Shtëpia-muze e prozatorit dhe poetit të madh Dritëro Agolli, mbrëmjen e së martës ka qenë e zhurmshme nga vizitat e miqve, adhuruesve e gazetarëve të shumtë, të pranishëm në ekspozitën me dorëshkrimet e letrave të dashurisë mes shkrimtarit dhe njeriut të tij të zemrës, Sadijes.
Të pranishmit e kanë kujtuar poetin e madh mes letrave të dashurisë, objekteve personale dhe zërit të tij, që është kudo në shtëpinë ku jetoi me familjen e tij të madhe.
Ka qenë e bija e Dritëroit, Elona, ajo që kontribuoi me dorëshkrime e objekte të tjera, për këtë ekspozitë.
Drejtoresha e shtëpive-studio Kadare-Agolli, Anisa Ymeri, citohet të ketë thënë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se me përfundimin e ekspozitës, e cila do të qëndrojë e hapur për një muaj, dorëshkrimet, objektet personale e të tjera do të qëndrojnë në fondin e shtëpisë-muze.
Në shtëpinë e Dritëroit janë ekspozuar veshje të çiftit nga koha e rinisë, kur shkruanin letrat e dashurisë, orët e të dyve, një gjerdan me perla i Sadijes, dy portrete nga Lumturi Blloshmi, një bust i Dritëroit nga Ilmi Kasemi, objekte shtëpiake, si dhe stilografi i tij funksional, me të cilin po shkruhen letra gjatë ekspozitës.
“Të shënojmë stacione të rëndësishme të jetës së shkrimtarit, është misioni ynë, në këtë shtëpi”, citohet të ketë thënë Ymeri, duke theksuar se është një ekspozitë e veçantë që mund të vizitohet nga e gjithë familja.
Shtëpia muze e shkrimtarit Dritëro Agolli (13 tetor 1931 – 3 shkurt 2017) u hap në 93-vjetorin e tij të lindjes, në tetor të vitit të kaluar, si një hapësirë e re për të gjithë ata që duan të mësojnë më shumë për jetën dhe veprën e shkrimtarit të madh. Muzeu kushtuar shkrimtarit Dritëro Agolli prezanton një pjesë të historisë dhe kulturës materiale e shpirtërore, duke pasqyruar jetesën e shkrimtarit të njohur.
Është apartamenti në Tiranë ku punoi dhe jetoi për shumë vjet dhe është pjesë e strukturës “Shtëpia Studio Kadare-Agolli”.