Kulturë

Shteti blen mbi 60 vepra arti me 190 mijë euro, juria do qasje tjetër

Për të dytën herë, shteti ka blerë vepra nga artistët. Kësaj radhe, rekord shënon çmimi prej 12 mijë eurosh. Por kjo formë e pasurimit të koleksionit publik të artit nuk del të jetë e duhura. Madje as për vetë jurinë që ka bërë vlerësimet dhe ka përcaktuar se cilat vepra duhet të jenë në pronë të shtetit. Janë 340 artistë që ia kanë mësyrë t’ia shesin shtetit veprat, e në arsyetimin e jurisë shkruhet se me shumicën e aplikuesve është komunikuar direkt duke i negociuar çmimet, pasi çmimet e ofertuara nga vetë autorët ishin të larta

Shteti është bërë pronar edhe i mbi 60 veprave artistike nga thirrja e sivjetshme publike për blerje nga artistët vendorë. Me 190 mijë e 140 euro, Ministria e Kulturës ka blerë vepra nga 40 artistë, prej 340 vetave që kishin aplikuar. Në listën e publikuar të mërkurën, çmimet sillen prej 800 deri në 12 mijë euro.

Por kjo formë e pasurimit të koleksionit publik të artit nuk del të jetë e duhura. Madje as për vetë jurinë që ka bërë vlerësimet dhe ka përcaktuar se cilat vepra duhet të jenë në pronë të shtetit. Këtë gjë juria e ka bërë të ditur në disa raste në raportin që ka përgatitur. Mes rreshtash bëhet e ditur se juria nuk e përkrah fare këtë format të blerjes, ku shteti hap thirrje publike për aplikim.

Sa i përket listës preliminare – me afat ankesash prej 15 ditësh – me vlerë financiare prin Alban Muja me videot e “Family Album”, nëpërmjet të cilave ka përfaqësuar Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Venecias, më 2019. Është vlerësuar me 12 mijë euro. Me 10 mijë euro janë vlerësuar fotografitë e Driton Selmanit, “They Say You Can't Hold Two Watermelons In One Hand” dhe “EVERYTHING”. Kurse me 8 mijë, “TransBrasil”, seria e fotografive të Jetmir Idrizit. Në listë gjejnë vend mediume të ndryshme të shprehjeve artistike. Por juria ka anuar nga veprat e reja, duke blerë tek-tuk edhe ndonjë të shekullit të kaluar. Kjo me arsyetimin se sa i përket shekullit të kaluar, shteti posedon fondusin e Galerisë Kombëtare të Kosovës. Qëllimi ishte pasurimi i koleksionit ekzistues, duke zhvilluar njëkohësisht një kornizë konceptuale dhe të qëndrueshme për blerjet e ardhshme.

Sipas raportit të jurisë, me një fokus të fortë në diversifikimin e koleksionit dhe duke përfshirë artistë dhe media të nënpërfaqësuara dhe të reja, blerjet e fundit përfshijnë vepra si nga artistë të njohur, ashtu edhe në zhvillim dhe mbulojnë një gamë të gjerë të temave dhe mediumeve, që variojnë nga skulptura dhe piktura te video dhe instalimet, punimet ne letër, grafikat, fotografia, zëri dhe tekstili.

Sipas jurisë, ata e kuptojnë rëndësinë e kësaj iniciative të shtetit për nismën e procesit të blerjes për fuqizimin e peizazhit kulturor të Kosovës, por njëkohësisht e inkurajon Ministrinë e Kulturës të mendojë përtej koleksionimit si mjet për të arritur këtë qëllim. Sa i përket fokusit te veprat e viteve të fundit, sipas jurisë, ky zgjerim shihet si një mundësi për ta bërë koleksionin më të larmishëm, për të adresuar boshllëqet ekzistuese dhe për të prezantuar narrativa të reja që forcojnë veprat historike brenda koleksionit kombëtar. Më pas në raport juria ka renditur telashet jo të vogla.

“Juria ka vënë në dukje se një numër i madh i artistëve nuk kanë dorëzuar punët e tyre më të mira në propozime, gjë që paraqiti vështirësi në procesin e përzgjedhjes. Më tej, natyra dukshëm divergjente dhe shpeshherë subjektive e punimeve reflektoi vështirësitë që vijnë si pasojë e shkallës relativisht të vogël të tregut vendor të artit, kushtet socio-ekonomike të prodhimit të artit në Kosove dhe sfidat me të cilat përballen artistët kosovarë për të marrë pjesë në artin ndërkombëtar”, shkruhet në raportin e jurisë, në përbërje të kuratoreve Övül Durmushoğlu, kuratore, profesoreshë në “HBK Braunschweig”, Hana Halilaj, kuratore në Galerinë Kombëtare të Kosovës, Joanna Mytkowska, drejtoreshë e Muzeut të Artit Modern në Varshavë, Catherine Nichols, kuratore në “Hamburger Bahnhof” dhe Eriola Pira, kuratore dhe drejtoreshë e programeve në “Vera List Center for Art and Politics, The New School”.

Sipas raportit, në këtë proces juria përdori një kriter që merrte në konsideratë përvojën dhe formimin artistik, krahas cilësive artistike dhe kontributin e mundshëm të veprave në ekspozita dhe në programe edukative.

“Për rrjedhojë, në këtë proces, juria përdori një sërë kriteresh të cilat merrnin në konsideratë përvojën artistike dhe formimin e secilit aplikues krahas cilësive artistike dhe kontributit të mundshëm të veprave të tyre përkatëse në ekspozita dhe programe edukative”, shkruhet në raport. Aty ceket se këto blerje pasqyrojnë përkushtimin institucional për ta përfaqësuar dhe mbështetur skenën bashkëkohore kulturore në Kosovë dhe vazhdimin e përpjekjeve transformuese për ripërcaktimin e rëndësisë së institucioneve kulturore në vend.

“Pas këtij procesi, juria do t’i bëjë rekomandime Ministrisë së Kulturës në lidhje me praktikat më të mira për koleksionim dhe mënyrën e zhvillimit të thirrjeve të hapura dhe proceseve të vlerësimit në të ardhmen”, shkruhet në raport.

Juria me shumicën e aplikuesve, veprat e të cilëve i ka vlerësuar, ka komunikuar direkt duke i negociuar çmimet, pasi çmimet e ofertuara nga vetë autorët ishin të larta. Kjo është bërë me qëllim që shteti të mos ndikojë direkt në tregun artistik dhe në anën tjetër, sipas bindjeve të jurisë, artistët duhet të kenë konsideratë kur shesin vepra për koleksione kombëtare dhe të mos mbajnë çmimet sikurse në raport me koleksionuesit privatë.

Pavarësisht kësaj qasjeje, ka prej artistëve vendorë që mendojnë se shteti ka paguar shtrenjtë në raport me veprat që ka blerë.

“Më besoni nuk kam koment. Është e tepërt me bisedu e me debatu. Na kanë mbulu paret”, ka thënë skulptori Adem Rusinovci, profesor e ish-dekan i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës.

Një pjesë e veprave të blera do të shkojnë në Galerinë Kombëtare të Kosovës. KOHA ka raportuar disa herë se Galeria Kombëtare e Kosovës posedon mbi 900 vepra në fundus dhe ka mungesë hapësirash, si dhe mungesë kuadrosh që t’i mirëmbajë ato. Se nuk ka kushte, u konfirmua edhe në janarin e vitit 2021, kur 125 vepra që dikur zinin vend në hotelin “Grand”, u zhvendosën aty. Edhe blerja e vitit të kaluar nëpërmjet thirrjes publike, ku me 300 mijë euro u blenë mbi 80 vepra, e ka pasuruar fondin e GKK-së. Sivjet ishin në dispozicion 350 mijë euro. Prej tyre, 150 mijë janë lënë që GKK-ja të bëjë blerje direkte të veprave këtë vit nëpërmjet vizitave në studiot e artistëve.

“Për vendosjen e veprave ne kemi hapësirat brenda GKK-së, dhe kemi një hapësirë tjetër që e kemi marrë në huazim ku vendosim një pjesë të koleksionit”, ka thënë të mërkurën mbrëma ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Sipas tij, blerja e veprave të artit me vlerë prej 400 mijë eurosh për vitin që vjen do të jetë proces që do të menaxhohet krejtësisht nga Galeria Kombëtare e Kosovës. Në këtë rast ministri Çeku ka bërë të ditur edhe një gjë.

“Studioja projektuese që ka kontraktuar MKRS-ja ka dizajnuar projektin ideor për restaurimin e GKK-së dhe duhet të shkojë për pëlqim në IKMM. Shpresoj shumë që vitin e ardhshëm të shkojmë me restaurim dhe një ndërhyrje esenciale që po trajtohet tash është zgjerimi i hapësirave të koleksionit dhe për restaurimin e veprave që janë aty”, ka thënë ministri Çeku.

Sa i përket blerjes së veprave të artit GKK-ja këtë proces e kishte ndërprerë qysh më 1989, kur edhe ish-Jugosllavia kishte nisur të merrte tatëpjetën.

Ministria e Kulturës tentativën e parë për blerje të veprave të artit e kishte bërë më 2021. Asokohe Ministria e Kulturës 48 orë pasi kishte publikuar listën e veprave të përzgjedhura e kishte anuluar procesin pas disa reagimeve e një proteste të nja 20 vetave. Buxheti për atë thirrje prej 247 mijë eurosh i marrë nga Pakoja për Ringjallje Ekonomike kishte shkuar në suficit.