Termi “ballkanizma”, përtej asocimit për stereotipa, përshkon një fushë të ndërliqshme të leksikut e fonetikës që përbashkon gjuhët kryesore në Ballkan. Duke përfaqësuar vijimësinë e njërës prej idiomave të vjetërsisë, ilirishtes ose ndonjë tjetër të përafërt, shqipja përshfaq afri tiparesh me rumanishten dhe bullgarishten. Diskutimi për lidhjet me rumanishten filloi qysh me suedezin Thunmann, ku shqipja shihej si bijë e ilirishtes, kurse rumanishtja e thrakishtes. Por me shfaqjen e konceptit të “sprachbundit”, ose lidhjes gjuhësore ballkanike, gjuhëtarët kishin nisur të bënin pyetje të tilla se përse toskërishtja shfaqej më ballkanike në tipare sesa simotra e saj, gegnishtja; madje pyetjet si këto lindnin hamendje nëse toskërishtja në një stad të caktuar historik ishte folur në fqinjëri me rumanishten. Krejt ecejaket e teorive gjuhësore për afritë mes gjuhëve në Ballkan janë shkoqitur të premten në ligjëratën e akademikut dhe gjuhëtarit, Rexhep Ismajli, në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare
Si një nga gjuhët qendrore të Ballkanit, shqipja u bë pikënisja për të qëmtuar ngjashmëri edhe te gjuhë që nuk janë të familjes së saj. Ishte ende fundi i shekullit të 18-të kur gjuhëtari e historiani suedez, Johann Erich Thunmann, do të hetonte për të parën herë ngjashmëri mes shqipes dhe vllahishtes, të cilat mund t’i shpjegonte vetëm si rrjedhojë e të qenët vijuese të idiomave të qëmoçme ballkanike, ilirishtes dhe thrakishtes përkatësisht. Nga ajo kohë “shumë ujë do të rridhte nën urë”, dhe dija gjuhësore do të pasurohej me koncepte, nocione e këndvështrime të reja.
Në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, gjuhëtarë seriozë do të flisnin gjithnjë e më shpesh për “Sprachbundin” apo bashkësinë gjuhësore ballkanike.
Një kaptim mes hipotezash, teorish e pikëpamjesh të ndryshme mbi këtë çështje madhore të ballkanistikës është shpalosur nga akademiku dhe gjuhëtari, Rexhep Ismajli, në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.
Paçarizi: “Ismajli, modeli i gjuhëtarit”
Në seancën e drejtuar nga Rrahman Paçarizi, Rexhep Ismajli është vlerësuar si një nga figurat më të plota të albanologjisë, “e padyshim referenca më e paevitueshme në studimet albanistike dhe ato ballkanistike”.
Sipas Paçarizit, metoda e studimit që instaloi e aplikoi në studime e bën Ismajlin model në gjuhësi.
“Duke qenë strukturalist në esencën e tij, mënyra krejt origjinale e trajtimit të problemeve na krijon përshtypjen e një udhëzuesi për të lexuar dhe zbërthyer. Rexhep Ismajli dallon nga studiues të tjerë pasi nuk është selektiv. Këtë e bën pasi ndihet i sigurt kur analizon dhe interpreton, d.m.th. është studiues që vihet në kërkim të së vërtetës shkencore dhe mbi këtë premisë e administron të dhënën”, ka thënë Paçarizi.
Në fillim të ligjëratës, Ismajli ka vlerësuar se ai do të përqendrohet vetëm në rastin e shqipes dhe idiomave sllave të jugut, meqë tema e lidhjeve ballkanike është tejet e gjerë.
“Ishte një kohë kur çështje të tilla, si unioni gjuhësor, diskutoheshin zëshëm nga autoritete të gjuhësisë ballkanike, si Eric Hamp, Dalibor Brozoviq, Haralambie Mihaescu e emra të tjerë”, ka thënë Ismajli.
Duke shpalosur ligjëratën e titulluar “Unioni gjuhësor ballkanik përballë diversitetit të idiomave”, ai është shërbyer me një vlerësim të albanologut të ndjerë gjerman, Wilfried Fiedler, sipas të cilit, “shqipja shfaq më së shumti aspekte që merren si ballkanike”.
“Unioni gjuhësor ballkanik, Sprachbund, është nocion fillet e të cilit datojnë prej sllavistit slloven, Jernej Kopitar, në vitin 1829”, ka thënë akademiku nga Prishtina.
Fiks dyqind vjet më parë, filologu slloven që vepronte e punonte në Vjenë kishte vënë re, përveç përkimeve leksikore, ngjashmëri të natyrës gramatikore.
“Kështu që ende deri sot në veri të Danubit, në Bukovinë, në Moldavi, në Karpate, në Hungari dhe më tej në të dyja anët e Danubit, në Bullgarinë e vërtetë, pastaj në tërë vargun malor të Hemusit, nga njëri det në tjetrin, në malet e Maqedonisë, në Pind dhe nëpër tërë Shqipërinë sundon vetëm një formë gjuhësore, por me materie të trefishtë”, kishte shkruar Kopitar.
Afria e trashëguar nga gjuhët e lashta ballkanike iliro-trakase
Me fjalë të tjera, ideja e hedhur nga filologu slloven përfytyronte që tri gjuhët e hapësirës ballkanike – shqipja, bullgarishtja dhe rumanishtja – përbënin një formë të vetme me materie të trefishtë gjuhësore.
Sipas Ismajlit, “kjo shpinte drejtpërdrejt tek ideja se këto gjuhë këtë afrinë mes tyre do ta kenë trashëguar nga gjuhët e lashta ballkanike iliro-trakase”.
Gjuhëtari 74-vjeçar ka shtuar se teoritë për “substratin” do të stërholloheshin gjatë pjesës së dytë të shekullit të 20-të, veçmas me studimet e Kristian Sandfeld-Jensenit tek i cili gjetën shprehjen më konkrete.
“Por ishte studiuesi i madh rus, Nikolai Trubetzkoy, i cili në vijën e gjuhësisë strukturale, fliste për konceptin e ‘Sprachbund’, pra lidhje gjuhësore”, ka thënë Ismajli teksa ka shtuar se në të gjallë të tij studiuesi rus kishte bërë dallimin mes “Sprachbundit” dhe “Sprachfamilie”.
Në vazhdim të ligjëratës, akademik Ismajli ka folur edhe për të ashtuquajturat “ballkanizma”, të cilat, sipas tij, përkufizohen si tipare gjuhësore që u përkasin së paku tri gjuhëve të ndryshme e që janë nga familje të ndryshme gjuhësore.
“Nuk ka kuptim të flasim për ballkanizma në rastin e përkimeve në gjuhë të së njëjtës familje si, ta zëmë, maqedonishtja, bullgarishtja e torlakishtja si dialekt i ndërmjetëm”, ka sqaruar ai.
Duke përmbledhur teorinë e ballkanologut gjerman Hinrichs, karakteristikat e ballkanizmave janë: fonema zanore jobuzore; reduktimi i rasave; mënyra lokative e numërimit; nyja e prapavendosur; krahasimi analitik; përsëritja e kundrinës; e ardhmja perifrastike me “do”; zëvendësimi i paskajores me lidhore; huazimet si dhe sistemi i komplikuar foljor.
Sado që këto karakteristika ishin postuluar kësisoj, disa gjuhëtarë kishin hedhur edhe hipoteza që toskërishtja, duke qenë më ballkanike sesa gegnishtja, ishte folur në fqinjëri me dako-rumanishten. Sipas tyre, zhvendosja ose largimi hapësinor kishte ndodhur në një periudhë më të vonë historike, me ç’rast toskërishtja kishte lëvizur drejt jugut e dako-rumanishtja drejt veriut.
“Sidoqoftë, hipoteza të tilla kërkojnë shqyrtime më konkrete për tipare të veçanta”, ka shtuar Ismajli.
Përndryshe, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare nga e hëna ka shpallur të hapur edicionin e vet të 39-të me radhë. Me synimin për të ruajtur vijimësinë me të kaluarën, ky organizim për dhjetë ditë do të sjellë në mjediset e Fakultetit të Filologjisë sesione shkencore, tryeza, diskutime, ligjërata, kurse për mësimin e gjuhës shqipe e aktivitete të tjera. Punimet e tij do të vazhdojnë gjer më 3 shtator.