Kulturë

“Shtëpia me gjethe” – drita mbi errësirën e krimeve të komunizmit

Në një kohë kur edhe studiuesit e huaj tërheqin vërejtjen që periudha e komunizmit në Shqipëri nuk po ndriçohet, Muzeu Kombëtar i Përgjimeve, në Tiranë, është fanari i vetëm që përkujton dhunën psikologjike që regjimi komunist ushtroi mbi njerëz me anë të përgjimeve nga ish-Sigurimi i Shtetit

Prishtinë, 4 mars – E kaluara afër gjysmëshekullore nën diktaturën komuniste ende pret ndriçimin e pafund të dokumenteve të ish-Sigurimit famëkeq. Qindra e mijëra fate njerëzore, në pafajësinë e tyre, u bënë subjekt survejimesh, kërcënimesh e terrori.

Në fakt, këto veç janë vetëm disa nga aspektet e krimeve të pashembullta të komunizmit në Shqipëri, krahas izolimit, varfërimit dhe rrënimit të plotë të jetës në vend.

Një muze që dokumenton tërsllëkun historik që nisi pas Luftës së Dytë Botërore, është edhe Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” në Tiranë.

Një memorandum mirëkuptimi mes këtij muzeu dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike, i nënshkruar të enjten, synon thjeshtimin e bashkëpunimit të ndërsjellë me qëllim të thellimit të shpalosjes së dokumenteve arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit.

Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare në “Facebook” të Muzeut Kombëtar të Përgjimeve, ku bëhet e ditur se drejtoresha e muzeut, Etleva Demollari, dhe Akademia e Studimeve Albanologjike, e përfaqësuar nga rektori Marenglen Verli, kanë nënshkruar memorandumin ku palët bien në ujdi për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta.

“Objekti i këtij memorandumi të mirëkuptimit është institucionalizimi i marrëdhënieve për aplikimin e procedurave që thjeshtojnë bashkëpunimin e ndërsjellë të palëve, në kuadër të identifikimit, grumbullimit, administrimit të dokumenteve e të materialeve arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit dhe të organeve të diktaturës komuniste, si dhe bashkëpunimi në fushën e botimeve, kulturës dhe promovimit të saj, që dëshmojnë për krimet e komunizmit në Shqipëri në periudhën që ka funksionuar ish-Sigurimi i Shtetit”, thuhet në njoftim.

Image
Një “Memorandum mirëkuptimi” – i nënshkruar të enjten mes Muzeut Kombëtar të Përgjimeve dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike – synon t’i lehtësojë procedurat për identifikimin, grumbullimin dhe administrimin e dokumenteve e të materialeve arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit dhe të organeve të diktaturës komuniste

Ngrehina dykatëshe “Shtëpia me gjethe” – që ndodhet në rrugën “4 shkurti” të kryeqytetit – ka fituar këtë emër për shkak të bimës kacavjerrëse që dikur mbulonte fasadën e saj.

E hapur më 23 maj të vitit 2017, kjo shtëpi e shndërruar tashmë në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve është një nga më të veçantët në Shqipëri. Synim i tij mbetet që brezave të rinj dhe të huajve t’u rrëfejë për një nga periudhat më të errëta të historisë së Shqipërisë.

Kjo ndërtesë, që përballë ka Kishën Ortodokse, si dhe Bankën Kombëtare, në Luftën e Dytë Botërore strehoi për pak kohë Gestapon gjermane, kurse pas etablimit të regjimit komunist aty u vendos Selia Qendrore e Përgjimeve të Shërbimit Sekret.

“Ashtu si vetë historia e Shqipërisë nën diktaturën komuniste, që u instalua me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore dhe vazhdoi pothuajse një gjysmë shekulli, edhe ‘Shtëpia me Gjethe’ për një kohë të gjatë ka qenë e mbështjellë me gjithfarë legjendash dhe përbënte një të panjohur, një mister. Pëshpërimat e njerëzve dhe fëshfërimat e gjetheve”, thuhet në përshkrimin e misionit të Muzeut Kombëtar të Përgjimeve. “Duke hapur dyert e kësaj shtëpie, duke paraqitur veprimtaritë që janë kryer brenda saj dhe shumëçka tjetër të bashkëlidhur, ky muze do të shpalosë njëherësh pamje të shoqërisë shqiptare në kushtet e një regjimi që synonte kontrollin total mbi trupat, mendjet dhe shpirtrat e njerëzve. Përgjime, kontrolle, spiunime… që kanë sjellë arrestime, internime, tortura, dënime të rënda për shumë e shumë njerëz të pafajshëm… Atyre u kushtohet ky muze…”.

“Shtëpia me gjethe”, e konceptuar në krye të herës në nëntë seksione, përbëhet nga 31 dhoma që lidhen me koherencë mes vete dhe secila në të njëjtën kohë ka një funksion të veçantë.

Prej kohësh, Muzeu Kombëtar i Përgjimeve është shndërruar në një pikëtërheqje për vizitorët e huaj që çatisin në Shqipëri. Në dhjetor të vitit të kaluar, ish-zyrtaret e Shërbimit të Jashtëm Amerikan, Dolores Brown dhe Maria Silver, ia kushtuan një artikull përshtypjeve të tyre gjatë vizitës në Shqipëri.

“Ne vazhduam tutje drejt Muzeut të Përgjimit, i njohur edhe si ‘Shtëpia e Gjetheve’, që u hap më 2017 në ndërtesën që shërbente si zyrë e Shërbimit të Fshehtë Shqiptar gjatë periudhës komuniste. Vizitorët mund të shohin pajisjet e shtypjes në një vend që po rrekej të ushqente njerëzit e vet dhe kishte më pak se 3 mijë vetura gjatë asaj kohe”, kishin shkruar ato në artikullin “Një kuturisje e papritur në Shqipëri”.