Kulturë

Shtatëmbëdhjetë fotografë bashkojnë imazhet për një rrëfim

Janë shtatëmbëdhjetë fotografë e po aq fotografi, që bashkohen në sheshin e Kamenicës si një rrëfim imazhesh e rrugëtim nëpër botë të ndryshme. Është fotografi Arian Mavriqi ai që i ka bashkuar kolegët në qytetin e tij për të sjellë një mozaik perspektivash të llojllojta

Pak para muzgut qyteti i vogël i Kamenicës veçse ka nisur të freskohet nga hija e lisave e të blirit, të vendosur në të dy anët e sheshit të sapondërtuar. E në amfiteatrin më të ri të qytetit, në formë gjysmërrethore janë vendosur shtatëmbëdhjetë fotografi të disa prej fotografëve më të njohur shqiptarë. Sheshi i Kamenicës “Metush Krasniqi” të enjten pasdite është kthyer në galeri arti duke strehuar brenda vetes vepra të fotografëve Fahredin Spahija, Bardha Goga, Fehmi Sejdijaj, Gresa Berisha, Raim Kurtaj, Lulzim Demaj, Sefer Aliçkaj, Sefer Susuri e të tjerëve.

Imazhet e para kapin florën e faunën për ta pasuar edhe me fotografi monumentesh të lashta e portrete artistike në bardhezi. Aty vizitori mund të gjejë lejlekun e bardhë, i cili nën rrezet e perëndimit bëhet krejt i zi, shqiponjën bishtbardhë që e kishte kapur objektivi i zviceranit Lorenzo Barelli, një tufë flamengosh teksa notojnë mbi ujë, shqiponjën tek përgatitet të zërë prenë, një tufë delesh e pamje piktoreske fushash e kodrash përplot gjelbërim.

Para orës 19:00, kur ishte paralajmëruar hapja e ekspozitës, fotografë nga qytete të ndryshme të Kosovës, por edhe nga diaspora e treva të tjera shqipfolëse janë bërë bashkë. Kanë folur për fotografinë, rrëfimin prapa imazhit. E tërë kjo është bërë me iniciativë të fotografit të njohur të kësaj komune, adhuruesit e promotorit të botës së egër, Arian Mavriqi. Ka qenë dëshira e tij që në kuadër të aktiviteteve, të cilat Komuna e Kamenicës po i zhvillon gjatë verës, t’i ftojë miqtë e tij e të hapin një ekspozitë. E, për disa prej tyre kjo ishte edhe hera e parë që po vinin në këtë qytet. Për dy orë e më shumë sa zgjati aktiviteti, publiku pati mundësi edhe të bashkëbisedojë me fotografët, të pyeste personalisht gjithsecilin prej tyre për teknikat dhe përgatitjet që aplikojnë para se të shkrepnin fotografinë e shumë detaje të tjera.

Përveç fotografëve nga Kosova, ekspozita përfshin edhe një fotografi të Fehmi Sejdijajt nga Norvegjia dhe atë të Vehbi Sylejmanit nga Zvicra. Përfshirja e komunitetit të diasporës dhe hapja e kësaj ekspozite në një kohë kur vendi është i mbushur me mërgimtarë, ka qenë edhe njëri nga qëllimet e organizatorëve.

“Në fund të fundit ky organizim i dedikohet më së shumti diasporës sonë të nderuar, së cilës i jemi mirënjohës për kontribute ndoshta shekullore për vendin tonë. Këta fotografë të qyteteve kanë ardhur për ta nderuar vendin tonë me nga një fotografi, temë e lirë që e kemi lënë ta zgjedhin vetë. Arsyeja e kësaj ekspozite është që fotografët të bëhen bashkë dhe të prezantojnë artin e fotografisë, ka thënë Arian Mavriqi, njëherësh autor i emisionit “Wild Life” në Kohavision. Ka thënë se është ndjenjë fantastike t’i bëjë bashkë miqtë e tij. “Për herë të parë bëhen bashkë shtatëmbëdhjetë fotografë profilesh të ndryshme në një vend”, ka thënë ai.

Fotografia e Mavriqit paraqet profilin e një lejleku të bardhë teksa mbrapa tij duket hëna e plotë. Ajo është shkrepur gjatë natës dhe bukuria e saj gjendet në kontrastin që krijohet nga silueta e zezë e lejlekut dhe ndriçimi i gjallë i hënës.

“Zogu quhet lejleku i bardhë (ciconia ciconia) e kam pritur dikur pesë orë për ta realizuar atë fotografi, që hëna të bjerë në atë pozicion. Fotografia është realizuar në një fshat që është i banuar njëqind për qind me serbë dhe është dashur të futem në oborr të një serbi, nga i cili kam marrë leje. Pse kam vendosur ta ekspozoj këtë fotografi, është fakti se në prapavijë është hëna dhe është e vetmja fole e lejlekut të bardhë në Komunën e Kamenicës. Bukuria është që nuk ka ndërhyrje në të. Realizohet me një teknikë që përdoret për fotografi natën”, ka shpjeguar ai.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, në rolin e nikoqirit të kësaj ekspozite, ka shprehur mirënjohjen e tij për kontributin dhe punën e palodhshme të këtyre fotografëve.

“Vërtet na keni nderuar edhe neve, edhe Arianin me një aktivitet tejet interesant, ku ne shohim punën tuaj tepër me vlerë. Unë besoj se të qenit ndryshe është virtyt, është kulturë dhe ky pasion për fotografinë në formatin tjetër përbën edhe kulturën tonë të përbashkët. Ne duhet ta vendosim në pah me aq forcë dhe mundësi që kemi, por punën më të madhe duhet ta bëjnë edhe pasionantët. Këtë nuk e vë në dyshim duke e njohur nga afër edhe vetë Arianin, për faktin që ka qenë ai që e ka bërë më së shumti të njohur Kamenicën”, ka thënë Rahimaj.

Pjesë e ekspozitës ishte edhe një fotografi e ciklit “Koha e akullit” e mjeshtrit të fotografisë, Fahredin Spahija. Para të pranishmëve Spahija e ka cilësuar ekspozitën si festë për fotografët.

“Arian ty të falënderoj për idenë, sepse sa herë që ka ekspozita të fotografisë është një moment më i mirë në historinë e fotografisë shqiptare. Kështu që, për ne është festë sa herë që ekspozohet puna jonë diku. Nuk ka rëndësi a është qytet i madh apo i vogël. Për ne është me rëndësi ky publik, i madh apo i vogël, të komunikojë me punët tona. Kjo është ajo çfarë na ofron kënaqësinë më të madhe”, ka thënë Spahija.

Zvicerani Lorenzo Barelli punon në Ambasadën e Zvicrës në Kosovë. Fotografia e tij paraqet një shqiponjë bishtbardhë, të cilën ai e kishte fotografuar diku në Kosovë dhe të cilën po e ekspozonte për herë të parë.

“Për mua është një ditë e veçantë dhe njëkohësisht është një nder i madh që me të gjithë këta kolegët e mi sot të jem këtu prezent. Unë punoj në Kosovë që nga janari i vitit 2020, do të thotë që tre vjet e gjysmë dhe e veçanta e kësaj është që unë jam një zviceran në Kosovë teksa shumë kosovarë punojnë në Zvicër. Kam përjetuar një ndjenjë të veçantë. Kam njohur njerëz shumë të mirë dhe posaçërisht kam njohur shpirtin e njerëzve këtu, prandaj është një përvojë e veçantë për mua”, ka thënë Barelli.

Ekspozita u realizua në kuadër të aktiviteteve të ngjarjes kulturore “Kamenica Summer Fest”.