Kulturë

Shtetësia e kontestuar e Kosovës: Historia si kuaziargument i palës serbe

Studiuesit serbë, ndër të tjera, si argument në shërbim të tezës së tyre e lidhin etimologjinë e toponimit “Kosovë” dhe “Metohi” me gjuhën serbe. Ata potencojnë se fjala “Kos” është emër serb me të cilin quhet zogu i vogël shtegtar me pupla të zeza apo mëllenja (shq.). Perandori bizantin, Constantine VII Porphyrogenitus i quajtur edhe Constantine VII Flavius Porphyrogenitus (905-959), në librin e tij “De Administrando Imperio” shkruante se fjala “serb” në gjuhën latine nënkuptonte skllav, ndërsa në gjuhën e tyre (serbe) fjala “serbula” do të thoshte këpucë të rëndomta

Shteti dhe shoqëria serbe pretendojnë se Kosova është pjesë përbërese e kujtesës historike serbe duke shfrytëzuar argumente se në hapësirën e këtij territori janë bazamentet e shtetësisë dhe kulturës shpirtërore të tyre. Natyrisht për të përligjur pretendimet e tyre, historiografia serbe pikësëpari përjashton prejardhjen ilire të shqiptarëve dhe përqendrohet vetëm në periudhën e forcimit politik dhe ushtarak të Rascisë apo Rashës (sikur e thërrasin disa studiues) gjatë shekujve XIII-XV, kohë kjo e shtrirjes së tyre në drejtim të jugut të pasur dhe të banuar nga arbërit, gjë të cilën ata e mohojnë, por pa shpjeguar se cilët ishin banorët që e popullonin këtë zonë.

Kundërthëniet e historiografisë

Mbretërit rascianë në zonën e Kosovës meremetuan kishat ekzistuese, ndërtuan mbi themelet e kishave ekzistuese objekte të reja sakrale dhe shtuan presionin për t’i konvertuar në ritin rascian ortodoksë, jo vetëm besimtarët e krishterë katolikë, por edhe ata ortodoksë të ritit bizantin. Nuk duhet harruar se në vitin 732, me vendim të perandorit bizantin, Leonit III, ipeshkvijtë e Arbërisë kalojnë nën varësinë e Patrikanës së Kostandinopolit.

Historiografia serbe kur bën fjalë për përbërjen etnike të banorëve të Rrafshit të Kosovës dhe të Dukagjinit gjatë mesjetës mbështetet në tezën se të gjithë të krishterët ortodoksë dhe ata me antroponomi sllave ishin serbë dhe vetëm një pakicë e krishterë katolike ishte vendase dhe të tjerët ishin të ardhur kryesisht nga Shqipëria Veriore dhe të cilët duke u islamizuar gjatë shekujve XVI-XVII u bënë shumicë në Rrafshin e Kosovës dhe të Dukagjinit. Pra, një pakicë etnike me kulturë dhe traditë inferiore në krahasim me serbët dhe nën sundimin e një fuqie të huaj arriti të imponohej dhe me dhunë të bëhej shumicë në Rrafshin e Kosovës dhe të Dukagjinit? Shpjegimi i tillë i proceseve historike sjell përsëri historiografinë serbe në kundërthënie me argumentet e saj. Së pari ata nuk marrin mundin të theksojnë se shqiptarët deri në zgjerimin e mbretërisë serbe në jug i takonin kryesisht krishterimit lindor të ritit bizantin dhe pjesërisht atij perëndimor (katolik). Së dyti nuk u referohen as burimeve historike ose ato i kapërcejnë kur flitet për shqiptarët e krishterë ortodoksë të Rrafshit të Kosovës dhe të Dukagjinit sikur janë udhëpërshkrimet e Evlija Çelebiut, ku ai qartë shkruan për shqiptarët e krishterë ortodoksë të Vuçitërnës apo të “Memories mbi Shqipërinë” të përpiluar nga kleriku shqiptar, Tomë Raspasani, dhe të dorëzuar perandorit habsburgas Leopoldit I nga ana e Marsiglit; të letrës së 6 prillit 1690 të Leopoldit I për kryepeshkopin e Pejës, patriarkun Arseni III Cërnojeviq si dhe shumë dëshmi të tjera nga kjo periudhë historike. Sudiuesit serbë si Jovan Tomiq argumentojnë prezencën e madhe etnike shqiptare në Rrafshin e Kosovës dhe të Dukagjinit vetëm nga shekulli XVII, kur serbët kinse pësuan si aleatë të habsburgasve dhe u detyruan të shpërngulen nga Rrafshi i Kosovës edhe të Dukagjinit dhe që pastaj nën dhunën e shqiptarëve të islamizuar ata jo vetëm u islamizuan, por edhe u shqiptarizuan. Mirëpo edhe pse gjatë gjysmës së dytë të shekullit XVII dhe fillimit të shekullit XVIII procesi i islamizimit të popullsisë së krishterë në Perandorinë Osmane ishte në rritje duke përfshirë rajone të tëra në Shqipëri, Serbi, Bosnjë, Bullgari, Dalmaci, përsëri elementi i krishterë ishte mbizotërues. Pra për këtë periudhë historike nuk mund të bëhet fjalë për një popullsi shqiptare plotësisht të islamizuar. Në të vërtetë këtij procesi më shumë i ishin nënshtruar të krishterët katolikë, të cilët jo vetëm se kishin qendrën shpirtërore jashtë kufijve të Perandorisë Osmane por ishin edhe mbështetje e shteteve të krishtera katolike të Evropës në luftën e tyre të pandërprerë me Portën e Lartë. Studiuesi F.F. Anscombe konsideron se për Perandorinë Osmane ndër grupet etnike-gjuhësore më të rëndësishme ishin shqiptarët (shumë më pak serbët) dhe se me “Arnavudluk” ata quanin të gjitha vendbanimet ku jetonin shqiptarët në shumicë (Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi) dhe ndonëse nuk kishin krijuar një njësi të veçantë territoriale përsëri “Arnavudluk” konsiderohej një zonë me rëndësi primare për Portën e Lartë.

Image
Pazari i Prizrenit, 1905 (Foto: Franz Nopcsa)

Etimologjia e “Kosovë”, “Metohisë” dhe “serbit”

Studiuesit serbë si argument tjetër në shërbim të tezës së tyre e lidhin etimologjinë e toponimit “Kosovë” dhe “Metohi” me gjuhën serbe. Ata potencojnë se fjala “Kos” është emër serb me të cilin quhet zogu i vogël shtegtar me pupla të zeza apo mëllenja (shq.). Ndërsa Aristoteli në veprën “Historia Animalium” (Historia e Kafshëve) nga shekulli IV p.e.s, me κοττύφων quante zogun me pupla të zeza apo mëllenjën; në Atikë - Athinë, grekët e lashtë, κόττυφος (kóttiphos) dhe κόσσυκος (kóssikos) quanin zogun e zi apo mëllenjën; në periudhën bizantine (shek. X-XV) kjo fjalë vazhdonte të përdorej si “κόσσυφος/ κόσσυβος” (kóssyfos). Prandaj Pjetër Bogdani në raportin e tij do të shkruante “...campo di Cossovo, detto merlino..” (Fusha e Kosovës, e njohur si fusha e mëllenjave). Pra, nuk është e pritshme që grekët e vjetër, romakët e lashtë dhe italianët kanë huazuar ose përkthyer nga sllavët emrat e shpezëve. Perandori bizantin, Constantine VII Porphyrogenitus i quajtur edhe Constantine VII Flavius Porphyrogenitus (905-959), në librin e tij “De Administrando Imperio” shkruante se fjala “serb” në gjuhën latine nënkuptonte skllav, ndërsa në gjuhën e tyre (serbe) fjala “serbula” do të thoshte këpucë të rëndomta (të cilësisë së ulët) dhe “tzerboulianoi” për ata që mbathnin këpuca të cilësisë së dobët. Ndërsa se sa janë të prirë për të ndryshuar toponominë tregon edhe kërkesa zyrtare e tyre më 1915 që shtypi britanik të mos përdorte më emrin Servi por Serbi.

“Metohi” për “ndarje” dhe “bashkësi”

Gjithashtu vetëm pas vitit 1945 filloi përdorimi zyrtar dhe administrativ i termit Metohi, fjalë kjo që buron nga gjuha greke μετοχή (ndarje, bashkësi) dhe e cila ka kuptimin e pronës së manastireve ortodokse. Prandaj gjatë shekullit të XIX dhe XX, elitat intelektuale dhe politike serbe, për të dëshmuar përkatësinë serbe të Kosovës, insistonin në përdorimin e emërtimit gjeografik Metohi në vend të atij Dukagjin me të cilën lidhej përkatësia etnike shqiptare e kësaj pjese të Kosovës. Ndërsa emërtimi zyrtar i Vilajetit të Prizrenit në vilajet të Kosovës është bërë në vitin 1877, në prag të Luftës Ruso-Osmane. Ishte rastësi apo projekt i imponuar dhe i jetësuar me ndihmën ruse për të përligjur pretendimet territoriale serbe drejt jugut të populluar nga shqiptarët!

Pika kthesë në historinë e shqiptarëve ishte depërtimi i forcave habsburgase në territorin e Kosovës së sotme. Kështu në fushatën e suksesshme të Pikolominit drejt jugut atij i ndihmoi edhe një legjendë popullore që përflitej në mesin e shqiptarëve dhe boshnjakëve, sipas së cilës, ata do t’i çlironte nga sunduesi osman një princ, devetë e të cilit do t’i kalëronin kafshët e huaja të panjohura, ekzotike. Këtë legjendë e shfrytëzoi shumë mirë Pikolomini, i cili nga kampi i zënë i osmanëve në Nish, solli deve mbi të cilat kishte majmunë dhe papagaj. Dhe në momentin që ai hyri në Prishtinë, ky veprim i tij rezultoi me sukses të madh, sepse duke plotësuar fantazinë popullore, banorët shqiptarë të krishterë të Prishtinës me rrethinë, Pikolominin e përjetuan si shpëtimtar, të cilin aq gjatë e kishin pritur. Çka dëshmon kjo legjendë? Së pari kjo gojëdhënë nuk kishte të bënte me popullsinë e islamizuar shqiptare për të cilët shkëputja nga Perandoria Osmane dhe rënia nën pushtetin e një fuqie të krishtere nuk ishte çlirim por dëbim ose rikonvertim në krishterim. Së dyti, Pikolomini në raportin e tij do të lajmëronte se në Prishtinë atë e pritën përfaqësuesit katolikë, shqiptarët dhe të tjerë. Pra, është fare i qartë dallimi që ai bënë duke i konsideruar të krishterët katolikë si bashkësi të veçantë dhe në anën tjetër me shqiptarë dhe të tjerë, ai natyrisht nuk nënkuptonte popullsinë e islamizuar të cilët tashmë ishin larguar, por bashkësinë e krishterë ortodokse të shqiptarëve dhe të rascianëve.

Mbi përkatësinë e krishtere ortodokse të shqiptarëve

Mbi përkatësinë e krishtere ortodokse të shqiptarëve të Rrafshit të Kosovës dhe të Dukagjinit dëshmojnë: “Memoria mbi Shqipërinë” (Memorie su l’ Albania), dorëzuar kancelarisë perandorake habsburgase nga L.F.Marsigli e cila mbështetej në letrën e vikarit të Kryepeshkopatës së Shkupit, Tomë Raspasanit, si dhe letra e parë e perandorit habsburgas, Leopoldi I, dërguar më 6 prillit 1690 kryepeshkopit të Pejës, Patrikut Arseni III Cërnojeviq. Në fillim të këtij letërkujtimi mbi Shqipërinë (Marsigli-T.Raspasani) theksohet se shqiptarët janë të ndarë në gjashtë apo shtatë rrethe të gjithë të ritualit shizmatik (ortodoksë), me përjashtim të kelmendasve që janë katolikë. Duke u nisur nga fakti se Pikolomini kishte pikësynim që të mbyllte brezin malor në drejtim të Elajetit të Bosnjës duke filluar nga Shkodra e deri në Novipazar, vijmë në përfundim se bëhet fjalë për shqiptarë të krishterë ortodoksë banorë të sanxhaqeve të Novipazarit, Vuçitërnës, Prizrenit, Dukagjinit, Shkodrës (banorë të zonave malore), Shkupit dhe të Nishit. Natyrisht historiografia serbe e hedh poshtë vërtetësinë e këtij dokumenti, duke pretenduar se Marsigli nuk ka pasur njohuri të saktë mbi përbërjen etnike dhe fetare të këtyre zonave dhe njëkohësisht minimizojnë ose e kalojnë në heshtje kontributin e Toma Raspasanit në përpilimin e këtij dokumenti. Këto pretendime të tyre i mbështesin edhe studiues të huaj. Po kështu studiuesit serbë dhe të huaj që i mbështesin, anashkalojnë letrën e parë si dhe proklamatën e perandorit Leopoldi I të 6 prillit 1690. Në letrën e parë, Leopoldi I, i drejtohet personalisht Arsenit III në të cilën thekson ndikimin që ai ka midis popujve të atyre anëve e sidomos ndër shqiptarët dhe rascianët. Ndërsa në proklamatën apo thirrjen e 6 prillit të vitit 1690, Leopoldi I, u drejtohej të gjithë popujve dhe vendeve në varësi të Mbretërisë së Hungarisë (Kroacisë, Sllavonisë, Bosnjës, Serbisë dhe Bullgarisë) dhe veçanërisht shqiptarëve. Në vazhdim të proklamatës ose të deklaratës së shkruar (manifestit) perandori ftonte të gjithë popujt në Shqipëri, Serbi, Bullgari dhe Maqedoni, që t’i rikthehen bashkimit në kuadër të Mbretërisë së Hungarisë dhe t’u bashkohen përpjekjeve të përbashkëta në luftën kundër pushtimit osman, si dhe për lartësimin e fesë së krishterë. Prandaj po të mos ishin shqiptarët edhe të krishterë ortodoksë pse duhej që perandori habsburgas të kërkonte nga Arseni III Cërnojeviq të ndikonte edhe te shqiptarët? Pjetër Mazreku në raportin e tij të viti 1633 thekson se kishte 12.000 të krishterë katolikë në “Mbretërinë e Serbisë” sikur vazhdonte kisha katolike t’i quante njësitë administrative-kishtare edhe pas pushtimit osman të këtyre zonave dhe të cilët flisnin gjuhën shqipe dhe sllave. Ndërkohë në raportet e Pjetër Bogdanit theksohej se në Kosovë kishte 1.000 shtëpi të krishtera katolike nga të cilët mund të mblidheshin 3.000 luftëtarë dhe që së bashku me të krishterët ortodoksë apo “serbët” (sikur i quan Bogdani) numri i tyre mund të rritej në 10.000 luftëtarë. Mirëpo më parë duhet shpjeguar se Bogdani me këtë rast ka parasysh kontributin e banorëve sipas përkatësisë fetare (ortodoksët e ritit rascian) dhe jo sipas asaj etnike sepse në të kundërtën do të potenconte edhe shqiptarët (Li miei Albanesi...).

Miti i “shpërnguljes së madhe serbe” nga Kosova më 1690

Pika e tretë në të cilën mbështetet historiografia dhe shteti serb është miti mbi kinse “shpërnguljen e madhe serbe nga Kosova më 1690”. Sipas burimeve arkivore vjeneze të muajit nëntor 1690, në rrethinën e Budimës kishin ardhur 15.000 të shpërngulur dhe të cilëve inspektori i administratës tatimore u kishte dhënë leje të vendoseshin në fshatrat e rrethinës së Budimës e deri në Visegrad (në veri të Hungarisë). Nga ky numër i të zhvendosurve numri optimal i të larguarve nga Rrafshi i Kosovës mund të ishte rreth 3.000-5.000 banorë të ikur dhe jo 37.000 familje sikur pretendon historiografia serbe, gjë që nuk ka ndikuar në ndryshimin e strukturës etnike të popullsisë së Kosovës. Shifra prej 37.000 familjeve të shpërngulura nuk mbështeten në dokumentet arkivore vjenezë, por në të dhëna kishtare që i vinte në dyshim edhe Ilarion Ruvarac, duke shtruar pyetjen se si ishte e mundur që për bazë të merren shkrimet e një murgu që nuk i mbështeste këto shifra në asnjë të dhënë, por edhe shtronte pyetjen se në kushte lufte a ishte e mundur zhvendosja e 37.000 familjeve?

Prandaj çdo insistim i historiografisë serbe dhe të atyre që vazhdojnë të mbështesin tezën se si shqiptarë në Rrafshin e Kosovës dhe të Dukagjinit në lëvizjen kryengritëse të viteve 1689-90 pranohen vetëm shqiptarët e krishterë katolikë (të cilët nuk ishin banorë shumicë) dhe prezencën e shqiptarëve myslimanë (të konsideruar bashkëpunëtorë të osmanëve), njëkohësisht duke hedhur poshtë të dhënat e shumta që dëshmojnë për praninë e shqiptarëve të krishterë ortodoksë në Sanxhakun e Shkupit, të Vuçitërnës, të Prizrenit dhe të Dukagjinit është vazhdimësi e narracionit historik serb që nga shekulli XIX e tutje.