“Strategjia kombëtare e diasporës shqiptare”, ka qenë tema e sesionit të mbajtur në Sallën e Kuvendit Komunal në Prizren, organizuar nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës në bashkëpunim me Bibliotekën Publike në Prizren. Mësimi i shqipes e shembulli i disa shkollave me traditë janë përmendur si shembuj bashkë me figurat e njohura të emancipimit kulturor e politik, por është nënvizuar mungesa e një strategjie konkrete për mësimin e shqipes
Janë disa shkolla joformale në diasporë, të cilat kanë edhe traditë, por për mësimin e shqipes nuk ka një strategji konkrete nga Kosova e Shqipëria, siç nuk ka as për diasporën shqiptare. Ndërkaq historia njeh figura të shquara të cilat kanë lënë gjurmë në emancipimin politik e kulturor që duhen çmuar e të merren si shembuj.
Këto çështje kanë qenë tema diskutimesh në “Javën e Bibliotekës në Kosovë”, e cila të mërkurën, në ditën e tretë, është zhvendosur në Prizren. “Strategjia kombëtare e diasporës shqiptare”, ka qenë tema e sesionit të mbajtur në Sallën e Kuvendit Komunal në Prizren, organizuar nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës në bashkëpunim me Bibliotekën Publike në Prizren.
Agim Paçarizi, ish-mësimdhënës dhe ish-kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë, “Naim Frashëri”, në kantonin e Gjenevës, nëpërmjet një lidhjeje të drejtpërdrejtë në Zoom, ka folur për librin e tij “Shkolla shqipe në Gjenevë”, monografi e kësaj shkolle dhe një vepër me anë të së cilës dëshmohen puna dhe aktivitetet që shkolla shqiptare në Gjenevë ka bërë që nga themelimi i saj, tridhjetë vjet më parë.
Për botimin e saj Paçarizi ka thënë se ndiente lehtësim, e cila përveçse si dëshmi do të mbetej edhe si frymëzim për gjeneratat e ardhshme.
“Në dhjetor të vitit 2021, kur në gjithë Zvicrën shënohet 30-vjetori i shkollës shqipe, ndodhi që në krye të herës, në epiqendrën e përpjekjes shqiptare të Gjenevës, ndiej një lehtësim brenda vetes që lashë një dëshmi për të gjithë ata që duan të dinë më shumë se si dhe në çfarë rrethanash filloi puna, vështirësitë për regjistrimin e nxënësve, angazhimin e personelit arsimor pedagogjik, sigurimin e lokaleve, sfidat mbi buxhetin e pamjaftueshëm e ndonjëherë edhe të munguar e të tjera”, ka thënë Paçarizi.
Për ta shkruar një libër të tillë, Paçarizi kishte mbledhur të dhëna dhe dokumente nga arkivi i shkollës, nga Këshilli i Arsimtarëve dhe Prindërve, por edhe nga shënimet që ai kishte marrë gjatë kohës kur punonte si mësues në këtë shkollë.
“Që të dokumentoj sa më drejt gjithë ecurinë e shkollës shqipe në Gjenevë, fillova faqe për faqe që nga fletoret e mia, të cilat i kam përdorur gjatë punës sime që nga 1996, kur fillova punën si mësimdhënës i caktuar nga Ministria e Mësimit të atëhershëm të Kulturës dhe Shkencës të Republikës së Kosovës. Tutje mora materiale edhe nga arkivi i Këshillit të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve shqiptarë të Gjenevës, si dhe nga intervistat dhe bisedat e shumta me aktivistë të ndryshëm, të cilët me mjete të ndryshme ishin në shërbim të kësaj shkolle”, ka shpjeguar ai në pika të shkurtra procesin e krijimit të një libri të tillë dokumentues.
Sylë Mujaj, themelues dhe kryetar i shoqatës kulturore shqiptare “Aleksandër Moisiu” në Lugano të Zvicrës, ka folur për rrugëtimin e tij si ish i burgosur dhe për rëndësinë e njohjes së veprimtarisë së diasporës shqiptare.
“Unë jam nga Shoqata e të Burgosurve Politikë i demonstratave të vitit 1981 të 11 – 26 marsit. Kam qenë dhjetë vjet i dënuar në Burgun e Nishit dhe 7 vjet e gjashtë muaj në izolim total. Në Burgun e Nishit e gjeta një libër të Bardhyl Kosovës, i cili kishte shkruar një libër për Aleksandër Moisiun. Më vonë na hoqën të gjitha librat, na lanë vetëm ato të shkruara në cirilike”, ka shpjeguar ai para të pranishmëve jo të paktë. Ka thënë se ndihet mirë që në këtë sesion nderohet një aktor i madh shqiptar siç është Aleksandër Moisiu, ndonëse, sipas tij, një nderim i tillë më shumë sesa vetë atij u bën nder shqiptarëve.
“Kujtimi për të është një nderim jo vetëm për Aleksandër Moisiun, i cili nuk ka nevojë për ne, por ne kemi nevoje për të. Ai prehet përjetësisht në Zvicër, por shpirti i tij është edhe sot këtu me ne dhe për t’u përhapur pastaj valë-valë si shprehje e gjallë nderimi që kanë shqiptarët ku jetojnë dhe punojnë për veprën madhore të këtij gjigandi të skenës teatrore evropiane dhe botërore”, ka thënë ai.
Me pasion ka folur edhe për figurën dhe rëndësinë që Moisiu ia kishte kushtuar rivlerësimit të traditës.
“Në kohët e turbullta të ngarkuara me rreziqe të mëdha, zëri i tij u bë një kambanë e zgjimit dhe ndërgjegjes artistike të epokës së re, duke e mbajtur të gjallë nderimin për të dhe duke sjellë në ditët tona dëshmi dhe gjykime të reja se si të rivlerësojmë traditën, figurat, përfaqësuesit e identitetit tonë kulturor të frymës evropiane”, ka theksuar Mujaj.
“Etniciteti dhe mësimi i gjuhës shqipe dhe i kulturës shqiptare në mërgatë në nivelin e arsimit të detyrueshëm (klasat: 1-9, 12)”, ka qenë tema e kumtesës së Nuhi Gashit, ish-koordinator i MASHTI-t për mësimin plotësues shqip në diasporë.
Sipas tij, fëmijët të cilët i përkasin kësaj moshe, periudhë kur nis dhe piqet karakteri i njeriut, duhet të jenë prioritet i shtetit, sepse kjo është periudha kur edhe mund të ndikohet në krijimin e rrafshit të tyre identitar.
“Në fokus janë fëmijët e arsimit të detyrueshëm që për neve përbëjnë një rëndësi të veçantë dhe është mosha kur ata ndërtohen dhe atëherë kur përfundon, konsolidohet ndërtimi i personalitetit të njeriut. Në moshën 18 -vjeçare ai veçse është i përcaktuar në rrafshin identitar. Prandaj kjo moshë është shumë e rëndësishme dhe është edhe mosha nga duhet të drejtohet fokusi i shtetit”, ka thënë ai. Është shprehur i indinjuar me faktin që Korniza Kurikulare e shtetit amë të shqiptarëve, Shqipërisë, nuk e ka përfshirë diasporën brenda saj, ndërkaq kur jemi te Kosova, sipas tij, gjendja është paksa më e mirë.
“Dokumenti themelor me të cilën ndërtohej një sistem arsimor, pra në Kornizën Kurikulare diaspora shqiptare sikur ka tretur, nuk ekziston fare. Në dokumentin themelor të Shqipërisë aktuale nuk ekziston asnjë fjalë e vetme ku përmendet diaspora si nocion ose si kategori, çka për mua është skandaloze. Ndërsa Kosova qëndron më përpara në këtë rrafsh sa i përket dokumentit themelor arsimor”, ka theksuar Gashi.
Nga Shoqata e të Burgosurve Politikë i pranishëm ishte nënkryetari Nuhi Dakaj.
Në një shkrim kronologjik, Dakaj ka theksuar se sakrificat e shqiptarëve kishin filluar kaherë, por një rol të rëndësishëm kanë pasur vendimet e Konferencës së Londrës.
“Sakrifica e popullit shqiptar kishe filluar shekuj më herët për t’u çliruar nga okupimi shumëshekullor, por vlen të përmendet shekulli i kaluar që ishte një sfidë e madhe e popullit shqiptar për shkak të padrejtësive që u bënë në Konferencën e Londrës, ku gjysma e shqiptarëve mbetën nën sundimin e egër serbo-sllav”, ka thënë si.
Sipas tij, që nga ajo periudhë shqiptarët kishin sakrifikuar shumë për ta arritur qëllimin për çlirimin dhe bashkimin e trojeve shqiptare, me ç’rast një numër i madh i tyre përjetuan dhunë, terror, burgosje e madje shumë prej tyre edhe u vranë.
Megjithatë, sipas tij, fluksi më i madh i burgosjes së shqiptarëve në ish- jugosllavi ndodhi gjatë demonstratave të vitit 1968, kur u burgos edhe politikani i njohur Adem Demaçi.
Në ditën e tretë të edicionit të 19-të të “Javës së Bibliotekës në Kosovë” në Sallën e Kuvendit Komunal të Prizrenit u hap edhe ekspozita “Dokumente dhe fotografi nga arkivi i shkollës shqipe në kantonin e Gjenevës” nga Agim Paçarizi, ish-mësimdhënës dhe ish-kryetar i LAPSH “Naim Frashëri” në Gjenevë.