Nocioni kompleks i shtëpisë në raport me përjetimet e individit trajtohet në ekspozitën grupore në “The Fries Museum”, në Leeuwarden të Holandës. Në këtë temë do të bëhen bashkë botët e trembëdhjetë artistëve nga vende të ndryshme. E titulluar “Heem” si një emërtim për shtëpinë në gjuhën holandeze, ekspozita në mediume të ndryshme artistike do të trajtojë ndjesinë e “shtëpisë”, afinitetin e individit me të, kujtesën për të dhe se si duket lumturia e një shtëpie sipas interpretimit artistik. Me veprat e tyre në këtë ekspozitë, e cila do të hapet më datë 28 prill, prezantohen edhe artistët e mirënjohur nga Kosova, Erzen Shkololli dhe Petrit Halilaj
Se çfarë e bën njeriun të ndihet si në shtëpinë e vet, se çfarë mbetet nga kjo ndjesi kur është larg shtëpisë, ose nëse vendi që njeriu e quan shtëpi është zhdukur, janë çështjet që qartësohen në ekspozitën “Heem”, në konceptin kuratorial të dyshes Pamela Phatsimo Sunstrum dhe Rory Pilgrim. “The Fries Museum” në Leeuwarden të Holandës është shtëpia e “Shtëpisë” siç përkthehet në shqip “Heem”, e cila do të hapet më 28 prill dhe bashkon veprat e trembëdhjetë artistëve, dy prej të cilëve nga Kosova.
Veprat e prezantuara, të cilat i përkasin stilit bashkëkohor, do të qëmtojnë copëzat të cilat ndërtojnë rolin e shtëpisë si hapësirë banimi për individin. Nisur nga kjo qasje universale, ekspozita ofron edhe një dritare tjetër, e cila eksploron edhe lidhjen subjektive me atë hapësirë. Larg raportit me të si objekt i cili përkon me një realitet fizik, aty vëmendja vihet te sentimenti. Por, çfarë e veçon atë si ekspozitë është trajtimi holistik që u bëhet përjetimeve të artistëve karshi shtëpisë. Në të zë vend edhe largimi nga kjo hapësirë e mishëruar me individin, me apo pa dëshirë.
Me këtë të fundit rezonojnë edhe dy veprat e artistëve nga Kosova: Erzen Shkololli dhe Petrit Halilaj, të cilat priten të zbulohen në muajt në vazhdim deri në mbyllje të ekspozitës, më 27 prill të 2025-tës në institucionin i cili më 2018 mori “Global Fine Art Award” në New York, e i cili njihet si “Oscar” i muzeve.
Shkololli në këtë ekspozitë do të marrë pjesë me veprën e tij “Pejë, Kosovo, 1998” e cila do të prezantohet në korrik të këtij viti. Pjesëmarrja e tij në këtë ekspozitë do të shënohet me një vepër të cilën ai e kishte punuar gjatë luftës në Kosovë. Shkololli, si artist i ri në atë kohë, ishte fshehur nga krimet e tmerrshme të spastrimit etnik për tre muaj bashkë me familjen e tij në Pejë. Kështu i nisur nga motivi i të qëndruarit aktiv, ai zhvilloi veprimtarinë artistike edhe në rrethanat e luftës. I kontaktuar nga KOHA, për ekspozitën fjalët ua ka lënë kuratorëve.
E sipas përshkrimit të veprës, mjetet rrethanore si copët në dyqanin e rrobaqepësisë të të atit dhe makina e qepjes që i përkiste nënës së tij bënë që nga duart e Shkolollit të dilnin vepra artistike krejt të veçanta. Rezultati: një seri e përbërë nga kompozicione prej copash materiali, shumëngjyrëshe të cilat formohen nga një e tillë me gjatësi prej 21 metrash dhe tetë banerë të tjerë.
Vepra 21-metërshe paraqitet si një rrëfim ku vëmendjen e marrin figurat të cilat karakterizohen nga ngjyra e kuqe në një prapavijë të zezë.
Shumica e figurave të cilat jetësohen si të vizatuara në mënyrë skematike i kanë duart lart, të ndërthurura dhe me detaje si shtëpitë, lulet, dhe arkivolet, sërish me ngjyra të ndritura në sfondin e zi. Subjektet në këto vepra Shkololli ka vendosur t’i paraqesë të varfra për nga shprehja emocionale, marrë parasysh vetë temën. Në konstruktimin artistik të tyre në shikim të parë duket se mungon thellësia emocionale, megjithatë ky thjeshtëzim me të cilin ai i jetëson këto elemente pasqyrojnë në një mënyrë direkte peshën dhe ndjeshmërinë e fabulës, e cila ndërtohet nga ato.
“Naiviteti përcillet për nga format a pa ofistikuara të figurave të krijuara me copa”, shkruhet në përshkrimin e veprave. E ato tregojnë një interpretim të brutalitetit të vdekjes nga një “perspektivë infantile”, e cila automatikisht e paraqet dramën e humbjes me tërë rëndesën emocionale të saj.

Në përshkrim bëhet e ditur se Shkololli në “Heem”, krahas veprave të punuara gjatë luftës, në një tavolinë afër banerëve do të ekspozojë edhe disa kartolina shumëngjyrëshe të pikturua nga qindra fëmijë gjatë qëndrimit në kampet e refugjatëve në javët e para të pasluftës.
“Ato ishin punuar nga ta si pjesë e një projekti humanitar që për qëllim kishte rehabilitimin e këtyre fëmijëve refugjatë”, shkruhet në koncept. Vetë Shkololli punoi me këta fëmijë duke u përpjekur të njohë përvojat e tyre gjatë kohës kur edhe ai vetë po ballafaqohej me kuptimin e të gjitha përjetimeve të kohës së luftës.
Aktualisht, veprimtaria e Shkolollit veçohet nga roli i tij si kurator i edicionit të 5-të të Autostradës Biennale në Prizren, që do të mbahet vitin që vjen dhe si kurator i përgjithshëm i galerisë Cukarna në Lubjanë. Shkololli, sipas biografisë, ka udhëhequr suksesshëm disa institucione të artit, përfshirë Galerinë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë (2018–2022) dhe Galerinë Kombëtare të Arteve të Kosovës (2011–2015). Nën udhëheqjen e tij, të dy institucionet kanë kaluar nëpër transformime të rëndësishme. Krahas roleve të tij në institucione, Shkololli ka shërbyer edhe si komisioner i Pavijonit inaugurues të Kosovës në Bienalen e Venecias (2013) dhe ka kuruar ekspozita të ndryshme ndërkombëtare. Ndërkaq veprat artistike të Shkolollit janë ekspozuar në Stedelijk Museum në Amsterdam, Centre Pompidou në Paris, Tate Modern në Londër dhe MUMOK në Vjenë.
Krahas emrave të artistëve pjesëmarrës në këtë ekspozitë, si Ksenia Galiaeva, Berend Strik, Neo Matloga, Natalia Ossef, Annabelle Binnerts, e Ellen Gallagher, emrin e tij me kompozicione artistike do ta vërë në këtë listë edhe artisti i njohur, Petrit Halilaj.
Në “Heem” do të prezantohen veprat e Halilajt nga ekspozita e tij në po të njëjtin muze, e hapur në prill të vitit 2022, e titulluar “RU”.
I inspiruar nga saga e artefakteve arkeologjike të vjedhura nga Serbia, të gjetura mes viteve ‘60 dhe ‘80 në Runik, ai i ribashkon ato duke i rikrijuar kopjet e mbi 500 eksponateve arkeologjike, duke përfshirë dhe okarinën e Runikut, një nga instrumentet frymore më të vjetra të gjetura në Ballkan. Kështu nëpërmjet këtij instalimi ngritën pyetjet mbi pronësinë e këtyre artefakteve dhe trashëgiminë që mbartin ato. Ai këto objekte i shndërron në zogj shtegtarë, si një element i pandashëm në veprimtarinë e tij tashmë. Përmes këtij transformimi ai u jep atyre lirinë të vendosin foletë e tyre nëpër muze të ndryshëm nëpër botë.
Identiteti artistik i Halilajt veçohet për nga trajtimi unik që ai u bënë çështjeve individuale, por që u shërbejnë narrativeve kolektive. Ai njihet për krijimin e botëve komplekse, te të cilat liria del si bosht tërheqës.
Ka hapur ekspozita personale në Fries Museum, Leeuwarden, në Tate St. Ives, Mbretëri e Bashkuar; “Palacio de Cristal”, “Museo Reina Sofia”, Madrid, “New Museum” në New York, Fondazione Merz, Torino, Muzeun Hammer, Los Angeles; Paul Klee Zentrum në Bern; Pirelli HangarBicocca, Milano, Kölnischer Kunstverein, Koln; Bundeskunsthalle, Bon, Fondation d’Entreprise Galeries Lafayette, Paris, në Galerinë Kombëtare të Kosovës në Prishtinë; Kunsthalle St Gallen; Kunsthalle, Lisbonë, WIELS, Bruksel e të tjera. Përfaqësoi në debutimin e saj në Bienalen e 55-të të Artit në Venecia, më 2013, ndërsa mori çmimin “Mario Merz” dhe Çmimin special të jurisë në Bienalen e 57-të të Venecias në vitin 2017. Javën e kaluar u mbyll ekspozita e tij “Runik” në Meksikë, ndërsa më 30 prill do të hapet ekspozita e tij “Abetare” në institucionin prestigjioz, në Muzeun Metropolitan në New York.