgjithshëm.
Në shkurt, Shoqata e Artistëve të Teatrit të Kosovës i ishte drejtuar institucionit më të lartë të kulturës në vend me kërkesën që të ndalojë procesin e përzgjedhjes së “udhëheqësit artistik jolegjitim”. Më 26 janar, po kjo shoqatë i ishte adresuar MKRS-së me kërkesën për anulim të konkursit.
Konkursi qe anuluar për t’u rihapur në mars të këtij viti. I njëjti është anuluar prapë në tetor. Konkursit ia kishin mësyrë Albana Muja, Arjeta Ajeti, Ekrem Sopi, Sokol Plakolli dhe Behar Zenelaj.
KOHA ka marrë vesh se asnjëri nga kandidatët s’e ka kaluar testin me shkrim. Më pas këtë e ka konfirmuar edhe njëra prej konkurrenteve për këtë pozitë.
Në anën tjetër, është i hapur konkursi për drejtor të përgjithshëm të TKK-së e po ashtu, edhe ai për drejtor të Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe Baletin Kombëtar të Kosovës. I pari qe anuluar pasi Naser Shatrolli ishte zgjedhur drejtor i përgjithshëm i TKK-së në mars. Komisioni i ankesave në MKRS kishte konstatuar se ishin bërë shkelje procedurale. E në janar qe anuluar konkursi për drejtor të Galerisë Kombëtare të Kosovës, pasi nuk ishin bërë tre kandidatë që plotësonin kushtet për të vazhduar procesi i vlerësimit.