Kulturë

Shqiptarët tani e kanë një imazh më të mirë, thotë Action Bronson

Se shqiptarët tashmë e kanë një imazh më të mirë në sy të botës, e ka thënë Action Bronson, reperi shqiptaro-amerikan, i cili ka bërë nam me emisione televizive dhe albumin e renditur në toplistën botërore “Billboard”.

Arian Asllani është veç një prej artistëve me të cilët bota e njeh një anë tjetër të shqiptarëve dhe në vizitën e tij të parë në Kosovë e ka përmendur disa herë prejardhjen e tij, shkruan sot “Koha Ditore”.

Modest e me sens humori, Bronson ka folur hapur para gazetarëve në një konferencë për media, të mbajtur pak minuta pasi të martën pasdite aterroi në aeroportin “Adem Jashari”, pesë ditë para se të dalë në skenën e ngjarjes që po paralajmërohet si “festivali më i mirë në Evropën Juglindore”.

Të shtunën ai do të performojë në “Sunny Hill Festival”, që sivjet organizohet për herë të parë. I lindur në New York nga prindërit emigrantë shqiptarë, babai nga Gjilani dhe nëna nga Shkupi, ai ka thënë se pasioni është ai që e ka bërë atë që është sot.

Prej ushqimit të preferuar - sarmave - në emocionet që ia shkaktuan golat e Granit Xhakës e Xherdan Shaqirit, në një bisedë krejtësisht të lirë me gazetarët, ai ka kaluar deri tek mesazhet për të rinjtë... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)