Përtëritja e përvitshme e Listës së Trashëgimisë Kulturore nën mbrojtje të përkohshme nxjerr në pah se çdo tetor veç zhvendosen emra monumentesh që nuk ekzistojnë në realitet. Përderisa në të kaluarën MKRS-ja ishte në hall se si ta revidonte Listën, tash ka bërë një evidentim me “*”. Por kësisoj, veç për monumentet e shkatërruara deri në vitin 2021. Përderisa njohësit e trashëgimisë kulturore bëjnë thirrje për rigorozitet në zbatimin e legjislacionit në raport me shkatërruesit, Ministria e Kulturës zotohet se do të ketë lëvizje në këtë aspekt
Shteti mbron të paktën 48 monumente veç si emra. Ekzistojnë në lista si asete të trashëgimisë kulturore, përderisa në realitet s’ka mbetur gjë. Përtëritja e përvitshme e Listës së Trashëgimisë Kulturore nën mbrojtje të përkohshme nxjerr në pah se çdo tetor veç zhvendosen emra monumentesh që nuk ekzistojnë në realitet. Përderisa në të kaluarën MKRS-ja ishte në hall se si ta revidonte Listën, tash ka bërë një evidentim me “*”. Por kësisoj, veç për monumentet e shkatërruara deri në vitin 2021. Përderisa njohësit e trashëgimisë kulturore bëjnë thirrje për rigorozitet në zbatimin e legjislacionit në raport me shkatërruesit, Ministria e Kulturës zotohet se do të ketë lëvizje në këtë aspekt.
“Asete të shkatërruara gjatë periudhës 2012-2021, për të cilat MKRS-ja është duke i ndërmarrë veprimet në përputhje me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore”, shkruhet në sqarimin e bërë në fund të Listës së Trashëgimisë Kulturore nën mbrojtje të përkohshme kur shpjegohet vendosja e “*” te disa monumente. Figurojnë fiks 45 të tilla. Por kur shtohen edhe tri shkatërrime të tjera, për të cilat MKRS-ja thotë të janë marrë veprime ligjore, numri shkon në 48, përfshirë monumente nën mbrojtje të përhershme.
Sipas Ministrisë së Kulturës, ky institucion nuk do të qëndrojë duarkryq.
“Në lidhje me asetet e dëmtuara dhe të shkatërruara, MKRS-ja do të ndërmarrë veprimet për zbatim të Ligjit për Trashëgimi Kulturore, respektivisht nenet që ndërlidhen me nenin 4, obligimet e personave juridikë dhe fizikë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, dhe nenin 11, sanksionet”, shkruhet në përgjigjet e MKRS-së për asetet e shkatërruara nga viti 2012 deri më 2021. Te neni 4, Ligji i obligon personat fizikë e juridikë që të mbrojnë trashëgiminë kulturore, përderisa shkatërrimin e qëllimshëm e sanksionon me Kodin Penal. E neni 11 shpërfaq gjobat.
“Mosbindja ndaj dispozitave të këtij ligji në lidhje me autorizimin e veprimtarive do të gjobitet nga gjykata kompetente me minimum prej 1000 (një mijë) eurosh dhe maksimum prej 500.000 (pesë qind mijë) euro për secilin veprim të paautorizuar”, shkruhet në këtë nen.
Kurse për periudhën prej vitit 2021 deri në gusht të vitit 2024, sipas MKRS-së, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka ngritur mbi 30 kallëzime penale për ndërhyrje të jashtëligjshme në monumentet e trashëgimisë kulturore dhe dhjetëra raste janë adresuar në Policinë e Kosovës për hetim të mëtutjeshëm.
“Për rastet e dëmtimit të trashëgimisë kulturore, si MKRS, krahas adresimit të rasteve në organet e rendit dhe të drejtësisë, kemi zhvilluar takime të rregullta ndërinstitucionale, pjesë e të cilave ishin përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial dhe Policia e Kosovës. Me qëllim të trajtimit të çështjes së dëmtimit të trashëgimisë kulturore, me nivelin më të lartë të seriozitetit nga organet përgjegjëse të drejtësisë”, shkruhet në përgjigjet e MKRS-së. Javën e kaluar ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se kanë themeluar Grupin Koordinues Ndërinstitucional për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.
MKRS-ja nëpërmjet përgjigjeve ka treguar se përderisa gjatë vitit 2022 nuk është raportuar asnjë rast i shkatërrimit të monumenteve të trashëgimisë kulturore, gjatë vitit 2023 janë paraqitur 4 raste të asgjësimit apo dëmtimit të qëllimshëm të monumenteve. Ndërsa sipas të dhënave të ofruara, gjatë vitit 2024 janë paraqitur 3 raste të asgjësimit apo dëmtimit të qëllimshëm të monumenteve të trashëgimisë kulturore. Është përmendur shkolla “Ismail Qemali” që ishte djegur një ditë pasi që kishin filluar ndërhyrjet restauruese. “Pas një pune intensive të ekipit të MKRS-së, ndërtesa është restauruar dhe pas vetëm 4 muajsh është rikthyer në gjendjen e mëparme. Tani në këtë monument është vendosur Shkolla e Mesme e Artit e Ferizajt”, shkruhet në përgjigje. .
Shtëpia e Kulturës në Runik të Skenderajt qe dëmtuar jo pak nga Komuna, me qëllimin që aty të zërë vend një qendër e re kulturore. Tash aty do të zhvillohet një projekt i udhëhequr nga fondacioni “Hajde” me financim të MKRS-së.
Shtëpia e Familjes Koroglu në Mitrovicë qe kronikë disa herë për dëmtim e zjarrvënie.
“Pasi është trajtuar rasti nga Policia e Kosovës dhe është dërguar në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, prokurori ka konstatuar se nuk ka elemente të veprës penale. Gjatë muajve shtator – tetor kemi zhvilluar procedurat për vendosjen e masave mbrojtëse. Një ditë pas fillimit të punimeve për vendosjen e masave mbrojtëse, me 1 nëntor, shtëpisë i është vënë zjarri; Në lidhje me rastin jemi njoftuar se është arrestuar pronari i shtëpisë si i dyshuar për kryerjen e veprës penale”, shkruhet në përgjigje. Tash MKRS-ja është në fazë të vlerësimit pas procedurave të prokurimit për restaurimin dhe rindërtimin e pjesshëm të ndërtesës.
Muzeu i Muzikës në Gjakovë qe djegur. MKRS-ja po financon restaurimin.
“Shtëpia Kullë e Fetah Kurexhaj – Gjilan – më 9 shtator është raportuar dëmtimi, nga zjarrvënia. Institucionet e trashëgimisë kulturore janë njoftuar nga Policia e Kosovës për zjarrin dhe këta të fundit kanë filluar hetimet sipas detyrës zyrtare. Me ç‘rast menjëherë kemi ndërmarrë masat për të mbrojtur nga rreziku i mëtejmë, duke bërë rrethimin e monumentit të rrezikuar, për të siguruar ndërtesën dhe kalimtarët e rastit; Hartimi dhe zbatimi i projektit të restaurimit të plotë të monumentit; dhe pas përfundimit të projektit, do të iniciojmë procedurat për zbatim të punimeve”, shkruhet në përgjigje.
Sivjet për herë të parë qe rrënuar një monomet nën mbartje të përhershme. Kompleksi “Saraji i Vjetër” në Prizren është rrafshuar duke bërë që të shkatërrohen tri ndërtesa monumentale me qëllim të ndërtimit të një kompleksi afaristo-banesor. MKRS-ja ka ngritur kallëzime penale për pronarët, për zyrtarët komunalë e për ata të Ministrisë së Mjedisit.
“Mulliri i Berishëve në Suharekë – gjatë muajit korrik 2024 është raportuar rrënimi. Pas inspektimit në terren, rasti është dërguar për hetim më datë 29.07.2024 në Stacionin Policor në Therandë. Shtëpia e banimit e Zejnullah Çaushit në Prishtinë – 07 gusht 2024 është raportuar rrënimi. Pas inspektimit në terren, rasti është dërguar për hetim më datë 16.08.2024 në Policinë e Kosovës-Drejtoria e Përgjithshme - Departamenti i Hetimeve”, shkruhet në përgjigje.
KOHA disa herë ka raportuar se në disa raste gjykatat kanë shqiptuar gjoba deri në 700 euro për rrënime të monumenteve.
Valon Xhabali nga organizata “Ec Ma Ndryshe” ka thënë se shkatërrimi i monumenteve kulturore në vitet e cekura ka reflektuar disa çështje kritike dhe sfida që lidhen me ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Sipas tij, shkatërrimi i tyre ka vënë në pah mungesën e mbrojtjes efektive, teksa është shoqëruar edhe me humbjen e memories kolektive dhe me ndikimin negativ në turizëm, respektivisht në ekonominë lokale.
“Shkatërrimi i monumenteve në periudhën e përmendur ka paraqitur dobësitë në mekanizmat e mbrojtjes dhe monitorimit të trashëgimisë kulturore, që ndërlidhet me mungesën e burimeve financiare dhe kapaciteteve për mbikëqyrje të rregullt. Shkatërrimi i monumenteve ka qenë një humbje e rëndësishme për trashëgiminë historike dhe kulturore të vendit, duke rrezikuar kujtesën kolektive të komunitetit”, ka thënë ai. Sipas tij, MKRS-ja në bashkëpunim me institucionet e tjera relevante duhet të sigurojë mbikëqyrje të rregullt dhe më të qëndrueshme për të parandaluar dëmtimet e mëtejshme të monumenteve, përfshirë instalimin e sistemeve të monitorimit.
“Për monumentet që janë shkatërruar duhet të ndërmerren hapa për rikonstruktim dhe restaurim në përputhje me standardet ndërkombëtare të konservimit. Fushatat edukative dhe ndërgjegjësuese luajnë rol në rritjen e vetëdijes publike për rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, rrjedhimisht edhe në parandalimin e vandalizmit apo dëmtimeve të qëllimshme”, ka thënë Xhabali. Sipas tij, shteti respektivisht institucionet ligjzbatuese është dashur dhe duhet të zbatojë në mënyrë rigoroze ligjet që mbrojnë monumentet kulturore, duke përfshirë ndjekjen ligjore të atyre që dëmtojnë ose shkatërrojnë këto asete. Ka përmendur se masat ndëshkimore nuk kanë qenë efektive në aspektin e parandalimit të shkatërrimeve.
“Masat ndëshkuese duhet të jenë në proporcion me dëmin e shkaktuar, që në rastin e monumenteve duhet të cilësohet edhe si vepër penale. Prandaj pushteti ekzekutiv dhe legjislativ duhet të përqendrohet më shumë në sigurimin e fondeve dhe kapaciteteve për mbrojtjen dhe ruajtjen e TK-së nga shkatërrimi, sikurse edhe përfshirjen e dispozitave në Kodin Penal për kompensimin e dëmeve dhe ndalimin e ndërhyrjeve që dëmtojnë monumentet, derisa gjyqësori duhet të aplikojë masa ndëshkimore proporcionale me dëmin në rastet e shkatërrimit të monumenteve të mbrojtura”, ka thënë ai.