Kulturë

Shtatore heronjsh në betejën e humbur me vlerat

Vendosja e dy shtatoreve në Prizren është bërë vjegëza për rikthimin e debatit mbi gjendjen dhe cilësinë e monumenteve dhe shtatoreve në hapësirat publike në Kosovë. Midis trashëgimisë artistike të shkollës “socrealiste” dhe vendosjes shpesh edhe pa konkurse, sipas porosive private, një numër përmendoresh në Kosovë është kritikuar për mungesë vlerash estetike e, rrjedhimisht, edhe për keqpërfaqësim të heronjve e figurave kombëtare të përjetësuara në bronz

Ishte një nga pritjet më të pazakonta në histori: nuk pritej një i gjallë, por një shtatore. Ani pse i bronztë, Skënderbeun e hipur mbi kalë po e prisnin shend e verë dhjetëra e mijëra njerëz.

Për katër ditë sa zgjati rrugëtimi emocionues nga Kruja në Prishtinë, bartja e monumentit me një kamion përcillej ethshëm prej radiove lokale. “Skënderbeu arriti në Kukës, tashmë e kaloi Morinën, ka hyrë në Prizren…”, dëgjoheshin spikerët e pas tyre edhe njerëzit që dilnin në të dyja anët e rrugës për të përshëndetur heroin e bronztë që po hynte në Kosovën e lirë.

E mërkura e 28 Nëntorit të vitit 2001 në Prishtinë kishte gdhirë krejt ndryshe. Një masë e madhe njerëzish kishin zënë vend në shkallët e amfiteatrit të sapokrijuar, ku do të lartësohej monumenti i parë i Skënderbeut në një hapësirë publike.

“Mirë se erdhe në mesin tonë o i madhi Skënderbe”, kishte nisur fjalimin e tij akademiku i ndjerë, Mark Krasniqi.

Nga ky moment e në posteritet, qendra e kryeqytetit të Kosovës do të identifikohej vizualisht me veprën posthume të njërit prej skulptorëve më të mëdhenj shqiptarë, Janaq Paço.

Por të shtunën e kaluar, me rastin e Ditës së Flamurit, zbulimi i shtatores së heronjve kombëtarë, Gjergj Kastriotit-Skënderbeu dhe Adem Jasharit në Prizren, nuk ishte as hija e ngjarjes së para 19 vjetësh. Heqja e pëlhurës së kuqe nga shtatoret ishte njësoj si ngritja e një perdeje në teatër për t’i dhënë prologun një diskutimi të gjerë.

Kritikë, publicistë e njerëz të artit fshikulluan dy punimet e bronzta – me autorë Sinan Aliajn dhe Alban Buxhovin – si vepra që nuk përkonin me dy personalitetet historike shqiptare.

Dikush i kritikoi për proporcione të çrregullta trupore, për paraqitje absurde e dikush tjetër edhe për mungesë të kritereve themelore estetike.

Në këtë vazhdë diskutimesh, si tallje me heronjtë u cilësuan edhe monumentet e bronzta të dëshmorit të kombit, Ismet Jashari-Kumanova në fshatin Orizare të Komunës së Likovës dhe ai i komandantit të UÇK-së, Adem Jashari në Radushë në Komunën e Sarajit në Maqedoninë e Veriut. Pa shije artistike u vlerësuan edhe shtatorja e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, ashtu sikurse edhe shtatorja e futbollistit të ndjerë, Fadil Vokrri, një bucetë e së cilës ishte shpalosur në qershor.

Kriteret e munguara

Skulptori Agon Qosa është tejet kritik për ata që marrin mbi supe barrën për të gdhendur në bronz figurat historike. Në një bisedë për KOHËN, ai e ka vlerësuar si të gabuar angazhimin e njerëzve “pa shkollim” për t’i autorizuar monumentet e shtatoret publike në vend.

“Janë monumente historike e jo asfalt që shtrohet e që mund të rregullohet në rast prishjeje”, ka thënë Qosa. “Monumenti një herë modelohet dhe për qindra vjet nuk ndërrohet. Është pjesë e historisë”.

Duke folur për frymët artistike që kanë stilizuar skulpturat shqiptare, veçmas atë “socrealiste” në Shqipërinë e periudhës së Enverit, skulptori nga Ferizaj ka vlerësuar se është e natyrshme që edhe artet të avancohen përmes ndryshimesh të vogla.

“Por nuk lejohet që monumenti të ofendohet me ndonjë stil që nuk i përket kohës kur ka vepruar heroi në fjalë”, ka shtuar Qosa, i cili është autor i 10 shtatoreve dhe 15 busteve të vendosura në Kosovë e jashtë saj.

Ai ka theksuar se monumentet historike në të gjithë botën modelohen në një stil realist, kurse stilet e tjera përdoren “vetëm në parqet e galerive të autorëve të ndryshëm”.

Qosa – i cili është autor i shtatores së Anton Çettës, që tash së fundmi ka marrë dritën jeshile për t’u vendosur në hapësirat para Fakultetit të Filologjisë në kryeqytet – ka kërkuar kritere më rigoroze për lejimin e monumenteve të tilla historike në hapësirat publike.

“Çdo monument që ka për qëllim zbulimin para publikut, patjetër se duhet të dalë para një komisioni profesional të kësaj fushe, pavarësisht nëse është shtatore private apo shtetërore”, ka thënë ai, duke shtuar se përjashtim bëjnë vetëm ato raste kur porositësi është privat dhe e mban veprën në mjedise personale.

E skulptori tjetër, Gëzim Muriqi, vlerëson se gjendja e monumenteve, statujave dhe busteve në vendin tonë nuk është “bardhë e zi”, por mes tyre ka edhe vepra cilësore.

Sipas tij, ato nuk dallojnë estetikisht nga vende të rajonit, si Kroacia, Mali i Zi, etj,.

“Gjithsesi ka hapësirë për përmirësime”, ka thënë Muriqi, shtatorja e të cilit për Ibrahim Rugovën është përuruar të mërkurën në Istog, me rastin e 76-vjetorit të lindjes së ish-presidentit të Kosovës.

Duke komentuar kritikat ndaj asaj që cilësohet si frymë “socrealiste”, ai ka vlerësuar se të dy shtetet shqiptare kanë pasur një rrugëtim të ndryshëm sa i përket formimit artistik të skulptorëve.

“Derisa në Kosovë ishte një shkollë larg më fleksibile dhe kontemporane, në Shqipëri ajo ishte më e ngurtë”, ka thënë Muriqi, duke shtuar se në dy dekadat e fundit ato janë përafruar mjaft me njëra-tjetrën.

“Jemi duke bashkështegtuar mirë drejt provokimeve të radhës”, ka shtuar ai.

Pyetjes nëse pëlqimi ose mospëlqimi i publikut duhet të ndikojë punën e skulptorëve shqiptarë, Muriqi i është përgjigjur duke thënë se “pritshmëritë e publikut” duhen marrë parasysh kur është fjala për vepra me porosi që u dedikohen figurave kombëtare.

“Arti publik vepron në situata të caktuara në harmoni me vendin dhe hapësirën, duke pasur si qëllim bazë të provokojë vëmendjen në domenin psikik e estetik. Edhe arti që i dedikohet ekskluzivisht masës, patjetër se ka hapësirë të madhe kreative”, ka thënë ai.

Thyerja e rregullave dhe vendosja amatoreske

Kritiku i artit, Ilir Muharremi ka thënë se skulptura është art publik dhe shtatoret që monumentojnë figura të shquara nga historia duhet të rikujtohen saktë sipas anatomisë dhe karakterit origjinal.

“Po kaq e rëndësishme është që shtatorja të ketë parasysh edhe qëndrueshmërinë ndaj mëngjesit, përplasjen me rrezet e diellit, shfaqjet e hijeve që shpesh mjegullojnë gjymtyrët e vijat e krijuara nga skulptori”, ka thënë ai.

Paralajmërimin për rimodelimin e shtatores së Adem Jasharit në Prizren, Muharremi e ka quajtur si të pakuptimtë. Sipas tij, dy shtatoret në fjalë duhet të “shkrihen krejt e të punohen nga skulptorë profesionistë”.

“Gjeneratat e reja dhe të ardhme duhet ta kenë imazhin e saktë të figurës, të mos krijojnë konfuzion ose hamendje për një figurë të njohur”.

Muharremi, më tutje, ka thënë se shumica e skulpturave të vendosura nëpër hapësira publike janë me shije të ulëta e cilësi të cekët. Disa skulptorë, ka vijuar ai, po i thyejnë kanonet dhe rregullat akademike gjatë sajimit të skulpturave.

“Në Shqipëri i kemi të realizmit socialist të veshura në thonjëza me ‘plastikën’ e të madhit Roden, ndërsa në Kosovë të një niveli amatoresk e qesharak ose fyerje ndaj figurave të heronjve”, ka theksuar ai.

Kritiku i artit ka përmendur edhe mospërputhjen e disa prej monumenteve në kryeqytet dhe hapësirës përreth tyre. Duke përmendur monumentet e Skënderbeut, Ismail Qemalit, Fehmi Aganit dhe Bill Clintonit, Muharremi ka vlerësuar se vendosja e tyre është bërë në “mënyrë amatoreske”.

“Nuk kuptohet nëse janë të planifikuara vetëm për vështrim nga ana ballore, sepse një skulpturë duhet të shihet nga të gjitha anët”, ka shtuar ai.

“Një anarki në hapësirën publike”

Profesori i filozofisë në Universitetin e Prishtinës, Kadri Metaj është rikthyer prapa në kohë kur në Prishtinë ishte ndërtuar sheshi kryesor. Asokohe ishte përmendur nga qeverisja komunale edhe mundësia e dislokimit të shtatores së Zahir Pajazitit, madje ishte thënë që në vend të pushkës t’i vihej libri në dorë.

“Nuk është punë e politikës të vendosë se si do të bëhen përmendoret, me pushkë apo me libër në dorë, por të shpallë konkurs kombëtar apo ndërkombëtar e të krijojë një juri profesionale të besueshme për këtë gjë”, ka thënë Metaj.

Sipas tij, problemi i monumenteve përcjell të gjitha vitet e transicionit dhe puna rreth tyre është bërë në mënyrë anarkike, amatoreske e të improvizuar keq, “me nisma private që cenojnë hapësirat publike dhe rrënojnë kriteret estetike”.

Së këndejmi, Metaj ka vlerësuar se vendosja e dy shtatoreve të fundit në Prizren alarmon se “kupa është mbushur” dhe shoqërinë e rrezikon anarkia sa i përket menaxhimit të hapësirës publike.

“Jo vetëm sheshet e qyteteve, por edhe pyjet, lumenjtë, toka, ajri dhe uji po kërcënohen seriozisht, kurse ‘berberi’ pa i bërë syri vër merr guximin të shfaqet me veprën e tij ‘artistike’ në një qytet simbol, si Prizreni”, ka thënë ai, duke shtuar se këto ndodhi do të duhej të ishin alarm i ndezur se “vija e kuqe është kaluar kaherë”.

Edhe artisti Alban Muja ka vlerësuar se një numër i madh i shtatoreve në vend janë fyerje për heronjtë që përfaqësojnë.

Gjatë një bisede për emisionin “Express” të KTV-së, të transmetuar të hënën, ai ka theksuar se plot prej tyre janë bërë pa ndonjë studim apo ide konkrete.

Kështu, zëvendësimi i tyre, sipas tij, do të duhej të bëhej me memoriale që do të paraqisnin tërë luftën dhe sakrificën e popullit në Kosovë.

“Debati për shtatoret në vend është pak i vonshëm. Diskutimi për shtatoret nuk duhet të iniciohet vetëm gjatë muajit nëntor, por edhe më herët”.

Sipas Mujës, shtatoret, të cilat duhet të kenë një plan dhe ide konkrete, duhet të kalojnë përmes filtrave të caktuar profesionalë.

“Duhet të ketë edhe kritere për punimin e monumenteve të tilla dhe jo çdokush që ka mjete financiare të merret me to. Kosova ka nevojë për diskurs lidhur me shtatoret dhe shumica e shtatoreve të krijuara duhet të rimodelohen”, ka thënë Muja.

Kritika për disa nga monumentet kryesore në kryeqytet kishte dhënë edhe akademiku e skulptori, Luan Mulliqi. Verën e kaluar, disa mërgimtarë shqiptarë në New York morën nismën që monumentin e Skënderbeut në Prishtinë ta replikonin me qëllim të ngritjes së tij në metropolin amerikan. Asokohe, Mulliqi kishte vlerësuar se përmendorja aktuale e Skënderbeut nuk përkon edhe aq shumë me mjedisin përreth në qendër të Prishtinës.

“Është punuar ekskluzivisht për konfiguracion të Krujës, ku do të dukej edhe kalaja. Ka mendime të ndryshme të profesionistëve që përmendorja në Prishtinë nuk rri mirë. Shumë më mirë ajo rri në Krujë, sepse ishte dedikuar për atje”, kishte thënë ai për gazetën.

Mulliqi, po ashtu, kishte kërkuar që monumentet e reja për Skënderbeun duhet të theksojnë konceptualisht edhe anën diplomatike të tij. Sipas tij, “Skënderbeu” i Prishtinës ishte bërë në një kohë euforike, por ai i Shkupit ka kapur më shumë anën diplomatike të heroit kombëtar.

“Përmendorja e tij duhet të punohet në disa mënyra dhe gjithnjë duke iu përshtatur kohës. Historia duket se e ka fshehur anën diplomatike të Skënderbeut. Ai nuk ishte vetëm komandant lufte dhe strateg, por edhe diplomat. Deri më tash nuk kemi pasur një monument që do ta tregonte këtë anë të tij dhe lidhjet me Perëndimin”, kishte thënë Mulliqi, i cili është autor i shtatores së Fehmi Aganit, Ismail Qemalit, bustit të ish-sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, senatorit Bob Dole, që të gjitha në Prishtinë, i bustit të Ali Podrimjes në Gjakovë, sikurse edhe i shtatores së Nënë Terezës e cila më 2014 qe zhvendosur prej hapësirës para Aeroportit të Rinasit në Tiranë, e dy vjet më vonë zuri vend në Qafë-Thanë.

Një histori monumentesh

Peizazhit urban shqiptar i ishte shtuar komponenti i monumenteve dhe shtatoreve kryesisht pas Luftës së Dytë Botërore. Ndonëse në frymën uniforme të ideologjisë komuniste, një brez i ri artistësh do të bënte emër me disa prej monumenteve dhe shtatoreve kryesore në Shqipëri.

I formuar në Perëndim, Odhise Paskali (1903-1985) – i mbicilësuar edhe si babai i skulpturës shqiptare – është autori i mbi 600 skulpturave në periudhën para dhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Kryevepër e tij mbetet Monumenti i Skënderbeut, i vendosur në zemër të Tiranës, me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së heroit mesjetar shqiptar.

Në të vërtetë, e para skulpturë për Skënderbeun është ajo e skulptorit dhe poetit, Murat Toptani, por vepra e Paskalit, në bashkëpunim me Andrea Manon dhe Janaq Paçon, do ta bënte imazhin e tij si më të qëndrueshmin ndër vite.

Prej duarve të Paskalit kanë dalë edhe shtatore si ajo e Ismail Qemalit, Themistokli Gërmenjit e Çerçiz Topullit.

Në vitet ‘70 të shekullit të kaluar u ndërtua edhe monumenti “Nëna Shqipëri”, një statujë 12 metra e lartë, e realizuar nga Kristaq Rama, Muntaz Dhrami dhe Shaban Hadëri.

Gjatë viteve ’80 në disa qytete të Shqipërisë do të ngriheshin edhe monumente të tjera, si ai i Bajram Currit në qytetin me po të njëjtin emër, ai i Isa Boletinit në Shkodër, ndërkohë që më 1981 u realizua mozaiku “Shqipëria” nga Vilson Kilica, Aleksandër Filipi, Agim Nebiu, Josif Droboniku dhe Anastas Kostandini.