Kulturë

Shqipja e kulturës evropiane, kontakti me anglishten e vë në situatë të re

Me tryezën “Shqipja – gjuhë evropiane” në Institutin Albanologjik të Prishtinës, Kosova i është bashkuar botës në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare

Se shqipja është gjuhë e kulturës evropiane, janë dhënë disa fakte, por ajo është kundruar edhe përballë sfidave që i ka në kohë globalizimi veçmas prej ndikimit të anglishtes. Këto tema janë hapur të martën në tryezën shkencore “Shqipja – gjuhë evropiane”, organizuar në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare

“Shqipja – gjuhë evropiane” ka bërë bashkë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, gjuhëtarë e albanologë nga institucioni nikoqir, Kolegji Universitar “Wisdom” i Tiranës, Universiteti i Durrësit, Universiteti i Korçës, Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan dhe Shoqata “Dashamirët e Shqipes”. Me këtë tryezë edhe Kosova të martën i është bashkuar botës në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare. Dominimi i gjuhës angleze midis gjuhëve të tjera të botës, ndikimi i saj te shqipja, shembuj të shumtë të gabimeve drejtshkrimore, gabimi në drejtshkrimin e emrave, zëvendësimi i shprehjeve të huaja, e një sërë çështjesh të tjera kanë qenë disa prej temave.

Që nga viti 1999, UNESCO-ja ka vendosur 21 shkurtin si Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare. Në këtë ditë promovohet ndërgjegjësimi për diversitetin gjuhësor e kulturor dhe edukimin shumëgjuhësh. Në një rezolutë të miratuar më 16 maj të vitit 2007, kjo ditë është cilësuar si pjesë e një nisme më të gjerë, që në esencë lidhet me promovimin e mbrojtjes së të gjitha gjuhëve të përdorura nga popujt e botës. Ideja për të festuar Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare erdhi si iniciativë e Bangladeshit.

“Ky aktivitet i sotëm është domethënës, sepse na mundëson të takohemi me njëri-tjetrin, të diskutojmë për çështje që janë të interesit të përbashkët, ta ruajmë e ta mbajmë të gjallë bashkëpunimin me të gjitha qendrat albanologjike”, ka thënë në fjalën hyrëse, Naim Berisha, shef i Degës së Gjuhësisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Në kumtesën me titull “Shqipja në rrjedhat evropiane dhe globalizuese”, Berisha ka përmendur edhe ndikimin që gjuha angleze ushtron te shqipja. Përveç ndikimit të internetit, një shembull që rëndom merret kur flitet për këtë çështje, Berisha ka ofruar edhe arsye të tjera që kanë çuar te ky ndikim.

“Ashtu siç dihet, që nga periudha e administrimit të UNMIK-ut në Kosovë, anglishtja ishte gjuha e tretë zyrtare. Kur e kemi parasysh këtë dhe një sërë faktorësh të tjerë politikë, socialë e kulturorë, vetvetiu nënkuptohet se vënia përballë e shqipes me anglishten, e krijoi një situatë të re gjuhësore e komunikuese në Kosovë. Në këtë relacion, bie në sy mospërputhja e fondit leksikor të dy gjuhëve, (anglishtja mbi 500.000 fjalë), dhe pashmangshëm pritet që ky ndikim të shoqërohet me huazime gjuhësore. Pra, natyra e huazimeve gjuhësore lidhet edhe me rrethana të tjera, nëse mund të themi të natyrës praktike”, ka thënë Berisha, teksa ka përmendur edhe praninë e një sërë organizatash ndërkombëtare të cilat, sipas tij, duke punësuar njerëz të shumtë në njëfarë forme e kanë përshpejtuar depërtimin e huazimeve.

Image

Teksa ka cituar një fjali të gjuhëtarit të njohur, Xhevat Lloshi, i cili thotë se “lëvdata më e madhe që mund t’i bëhet gjuhës shqipe është se ajo është gjuhë e kulturës evropiane”, Manjola Zaçellar nga Kolegji Universitar “Wisdom” në Tiranë, ka folur për rëndësinë e gjuhës në identifikimin e identitetit kombëtar si dhe mënyrat e gabuara të përdorimit të saj.

“Gjuha shqipe është përbërësi kryesor i identifikimit kombëtar. Nëpërmjet gjuhës pasqyrohet urtësia e një populli dhe roli i saj është i pazëvendësueshëm në komunikimin shoqëror. Përballë kësaj pasurie jemi të gjithë të barabartë, por jo të gjithë e përdorim atë në mënyrë të barabartë a të njëllojtë. Mënyra se si një folës e përdor gjuhën amtare, e bën atë të dallueshëm në një shoqëri”, është shprehur ajo.

Në kumtesën me titull, “Shqipja përballë gjuhëve të Evropës”, Zeçallari ka dhënë edhe disa arsye që kanë çuar në përdorimin jo të saktë të gjuhës shqipe, ndër të cilat ka përmendur edhe ndikimin e gjuhëve të mëdha angleze e frënge.

“Jo të gjithë e përdorin gjuhën njëlloj, të pastër e pa ngarkesa të panevojshme dhe kjo natyrisht, së pari, bëhet për arsye subjektive, që vijnë prej formimit të pamjaftueshëm gjuhësor, sidomos njohjes së pamjaftueshme të leksikut të shqipes nga njëra anë dhe mungesës së kulturës gjuhësore në anën tjetër. Prandaj, sot gjejmë në ligjërime të ndryshme, në media etj., një mori fjalësh të huaja të përdorura vend e pa vend, struktura të prishura sintaksore, fjalë e fjali pa kuptim, duke i shtuar kësaj edhe një qëndrim, sipas të cilit ai që përdor fjalë të huaja, sidomos nga anglishtja, frëngjishtja, italishtja etj., di të flasë bukur, ose siç shprehet akademik, Jani Thomai snobizëm gjuhësor”, është shprehur ajo.

Në kuadër të kësaj teme, nëpërmjet shembujve të shumtë, të shpjeguar secili veç e veç, profesor Bahtijar Kryeziu kishte zgjedhur të merrej me emërtimet e fëmijëve. Në kumtesën me titull “Emrat bashkëkohorë të shqiptarëve - dëshmi e shqipes evropiane”, Kryeziu ka ofruar edhe shembujt të gabimeve drejtshkrimore në emërtimin e fëmijëve.

“Prindërit, pra, zgjedhin emrin sipas dëshirës së tyre, se si do ta quajnë fëmijën, por jo të shkruar dosido. Në vendet ku ekziston ligji për mbrojtjen e gjuhës, ai emër duhet t'i nënshtrohet një rregulle ligjore, por assesi jo për t'i diktuar atij se me ç’emër duhet emërtuar fëmijën. Prindërit le të emërtojnë fëmijën me emër të shkurtër, siç është bërë modë sot, me 2-3, 5-6, ose edhe me 10 shkronja, por jo edhe me gabime drejtshkrimore. Në këtë kontekst, prindi mund të zgjedhë, bie fjala, një nga emrat, si: Gëzim, Luljetë, Arbnor, Ardit, Besartë, Erblin, Fatmire, Ermire, Qamil, Valdete, etj., por jo: Gzim a Gxim, Lulejete a Luljet, Arbnor, Arëdit, Arëmir, Besearte, Ereblin, Fatemire, Eremire, Çamil, Valëdete etj., ngase të shkruar kështu, bien ndesh me drejtshkrimin dhe drejtshqiptimin e emrit në gjuhen shqipe”, është shprehur ai.

Image

Faton Krasniqi, bashkëpunëtor shkencor në IAP, është marrë me çështjen shumëgjuhësisë. Nisur nga përdorimi i gjuhëve zyrtare në Kosovë, Krasniqi ka folur për rëndësinë dhe vlerën e përdorimit të dy e më shumë gjuhëve.

“Shumëgjuhësia në Kosovë është vlerë e shtuar dhe si e tillë është vlerësuar nga bota perëndimore. Republika e Kosovës gjithmonë ka qenë e përkushtuar në promovimin e vlerës së shumëgjuhësisë, duke pasur parasysh se kjo vlerë është mjet për ruajtjen e karakterit fort të pasur dhe të larmishëm të shoqërisë sonë”, ka thënë Krasniqi i cili është edhe sekretar i revistës “Gjuha shqipe”.

Në tryezë kanë marrë pjesë edhe Qëndrim Morina, i cili nëpërmjet shembujve nëpër rrjetet sociale, ka folur për ndikimin e anglishtes, Ilmi Rexhepi që shtjelloi çështjen e thjeshtëzimit të shpjegimit të rregullave gramatikore të shqipes, Anyla Maxhe-Saraçi nga Universiteti i Korçës dhe Lediana Beshaj nga Kolegji Universitar “Wisdom”. Të gjitha studimet do të botohen në revistën, “Studime gjuhësore II”, e cila pritet të dalë pas dy muajsh.