Shtëpia tri katëshe e Mehmet Herticës për 7 vjet shërbeu si shkollë për nxënësit e Prishtinës. Ajo tashmë që njihet si shtëpi-shkollë së shpejti do të shndërrohet në muze.
Kjo shtëpi ka 14 dhoma dhe kryefamiljari nuk e ka shfrytëzuar më për banim, por të njëjtën është munduar ta ruajë në mënyrë që të lihet si kujtim se në kohën e okupimit aty ishte shfrytëzuar për shkollë.
I biri i Mehmet Aliut, Fadili rrëfen për KosovaPres për vendimin që në atë kohë kanë marr për ta liruar shtëpinë për nxënës dhe peripecitë që kanë kaluar si pasojë e atij vendimi.
Ai ka thënë se shtëpinë sapo e kishin ndërtuar dhe mobiluar për të banuar familja e tyre 17 anëtarëshe, mirëpo, pas mbylljes së shkollave, familja Aliu-Hertica kishte vendosur ta japë shtëpinë për nxënësit dhe arsimtarët.
Aliu thotë se pavarësisht vështirësive dhe kushteve jo të përshtatshme për mësim, ata kanë pasur një vullnet shumë të madh për të mësuar.
“Jemi ulë këtu, krejt në dysheme, të mbështetur njëri pas tjetrit edhe unë për shembull kam shkru në shpinën e shokut, ai shoku im ka shkru në shpinën teme e kështu me radhë, sepse s’ka pasë mundësi ndryshe me u mbajtë ora e mësimit. Një karakteristikë e asaj kohe është se nuk ka pasë edhe fort material shkollore. U dashtë profesori me diktu, ti me marrë shënime, vazhdimisht për secilën landë ashtu edhe duke e pas parasysh ambientin shumë të ngushtë, ka qenë shumë e vështirë, po vullneti ka qenë i madh”, ka thënë Aliu.
Ai e kujton se si në atë kohë nxënësit në këtë shtëpi - shkollë kanë mbajtur edhe aktivitete jashtë plan programit shkollor, kanë botuar revistën “Feniksi” si dhe kanë pasur klubin e informatikës, ani pse posedonin vetëm një kompjuter.
Aliu tregon se familja e tij ka pasur kërcënime, prandaj djemtë e kësaj familjeje kishin emigruar jashtë Kosovës pas përfundimit të shkollës së mesme.
Aliu thotë se familja e tij qe sa vite ka pritur që institucionet ta marrin në mbrojtje këtë objekt dhe ta shndërrojnë në muze, mirëpo në mungesë të kësaj, në vitin 2004, me kërkesën e kryefamiljarit Mehmet Aliu, vet familja e tyre e kishte financuar kulmin e kësaj shtëpie, për ta mbrojtur nga kushtet atmosferike.
Ai ka shtuar se nuk kanë marrë ndonjë kompensim financiar e as nuk do ta pranonin një gjë të tillë, pasi që dëshira e tyre e vetme është që kjo shkollë të bëhet muze.
“Jo, edhe si familje nuk do ta pranonim një gjë të tillë, sepse kjo nuk është bërë për çështje financiare, thjesht ka qenë obligim qytetar, dhe jo vetëm ne po secili prej nesh e ka pasë obligim me dale përpara edhe me kontribu në rastet kur populli dhe vendi ka nevojë” , ka thënë Aliu.
Aliu ka treguar se së fundmi komuna e Prishtinës e ka marrë një iniciativë për shndërrimin e kësaj shkolle në muze.
Ai ka thënë për Kosovapress se kanë nënshkruar një marrëveshje me komunën dhe emrin kanë vendosur t’ia lënë Muzeu “Shtëpitë- shkolla” në mënyrë që t’i përfshijnë edhe shtëpitë tjera që shërbyen si shkollë gjatë viteve të nëntëdhjeta.
Drejtori për Kulturë në komunën e Prishtinës, Yll Rugova konfirmon se kanë marrë iniciativë që ato objekte t’i shndërrojnë në muze. a thënë se ajo periudhë ka qenë shumë e rëndësishme për popullin, dhe ka filluar të harrohet andaj e kanë marrë iniciativën për t’i shndërruar këto objekte në muze.
“Shtëpia - shkollë e Herticëve, e cila ndodhet në Kodrën e Trimave natyrisht që meriton të kthehet në muze, ndoshta të jetë iniciativa e parë në këtë drejtim. Tashmë në diskutim edhe me pronarët jemi duke diskutuar që të nisim një kërkesë, një ftesë për studio projektuese që të vijnë me koncepte ideore dhe kreative për transformimin e kësaj hapësire në muze. Ne tashmë bashkë me ta e kemi bërë marrëveshjen e parë dhe do të bëjmë edhe marrëveshje të tjera në mënyrë që ajo pronë, sipas kërkesës dhe dëshirës së tyre të bartet në pronësi të komunës dhe të kthehet në muze komunal”, tha Rugova.
Rugova ka thënë se pas marrëveshjes që kanë bërë, janë duke punuar projektin dhe presin që vitin tjetër të fillojnë me intervenimet në objekt.
Ai ka thënë që kjo është iniciativa e parë, mirëpo kanë menduar që në shtëpitë tjera që kanë shërbyer si shkolla, të vendosin pllaka përkujtimore si dhe të angazhojnë ciceronë që do t’iu rrëfejnë vizitorëve historinë e këtyre shkollave.
“Kemi ide dhe diskutime me ekipin tonë që edhe shtëpitë tjera të cilat janë të banueshme të kenë një pllakë në të cilën përshkruhet që këtu dikur ka qenë një shkollë. Ne po ashtu jemi në diskutime me ‘Swisscontact që të certifikojmë edhe ciceronë në mënyrë që edhe turistët kur vijnë por edhe banorët lokalë të kenë mundësi t’i identifikojnë cilat janë këto ndërtesa dhe të shkojnë deri ato ndërtesa e t’i shohin me sytë e tyre, e pastaj kur të shkojnë aty, të kenë diçka edhe për të lexuar”, ka thënë Rugova.
Janë rreth 3200 shtëpi dhe dyqane private në Kosovë që gjatë viteve të nëntëdhjeta u bënë strehë mësimi për nxënësit dhe studentët e Universitetit të Prishtinës.