Veç “Projektpropozimet në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore për vitin 2024” peshojnë 1 milion e 419 mijë e 940 euro. Lista e OJQ-ve në këtë sektor është muhabet më vete, sikurse listat e mobilitetit po në këtë sektor. Çështje më vete është edhe përkrahja e autorëve. Paraprakisht te projektet individuale në atë që ishte listë preliminare qenë 282 projekte të përkrahura me 1 milion e 349 mijë e 140 euro. Por pas afatit të ankesave janë shtuar edhe 11 projekte me peshë financiare 70 mijë e 800 euro, duke bërë që lista të rrumbullakohet me mbi 1.4 milionë euro
Ministria e Kulturës ka vendosur që sivjet të përkrahë 293 projekte individuale për art, kulturë e trashëgimi kulturore. Shteti ka hapur kuletën me të madhe për thirrjet që kanë të bëjnë me kulturë e trashëgimi kulturore. Veç “Projektpropozimet në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore për vitin 2024” peshojnë 1 milion e 419 mijë e 940 euro. Lista e OJQ-ve në këtë sektor është muhabet më vete, sikurse listat e mobilitetit po në këtë sektor. Çështje më vete është edhe përkrahja e autorëve.
Paraprakisht te projektet individuale në atë që ishte listë preliminare qenë 282 projekte të përkrahura me 1 milion e 349 mijë e 140 euro. Por pas afatit të ankesave janë shtuar edhe 11 projekte me peshë financiare 70 mijë e 800 euro, duke bërë që lista të rrumbullakohet me mbi 1.4 milionë euro.
Çështja e financimit të skenës së pavarur kulturore viteve të fundit ka marrë hov sa iu përket shumave me të cilat përkrahen projektet. Por edhe nga numri i tyre. Krahasimi i shifrave me vitet paraprake shpesh shërben si mburrje për ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku. Por te kualiteti i asaj që financohet, nuk ka ndërruar gjë. Mekanizmat e Ministrisë së Kulturës që kontrollojnë zbatimin e projekteve nuk shkojnë përtej arsyetimit të shpenzimeve në letra. Për ndonjë matje të impaktit as që bëhet fjalë. Impakti mund të jetë i prekshëm veç në zërat që kritikojnë politikat kulturore, e që tash janë shumë më të paktë. Janë “kuadër deficitar”.
Për dramaturgun Jeton Neziraj fakti që Ministria shpërndan një fond kaq impresiv për artistë individualë është gjë shumë e mirë dhe duhet çmuar. “Por përtej këtij fakti, mendoj që ata duhet të ulen dhe të përcaktojnë kritere më precize, se çka duan të financojnë e çka jo dhe përse një projekt mund të financohet me, ta zëmë 20 mijë euro e një tjetër, i së njëjtës kategori, financohet me 2 mijë euro. Pra, duhet të ekzistojë njëlloj qasjeje më e hapur në kriteret e evaluimit”, ka thënë ai. Sipas Nezirajt, po ashtu, është e paqartë se përse lejohen botimet në këtë thirrje, kur ka një thirrje specifike për botimet dhe projektet letrare.
“Sa i përket monitorimit, jo, nuk besoj që MKRS-ja ka mekanizma e resurse të bëjë ndonjë monitorim të projekteve dhe as të masë impaktin. E ky aspekt besoj që duhet, po ashtu, të kihet parasysh. Sepse, nga thirrja, lehtë mund të shihet që ka plot krijues të rëndësishëm e kredibil, por ka edhe plot të tjerë që thjesht, një projekt e shohin veç si ‘euro’”, ka thënë ai.
Sa iu përket organizatave joqeveritare të asaj që quhet skenë e pavarur kulturore, 15 prej tyre e kanë të garantuar buxhetin deri më 2026. Arrin deri në 300 mijë euro për tre vjet për secilën organizatë. Te kjo që është “kategoria e parë” do të shpërndahet buxheti prej mbi 3 milionë euro.
Janë 258 projekte në total që kanë marrë mbështetje financiare nga buxheti i shtetit. Pos “kategorisë së parë”, në të dytën – me maksimum mbështetje vjetore deri në 40 mijë euro – janë 30 projekte. Në të tretën, deri në 20 mijë euro, janë plot 213 projekte.
Është hera e parë që MKRS-ja aplikon këtë sistem – që ndan buxhet për tre vjet për organizata që i ka cilësuar të kategorisë së parë – një qasje kaherë e kërkuar prej disa akterëve të skenës së pavarur, e arsyetuar nga Ministria si synim për fuqizimin e skenës së pavarur dhe jo vetëm.
Buxheti total i “Thirrjes publike: ‘Art, Kulturë dhe Trashëgimi Kulturore’” shkon mbi 5 milionë euro. Në Ligjin e Buxhetit të këtij viti, te kategoria “Përkrahja e kulturës” janë 5.6 milionë euro.
Pesëmbëdhjetëshes së “kategorisë së parë” i prin festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” me 282 mijë euro për tre vjet, pasuar prej qendrës “Multimedia” me 268 mijë euro, aq sa ka edhe teatri “Oda” për programin vjetor. Në listë janë edhe organizata “Ec Ma Ndryshe” me 257 mijë euro, “Autostrada Biennale” për program vjetor merr nga MKRS-ja 255 mijë euro, të dyja organizata që operojnë në Prizren, njësoj si “Lumbardhi” me projektin “Lumbardhi në tranzicion” mbështetur me 187 mijë euro. “PriFilmFesti” ka marrë buxhet prej 215 mijë eurosh, “Roma Veritas Kosovo” ka 150 mijë euro për tre vjet, aq sa edhe “Asociacioni Kosovar Chopin” për “program vjetor, përfshirë edhe ‘Chopin Piano Festin’”. Festivali ndërkombëtar i filmit të animuar “Anibar” i Pejës e ka të sigurt buxhetin prej 257 mijë eurosh deri më 2026, e në kategorinë e parë bëjnë pjesë edhe “HardhFesti” me 182 mijë euro e “Fondacioni 17” me 172 mijë. Planifikimet bazuar në 185 mijë eurot e MKRS-së mund t’i bëjë edhe kori “Siparantum” i Pejës. Pas ankesave janë shtuar edhe “Artpolis” me 233 mijë euro e “Cel Kosova” me 180 mijë euro.
Për shumicën prej këtyre organizatave, kaq kishte qenë buxheti edhe më 2023, “zbërthyer” në shifra vjetore.
Lista e “kategorisë së dytë” ka 30 organizata përfituese me po aq projektpropozime. Buxheti vjetor prej 40 mijë eurosh është maksimumi në këtë kategori. Janë katër OJQ, gjegjësisht projekte që kanë marrë maksimumin: Festivali “EtnoFest”, “Integra” me projektin për “Dokumentimin e trashëgimisë artistike – edicioni i pestë, Shani Pallaska”, Festivali i Teatrove i Ferizajt për edicionin e 54-t dhe për “aktivitete vjetore në teatro dhe hapësira të ndryshme publike, si dhe angazhimi i të rinjve në jetën kulturore artistike, si dhe “7 Arte” që ka këtë buxhet për “programin vjetor 2024 – 2026”. Në po këtë kategori është edhe Shoqata e Botueseve e Kosovës që ka marrë 35 mijë euro për “Panairet e librit”, po aq ka marrë edhe festivali ndërkombëtar i teatrit në ambient të hapur “PrizreniFest” për edicionin e tretë, nga 30 mijë kanë marrë “Mural Festi”, “Hasi Jehon”, “Mitrovica International Jazz Days”, aq sa ka edhe për “Prishtina Jazz Festival.
Kur Ministria e Kulturës kishte njoftuar dhe hapur Thirrjen publike për “Art, Kulturë dhe Trashëgimi Kulturore”, ndarjen në kategori e kishte zbërthyer në disa pika. Në fakt, Thirrja kishte pasur edhe kategorinë e katërt – Projektet e krijuesve, performuesve të rinj – por te Lista preliminare e së martës nuk figurojnë përfituesit.
“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore për vitin 2024 rendit ndër prioritetet programore: fuqizimin e rolit të skenës së pavarur kulturore në zhvillimin dhe zbatimin e politikave publike, rritjen e cilësisë së krijimtarisë artistike, identifikimin dhe mbështetjen e talentëve të rinj, aktivizimin e të rinjve në vendimmarrje dhe aktivitete të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore, rrjetëzimin dhe promovimin e produktit vendor kulturor si produkt konkurrues në tregun ndërkombëtar të industrisë kreative”, shkruhej në krye të Thirrjes të hapur në mars.