Kërkesës për furnizim me instrumente muzikore ia kanë parë hairin edhe disa institucione të tjera kulturore e arsimore. Kontrata e titulluar “Blerja e instrumenteve muzikore” ka vlerën 943 mijë e 627. Ndër të tjera, shteti do të blejë piano për institucionet qendrore të kulturës, teatrot e qyteteve dhe shtëpitë e kulturës në vlerë prej 504 mijë e 808 eurosh. Po ashtu, piano për institucionet universitare dhe shkollat e muzikës në vlerë prej 275 mijë e 351 eurosh. Krejt ky furnizim do të bëhet bazuar në raportin e Komisionit për nevoja të instrumenteve. Këtë komision e ka emëruar Ministria e Kulturës
Shteti ka vendosur që me gati një milion euro të pajisë institucione qendrore e lokale të kulturës e të arsimit me instrumente muzikore të reja. Fiks 943 mijë e 627 euro është vlera përgjithshme e kontratës midis Ministrisë së Kulturës dhe një kompanie private – e vetmja që ka aplikuar – për të bërë furnizimin me instrumente. Filharmonia e Kosovës për herë të parë do të pajiset me instrumente të blera nga shteti. Qysh prej themelimit, tash e çerekshekull, ka funksionuar me instrumente që i ka marrë si donacione. Furnizimit që ka nisur për nevojat e Filharmonisë ia kanë parë hairin edhe institucionet lokale e qendrore të kulturës e të arsimit.
Sipas kontratës së titulluar “Blerja e instrumenteve muzikore”, shteti do të blejë piano për institucionet qendrore të kulturës, teatrot e qyteteve dhe shtëpitë e kulturës në vlerë prej 504 mijë e 808 eurosh. Po ashtu piano për institucionet universitare dhe shkollat e muzikës në vlerë prej 275 mijë e 351 eurosh. Sa u përket instrumenteve me të goditur, për nevojat e Filharmonisë dhe Operës së Kosovës do të shpenzohen 53 mijë e 950 euro. Me 94 mijë euro do të blihen kontrabas për Filharmoninë dhe me 15 mijë e 320 euro pulte hidraulike për Filharmoninë dhe Operën.
Në bazë të kontratës do të blihen tre “Grand Piano” me nga 53 mijë e 990 euro. Një do të jetë në shfrytëzim të Filharmonisë së Kosovës, një do të vendoset në Pallatin e Rinisë dhe Sportit dhe tjetra në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, ku viteve të fundit hapësira po shfrytëzohet për mbajtjen e disa festivaleve të muzikës klasike.
Teatri Kombëtar dhe teatrot e qyteteve bashkë me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës do të pajisen me piano me vlerë prej 23 mijë e 200 eurosh. Me piano të tilla do të pajisen edhe Fakulteti i Arteve në Prishtinë e Pejë. Të tillë një do ta ketë edhe shkolla e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, përderisa të tjerat do të kenë piano në vlera më të ulëta. Një numër i konsiderueshëm për institucionet është edhe ai i pianove dhe pianove elektrike. Te shumat e mëdha hyn edhe çelesta për Filharmoninë e Kosovës në vlerë prej 43 mijë euro. Krejt ky furnizim do të bëhet bazuar në raportin e Komisionit për nevoja të instrumenteve. Këtë komision e ka emëruar Ministria e Kulturës. KOHA ka kërkuar shpjegime e po ashtu edhe raportin nga MKRS-ja, por ky institucion nuk është përgjigjur.
Dardan Selimaj, i cili mban pozitën e ushtruesit të detyrës së Filharmonisë së Kosovës, ka thënë se ky institucionin në instrumentariumin e vet ka pasur nevojë për plotësimin e instrumenteve me të goditur ose perkusioneve si vibrafon, marimba në C, gran casa, crotales, kastanjeta, set bateri, crash cymbal, duo piatti, set bongo, set conga, djembe, tambourines, set trekëndësh, guiro, claves woodstick e të tjera. E po ashtu edhe pjesë shoqëruese për këto instrumente.
“Një pjesë e këtyre instrumenteve Filharmonia i posedon, mirëpo shumica prej tyre nuk janë të përmasave të nevojshme për interpretimin e disa veprave të literaturës së muzikës klasike dhe sidomos asaj bashkëkohore. Përveç këtyre, pjesë e kërkesës ka qenë edhe blerja e kontrabasëve për Filharmoninë, një prej të cilëve është me 5 tela – instrument që Filharmonia nuk e posedon fare – si dhe çelesta që po ashtu nuk e posedon fare, pianoja e re koncertale dhe ajo elektrike”, ka thënë Selimaj.
Ka sqaruar se Filharmonia deri më tash nuk ka blerë instrumente përveçse ka pranuar donacione, prej tyre, disa donacione të vogla nga banka private në Kosovë gjatë dhjetë vjetëve të para të themelimit, si dhe donacionin e shtetit japonez më 2014 që, sipas tij, praktikisht është instrumentariumi i Filharmonisë së Kosovës. Ka përmendur edhe pianon koncertale të dhuruar nga një fondacion i Lihtenshtajnit në vitin 2009 përmes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Sa i përket donacionit japonez, ka sqaruar se vlera e tij ishte 600 mijë euro.
“Instrumentet që janë dhuruar përfshijnë: piano, harpë, timpane, disa instrumente perkusionesh, violina, viola, violonçel, kontrabas, flaute (3), oboa (2), klarineta (3), fagotë (2), trumbeta (2), trombonë (3), tuba (1), harpsichord, pulte”, ka thënë ai.
I pyetur se përse MKRS-ja e ka parë të nevojshme të ketë një komision për të shqyrtuar nevojat e institucioneve për instrumente, përfshirë ato institucione që nuk i ka nën varësi, Selimaj ka thënë se bazuar në kërkesat që i janë drejtuar MKRS-së në lidhje me nevojën për blerjen e instrumenteve, është formuar një komision dhe fokusi në këtë fazë të blerjes vlerësuar nga ky komision ka qenë blerja e pianove për shkollat e muzikës në gjithë territorin e Kosovës. Po ashtu për shtëpitë e kulturës dhe teatrot, dhjetë qendrat kulturore ose shtëpi kulture dhe teatrot kryesore, si dhe disa qendra të tjera.
“Kjo ka ndodhur duke marrë parasysh që këto institucione nuk kanë mundësi të bëjnë këtë blerje, dhe ka pasur një proces të diskutimit me këto institucione. Baza për zhvillimin e një jete muzikore fillon nga pianoja, e cila është e nevojshme për koncerte të zhanreve të ndryshme, por edhe për shfaqje teatrale”, ka thënë Selimaj.
Furnizimin do ta bëjë kompania “AMC Corporation Sh.P.K.” që udhëhiqet nga Besfort Berisha.
Ai ka thënë se shumë instrumente profesionale nuk gjenden në stoqet e kompanive që i prodhojnë ato dhe duhet të porositen. Sipas kontratës, afati i furnizimit është 365 ditë. Sipas Berishës, shumica e prodhuesve i kanë kërkuar deri në 6 muaj kohë.
“Ne e kemi bërë porosinë dhe presim nga prodhuesit. Do të vijnë në faza”, ka thënë ai. Sipas tij, sa u përket pianove bëhet fjalë për prodhuesin më të mirë në botë. Nuk ka dhënë detaje me arsyetimin se kompanitë nuk pranojnë t’u përmendet emri derisa të dorëzohen e pranohen instrumentet.
“Duhet të dorëzohen, pranohen e testohen e pastaj mund të bëhen publike”, ka thënë Berisha. Sipas kontratës së nënshkruar në fund të janarit të këtij viti, furnizuesi duhet të dorëzojë certifikatën e origjinës së furnizimeve kur bëhet pranimi i instrumenteve. Nëpërmjet këtij furnizimi pritet të plotësohen shumica e nevojave institucionale për instrumente.