Kalasë së Novobërdës – e cila iu la në dorë një kompanie nga Serbia për restaurim mbi një milion eurosh të BE-së e nën mbikëqyrjen e UNESCO-s, por që në fund rezultoi se e ka dëmtuar – shteti i Kosovës i është rikthyer me projekt. Do të bëjë një të ri për konservimin, prezantimin e menaxhimin e këtij monumenti. Vetëm kjo punë peshon mbi 200 mijë euro. Historia e restaurimit shkatërrues daton qysh para një dekade, ka disa kapituj e njëri prej tyre është edhe ai i kontrabandës së disa artefakteve për në Serbi
Gati një dekadë pasi konservimi dhe restaurimi i Kalasë së Novobërdës shkoi huq bashkë me 1.1 milion euro, shteti ka nisur një ndërmarrje nga pika zero: do të bëjë projekt të ri për konservimin, prezantimin e menaxhimin e këtij monumenti. Për këtë Ministria e Kulturës ka përzgjedhur një kompani vendore dhe një fondacion italian. Ka lidhur kontratë me “Alb – Architect” dhe “Fondazione Santagata per l’Economia della Cultura” që për 212 mijë euro t’i kryejnë këto punë.
“Shërbime për zhvillimin e procesit teknik për Planin e Konservimit dhe Menaxhimit të Kalasë së Artanës – Novobërdës dhe hapësirë rrethuese në Artanë – Novobërdë”, është titulli i kontratës.
Historia e këtij aseti të trashëgimisë kulturore është kronikë dështimesh.
Më 2015 kompania “KOTO” e Beogradit, e përzgjedhur nga UNESCO, kishte nisur punimet për restaurimin e Kalasë së Novobërdës. Projekti qe financuar me një milion euro nga BE-ja, kurse zbatimi dhe mbikëqyrja janë bërë nga UNESCO-ja. Puna ka rezultuar me shumë defekte, të cilat ende nuk janë riparuar. Fasada e gurtë qëndron e shembur nga të gjitha anët.
Në anën tjetër, siç ka raportuar KOHA, në marsin e vitit 2022 e më pas këtë e ka vërtetuar edhe Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, nga kjo Kala jashtëligjshëm është bartur material arkeologjik për në Serbi.
Tash, sipas kontratës, partnerët që kanë marrë përsipër punët do të bëjnë përcaktimin e vlerave të trashëgimisë, do të zhvillojnë programin e projektit të konservimit për Kalanë, do të hartojnë projektin ideor për konservimin e Kalasë e atë për muzealizimin dhe prezantimin e lokalitetit. Më pas do të hartojnë projektin kryesor të konservimit, atë konsolidim strukturor, për muzealizim dhe prezantim të lokalitetit dhe do të bëjnë përditësimin e hartimin e Planit të Menaxhimit të Peizazhit Kulturor të Qytetit Historik Minerar të Novobërdës.
“Shërbimet e lartpërmendura të fazës së projektimit do të realizohen brenda afatit të paraparë në kontratë, i cili është 6 muaj nga nënshkrimi i Planit të Menaxhimit. Sa u përket shërbimeve të mbikëqyrjes së punimeve, këto do të realizohen gjatë procesit të zbatimit të projektit, në përputhje me procedurat dhe kohën që do të përcaktojë MKRS-ja për shpalljen e tenderit për realizimin e punëve ndërtimore”, ka bërë të ditur për KOHËN kompania “Alb – Architect”.


Sa u përket kuadrove profesionale të kompanisë për të ofruar këto shërbime në një prej aseteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në vend, “Alb – Architect” ka bërë të ditur se janë pjesë e konsorciumit “me një kompani që ka shumë përvojë në këtë fushë dhe ofron shërbime të larta”.
“’Kompania ‘Fondazione Santagata per l'Economia della Cultura’ ka ofruar mjaftueshëm shërbime, bazuar në parimet dhe praktikat e konventave të organizatës ndërkombëtare për trashëgiminë kulturore të UNESCO-s. Kompania jonë është e licencuar për shërbime në fushën e trashëgimisë kulturore dhe kuadrot tona përfshijnë ekspertë me mbi 20 vjet përvojë në këtë fushë, të licencuar për ofrimin e shërbimeve në fushën e trashëgimisë kulturore, si dhe anëtarë të ICOMOS”, shkruhet në përgjigjet me shkrim.
“Fondazione Santagata për l'Economia della Cultura”, sipas të dhënave publike, është themeluar më 2018, me seli në Torino.
Sipas “Alb – Architect”, ajo është një ndër kompanitë lidere në Kosovë dhe kompetente për të ofruar shërbime të specializuara për restaurime dhe konservime.
“Ekspertiza jonë është e garantuar dhe ne sigurojmë cilësi dhe profesionalizëm në çdo projekt”, shkruhet në përgjigje.
Paraprakisht më 2023 Ministria e Kulturës nëpërmjet procedurës së negociuar për 44 mijë euro kishte kontraktuar operatorët “FITORJA -1 SH.P.K” dhe “Archi.Media Trust” për të bërë vlerësim strukturor dhe të gjendjes fizike të Kalasë së Novobërdës.
Ministria e Kulturës nuk i është përgjigjur KOHËS në lidhje me këtë vlerësim e as për synimet e reja për këtë aset të trashëgimisë kulturore. Po ashtu nuk është përgjigjur as për hapat e deritashëm në raport me UNESCO-n dhe kompaninë serbe që kishte kryer punimet.
Pas raportimit të KOHËS në ditën e 28-të të marsit 2022, se revista “Journal of Archaeological Science” ka publikuar studimin “Mummified animal skin with tar content from the castle of the late medieval town of Novo Brdo (Central Balkans)” të pesë autorëve nga Serbia, ku shpërfaqeshin rezultate të artefakteve të Novobërdës, të marra gjatë viteve 2015 dhe 2016, MKRS-ja kishte kërkuar nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore që ta trajtojë këtë çështje. Raporti kishte nxjerrë në pah se materiali arkeologjik është kontrabanduar. Më pas ky raport ishte plotësuar edhe me të dhëna të tjera duke bërë që shteti të ketë një bazë për të nisur procedura të tjera.
Në vitin 2022, sikurse në qershor dhe në tetor, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte thënë se duhet formuar një ekip për të konstatuar dëmet mbi të cilat mund të nisin procedurat e padisë ose të kërkimit të dëmshpërblimit.
“Duhet të pasojmë me veprime konkrete: sanimi i dëmeve dhe narrativa jonë për Novobërdën. Novobërda është lokalitet antik dhe ka shumë shtresa. Ata (studiuesit serbë v.j.) e kanë mbajtur fokusin vetëm te mesjeta”, kishte thënë ai.
Në fund të prillit të 2022-s, një raport prej 16 faqesh i Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore konstatonte se në Kalanë e Novobërdës, pos trafikimit të materialit arkeologjik, ishin bërë edhe punime joprofesionale, gjë që kanë rezultuar me shembje të fasadës së gurtë. Konstatohej se studimet e bëra nga studiuesit serbë tentonin ta paraqisnin lokalitetin veç si qytet mesjetar serb. Aty jepen edhe rekomandime se si duhet të veprojë MKRS-ja. Ndër to i rekomandohej ta iniciojë procedurën penale në organet e ndjekjes.
“Meqenëse përmbushen elementet e veprave penale, MKRS-ja duhet ta iniciojë procedurën penale në organet e ndjekjes ndaj përgjegjësve të dëmeve të shkaktuara gjatë punimeve dhe gërmimeve arkeologjike”, shkruhej në Raport. Po aty, te pjesa e rekomandimeve shkruhej se “pas evidentimit të hollësishëm të dëmeve, përfshirë edhe të gjetjeve arkeologjike të nxjerra jashtë vendit, përmes UNESCO-s të kërkohet kthimi i tyre në vendin e origjinës”.
Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore në raport kishte shkruar se institucionet e Serbisë, Instituti Arkeologjik i Serbisë, Muzeu Kombëtar në Beograd, Fakulteti i Teknologjisë në Beograd dhe Universiteti i Novi-Sadit kanë bërë analizën e një mostre arkeologjike të periudhës së mesjetës së vonë, lëkurë e mumifikuar e kafshëve me përmbajtje katrani.
“Kjo mostër arkeologjike nga vendi i origjinës është nxjerrë dhe bartur jashtë vendit në mënyrë ilegale nga lokaliteti arkeologjik shumështresor, pa dijeninë dhe lejen e institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës”, shkruhej në raport.
Pos studimeve të publikuara në Serbi, shteti serb ka financuar edhe të tjera që synim e kishin audiencën më të gjerë.
Nemanja Markoviq, punonjës i Institutit Arkeologjik në Beograd, bashkë me kolegen Vesna Bikiq, punonjëse e Muzeut Kombëtar në Beograd, Zheljka Temerinski e dy ligjërueset në Universitetin e Novi-Sadit, Snezhana Vuçetiq e Jonjaua Ranogajec, janë autorë të punimit që ishte financuar nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Kulturës në Serbi.
Revista “Journal of Archaeological Science” kishte publikuar studimin “Mummified animal skin with tar content from the castle of the late medieval town of Novo Brdo (Central Balkans)”, që nxirrte në pah edhe trafikimin e artefakteve.
Pas insistimit të KOHËS, në emër të kompanisë “KOTO”, zyrtari ligjor, Darko Gligorijeviq, kishte thënë se UNESCO-ja ka qenë zbatuese e procedurës së prokurimit dhe se në përputhje me rolin e saj ka marrë të gjitha lejet e nevojshme për punime konservuese dhe restauruese. Kishte treguar se në disa raste shumë gjetje arkeologjike i janë dorëzuar Institutit Arkeologjik të Kosovës.
Sipas Gligorijeviqit, i cili Kosovës i referohej me fusnotë, në dy raste “kompania ka dorëzuar në Institutin Arkeologjik të Kosovës disa gjetje të luajtshme të gjetura gjatë punimeve arkeologjike në projektin në fjalë”.
Por “KOTO” prapë nuk kishte pasur përgjigje në pyetjet direkte se me çfarë leje janë dërguar artefaktet në Beograd dhe po ashtu me çfarë leje bëhet studimi i tyre. Kurse Zyra Rajonale e UNESCO-s në Sarajevë, që ka udhëhequr krejt procesin e konservimit dhe restaurimit të Kalasë, nuk ka kthyer përgjigje asnjëherë.
Lexo edhe: